Skandali, Shqipëria do blejë pullat fiskale dy herë më shtrenjtë se vendet e tjera

16 Dhjetor 2010, 22:03Politika TEMA

Koncesioni i është dhënë një kompanie kanadeze, që na i shet dy herë më shtrenjtë se të njëjtin prodhim që u ka shitur vendeve të tjera. Tenderi është bërë në mungesë transparence dhe gjithçka është negociuar mes Berishës dhe Bodes. Pas tenderit qëndron një lobist i njohur amerikan, i cili ishte në muajin Tetor në Tiranë

Qeveria shqiptare miratoi të mërkurën dhënien me koncesion të “prodhimit dhe ngritjes të sistemit të kontrollit të pullave fiskale”, një vendim i cili është paraprirë nga një procedurë të gjatë shkeljeje, mungese transparence dhe dyshime të besueshme për kosto dyfishe të këtij operacioni, por dhe mungesë eficencë në luftën kundër kontrabandës së duhanit, alkoolit dhe barnave.

Vendimi u mor pas propozimit të Ministrisë së Financave disa muaj më parë, e cila vendosi të zbatojë pulla të reja fiskale për të gjitha produktet e duhanit, produktet e fermentuara dhe distiluara të alkoolit dhe birrës, me destinacion tregun vendas, të importuara apo prodhuara në vend, si dhe për produktet farmaceutike.

Historia ka filluar në fillim të shtatorit të vitit 2010 kur nisi dhe procedura e konkurrimit për dhënien me koncesion të prodhimit të pullave fiskale. Në tender u paraqitën disa firma, mes tyre dhe SICPA Security. Gara nxori fituese pikërisht kompaninë SICPA, ndërsa një prej konkurrentëve në tender pretendoi parregullsi dhe diskriminim gjatë garës. Por, duket se historia dhe skandali i vërtetë fillon pikërisht në momentin që kompania SICPA fitoi garën. Për disa muaj rresht kjo kompani negocioi me Ministrinë e Financave termat e kontratës koncesionare, që ishte lënë për tu nënshkruar më datën 15 tetor. Për javë të tëra marrëdhënia mes kompanisë dhe ministrisë ka qenë tërësisht jashtë çdo lloj konturi transparence dhe për kontratën dhe ecurinë e saj ka pasur dijeni vetëm ministri Bode, një grup i vogël ekspertësh në ministri, dhe kryeministri Berisha.

Ky koncesion krijon sipas ekspertëve tri problem të mëdha.

Së pari çmimi i pullave është dyfishi i çmimit që e njëjta kompani ka ofruar në Filipine një vit më parë.

Së dyti, ky sistem nuk është në një gjatësi vale me rekomandimet dhe marrëveshjet ndërkombëtare të Shqipërisë për luftën kundër trafikut të mallrave me ‘akcizë’ të fortë, siç janë duhani, pijet alkoolike dhe barnat.

Dhe së treti, procedura e tenderit ka qenë tërësisht jo-transparente dhe fituesi është diktuar nga një lobues i lartë amerikan, i parë nën shoqërinë e Damir Fazlliçit në muajin tetor në Tiranë, për të cilin u përfol se ka ardhur për lobim pranë zotit Berisha.

Ministria e Financave: E ulëm çmimin me 31 përqind

Koncesioni jepet për një periudhe 10- vjeçare. Vlera totale  e investimit është 10 milion euro dhe tarifa e koncesionit është 2 % e totalit të të ardhurave nga shitja e pullave. Periudha e implementimit është 5 muaj nga marrja e lejeve, autorizimeve apo licencave të nevojshme për fillimin e punimeve. E reja e kalimit të këtij shërbimi me koncesion qëndron tek zbatimi i sistemit SICPATRACE (Secure Track & Trace Solutions), i cili parashikon zbatimin e një sërë masash sigurie për prodhimin e pullave fiskale, regjistrimin e tyre në kohë reale në sistemin qendror si dhe gjurmimin e tyre në treg nëpërmjet pajisjeve portabël të skanimit.

Pullat fiskale do të përmbajnë katër elemente sigurie për të eliminuar falsifikimet e mundshme të tyre, duke filluar që nga aplikimi i një boje irideshente (boje unike, e cila do prodhohet nga kompania vetëm për Shqipërinë), e deri tek vendosja e një kodi unik të padukshëm. Sipas specialistëve të angazhuar në këtë proces, funksionimi i kësaj skeme do të përmirësojë situatën aktuale, duke minimizuar qarkullimin e pullave false.

Pullat do të kenë një çmim 14.43 euro/mijë copë pas një negociate të Ministrisë së Financave me kompaninë, e cila aplikoi një ulje çmimi prej 31% nga vlera fillestare nga 21.00 euro/mijë copë që ishte më parë.

Funksionimi

Prodhimi dhe stampimi i pullave fiskale dhe atyre të barnave mjekësore është parashikuar të kryhet në Shqipëri, tek ish-Tipografia, në të njëjtin territor ku bëhet dhe personalizimi i pasaportave dhe kartave të identitetit.

–  Për cigaret (që prodhohen jashtë vendit), apo produkte të tjera si p.sh. birra apo pije alkoolike, pullat fiskale dërgohen me postë të sigurtë direkt tek prodhuesit apo shitësit me shumicë apo vendosësit e pullës (stampers), sipas informacionit të dërguar nga importuesi.

–  Për prodhuesit vendas që kane linja plotësisht automatike të mbushjes së automatizuar, do të vendoset makineria që bën shënjimin direkt në linjën e prodhimit përkatës

–  Për produktet farmaceutike do të ndiqet e njëjta procedure si për piken (i), me përjashtimin që për një kategori produktesh të miratuara nga Këshilli i Ministrave, vendosja e pullave do të bëhet në Shqipëri, nga importuesi, nën mbikqyrjen e Qendrës Kombëtare të Barnave dhe Koncensionarit.

Skandali me Shqipërinë

Problemi i parë që prodhon kjo histori është çmimi i lartë i pullave fiskale. E njëjta kompani i ka ofruar Filipineve të njëjtin sistem një vit më parë me çmim 7 dollarë për 100 pulla, ka raportuar rrjeti investigativ “Balkan Insight” nga Shqipëria.

Por Ministria e Financave thotë se kjo mospërputhje në çmim vjen nga fakti që Shqipëria është treg i vogël dhe për këtë shkak paguan një çmim dyfish më të lartë. Kjo është krejt e paargumentuar me  faktorët ekonomikë.

Problemi i dytë është paefektshmëria e këtij sistemi.

Rrjeti investigativ Balkan Insight, ka hetuar gjatë muajit tetor të këtij viti se ky sistem, SICPA, që prodhon miliona euro dhe synon luftën kundër tregtisë së paligjshme të duhanit dhe alkoolit, është i paefektshëm pasi nuk është në një gjatësi vale me marrëveshjet ndërkombëtare për luftën kundër kontrabandës dhe trafikut të artikujve të tillë si duhani, alkooli apo barnat.

Për më tepër, sipas këtij hetimi, sistemi nuk ka histori të suksesshme të zvogëlimit të kontrabandës në vendet ku është aplikuar. Nëse kjo është një zgjidhje e drejtë apo jo për Shqipërinë, do ta tregojë koha, por qysh në fillim gjithçka është nisur mbrapsht.

Kompanitë e biznesit, që do të blejnë këto pulla, janë ankuar duke thënë se tenderi për dhënien e kësaj kontrate ekskluzive nuk ishte transparent, ndërsa SICPA ka refuzuar të bëjë komente.

Mungesa e transparencës në tender

Shpallja e fituesit është bërë përmes një operacioni të beftë, ku Ministria e Financave la jashtë dijenisë grupet e interesit (kompanitë e tregtimit të duhanit dhe pijeve alkoolike, kafesë, barnave) duke e trajtuar kompaninë fituese në një marrëdhënie të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë jashtë vëmendjes së interesit publik. Kontrata më së fundi është nënshkruar kohë më parë, dhe vetëm dje është bërë publik nënshkrimi i saj.

Kjo kontratë i ka dhënë në kushtet e mungesës totale të transparencës kompanisë SICPA, koncesionin e prodhimit të pullave fiskale, një produkt strategjik me vlerë shumëdimensionale në treg, sidomos në tregun e duhanit dhe pijeve alkoolike. Nga ana e saj, kompania ka kryer në Tiranë regjistrimin në QKR nën emrin “Sicpa Security Solutions Albania”, ku administrator është shtetasi zviceran Gianni Nigro. Praktikën e regjistrimit dhe të asistencës së kompanisë e ka marrë përsipër studioja ligjore “Ëolf Theis”, që drejtohet nga avokati i njohur Sokol Nako.

“Sicpa Security” në fakt është një korporatë ndërkombëtare me epiqendër në shtetin e Kalifornisë, ndërsa zyrën e saj qendrore për Evropën ka filialin zviceran. Kjo kompani operon në prodhimin e pullave fiskale në shtetin e Kalifornisë dhe ka pasur një sërë problemesh me cilësinë dhe sigurinë e këtyre pullave në Kaliforni, ndërsa një koncesion i marrë prej saj në Filipine gati sa nuk u shndërrua në një skandal shtetëror për shkak të problemeve që shkaktoi kjo kompani. Pas tenderit fshihet një lobist i njohur amerikan i cili ka qenë në vjeshtën e këtij viti në Tiranë dhe është shoqëruar në mjedise publike me sekserë të njohur të familjes Berisha.

2 komente në “Skandali, Shqipëria do blejë pullat fiskale dy herë më shtrenjtë se vendet e tjera”

  1. Mondi says:

    Ore por ndryshojeni ate fjale Pullat se po bani konnfuze edhe gjuhen shqiperi.Ato quhet ne anglisht “Label” qe do te thot fjale per fjale Emertim.Komunistet injorante te Enverit akoma qendrojne neper zyrat e shtetit shqiptare: Po qe se jeni kurjoze mereeni dhe lexojeni Diksionerin qe komunistat bene me 1980,ve aty do te shikoni se ato nuk e njihin fare gjuhen angleze dhe si e tille kane bere nje perkthim shum te keq sikur ta e kishte bere nje njeri me 8 klase shkolle te asaj kohe.Edhe sot po ndihet shum mungesa e njehjes apo e kopjimit te asaj gjuhe dhe pastaj i bajme pyetjen vetes se si ka mundesi qe shqiptaret kane Mosmarreveshje midis njeri tjetrit.

  2. Kristo says:

    Ore zoterinj gazetare, te pakten kur citoni dike, pavaresisht se shkruan genjeshtra, bejeni kete tamam si duhet!
    Se nuk po pretendon njeri t’ia kepusni rroma-per-toma e kodra-pas-bregut me lidhjet paranoiake amerikano-kanadezo-qeveritare… Bjerini atyre telefonave apo hapni pak internetin se cila eshte kompania, kush ankohet e perse… Mos e ktheni gazetarine ne mercenarizem te paster qe bie ere shantazh, se pastaj le vend te dyshohet “genje genje se diçka do ngelet”

    Me respekt, Kristo, Alabama, US

Comments are closed.

Lini një Përgjigje