Në maj të këtij viti, hetimi i Dik Marti për trafikun e dyshuar të organeve dhe krime të tjera në Kosovë e në Shqipëri, dukej se po dilte diku, sipas burimeve të mirëvendosura në Kosovë, Serbi dhe në Strasburg.
Politikan zviceran, duke punuar për grupin e të drejtave të Këshillit të Europës, ka bërë disa udhëtime në rajon, por ka qenë i frustruar në çdo tur.
Rrjedhjet e informacionit nga zyra e Prokurorit për Krime Lufte në Beograd kanë dëmtuar hetimin e vetë Serbisë për këto dyshime, duke bërë që disa figura të larta në Beograd të bien në dëshpërim nëse do të gjejnë ndonjëherë të vërtetën.
Autoritetet shqiptare kanë refuzuar në mënyrë të vazhdueshme të bashkëpunojnë për kërkesën e serbëve për të hetuar vendet e supozuara të varreve masive në Shqipëri.
Hetuesit për krime luftë të EULEX, i thanë zotit Marti se dyshimet për trafik organesh ishin “përralla” të tmerrshme.
Ata i thanë se akuzat kërkonin të hiqnin vëmendjen nga detyra reale për të gjetur rreth 1.891 persona të regjistruar akoma si të humbur nga konflikti në rajon- dy e treta e të cilëve janë shqiptarë të Kosovës.
Dhjetëra burime
Marti shkoi derë më derë me një karvan të dukshëm makinash. Raporti i tij duhej të publikohej në fillim të qershorit, por perspektivat ishin të errëta, ashtu si syzet e diellit të truprojave të tij.
Vëzhguesit prisnin një deklaratë politike që u bënte thirrje qeverive që të bëjnë më shumë dhe parashikonin shumë pak progres. Më pas diçka ndodhi.
Zoti Marti duket se zbuloi prova të mjaftueshme për të shtyrë publikimin derisa senatori zviceran ndjehej i bindur se kishte mbledhur mjaftueshëm sa për të proceduar.
Paragrafi 23, i draft- raportit të Martit, publikuar këtë javë, thotë: “Ne kemi siguruar dëshmi e dokumente nga burime të dorës së parë, veçanërisht nga luftëtarë dhe të lidhur me fraksionet e armatosura që morën pjesë në luftimet në Kosovë dhe direkt nga viktimat e krimeve të dhunshme të kryera nga Kosovë dhe territoret që e rrethojnë atë.”
Paragrafi 44 thekson: “Sipas burimeve tona të brendshme UÇK luftonte po kaq ashpër e me ndoshta edhe me më shumë devotshmëri për burimet dhe kapitalin e saj politik, për të ruajtur avantazhin mbi fraksionet etnike rivale shqiptare, sa ç’bënte për të koordinuar aksionet ushtarake kundër serbëve.”
Lidhja me BE
Po me kë ka folur zoti Marti? Tashmë është e ditur mes gazetarëve investigativë që në Serbi ka kohë që po hetohet dhe se në Kosovë një përzierje mes besnikërisë ndaj klaneve e bënte hetimin shumë të vështirë.
Shumë faqe në këtë raport i janë kushtuar analizës së operacioneve të UÇK-së brenda Shqipërisë. Duket logjike të arrihet në përfundimin se burimet e reja të Martit duhet të gjenden në Shqipëri, ndoshta në Shërbimet Sekrete, të cilat dikur bashkëpunonin ngushtë me UÇK-në.
Kjo ka kuptim edhe në një perspektivë gjeopolitike. Si anëtare e NATO-s, Shqipëria duhet të thyejë disa nga barrierat mes shërbimeve të saj të inteligjencës dhe ato të vendeve të tjera anëtare. Ndërsa po drejtohet kah anëtarësimi i mundshëm në Bashkimin Europian, ajo po kërkon në mënyrë urgjente aleatë në Europë.
Ka detaje të reja në raportin për trafikun e supozuar të organeve, kësaj herë të fokusuar më pak në të famshmen “shtëpi e verdhë”, në një fshat në Rripe në qendër të Shqipërisë, që ka qenë në qendër të hetimeve ndërkombëtare për krime lufte në vitin 2004, e më shumë në një tjetër qendër, në Fushë- Krujë, në veri të Tiranës.
Teoritë konspirative
Dyshohet se veshkat merreshin nga të burgosurit direkt pasi ishin vrarë. Raporti bën lidhje edhe me një rast të kohëve të fundit të trafikut të organeve në Prishtinë, gjyqi për të cilin sapo ka filluar.
Në Prishtinë, autoritetet vazhdojnë të mohojnë, publikisht dhe në mënyrë private, që ka ndonjë provë pas akuzave të Këshillit të Europës.
Zoti Marti është identifikuar si një njeri që ka kundërshtuar gjithmonë pavarësinë e Kosovës dhe është duke bashkëpunuar tani me Serbinë në një konspiracion për të dekurajuar vendet e tjera për të njohur Kosovën.
Vetëm 72 nga 192 vende anëtare të OKB-së e kanë njohur atë deri më tani. Detyra e parë e qeverisë së zgjedhur të dielën e shkuar do të jetë nisja e bisedimeve të shtyra prej shumë kohësh me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, dhe zyrtarët në Prishtinë druhen se po përgatitet terreni për t’i bërë këto bisedime më të përpunueshme.
Një seri “koincidencash” po nxirren në pah në kryeqytetin kosovar, për të shpjeguar kohën ekzakte të raportit të Martit. Një ide që po qarkullon në Prishtinë është që qeveria të hedhë poshtë akuzat dhe të padisë zotin Marti për shpifje.
Zyrtarët e Bashkimit Europian në Bruksel dhe në Prishtinë e kanë sfiduar autorin e raportit që të dalë me prova.
“Topi tani është në fushën e zotit Marti,” tha një burim në Prishtinë.