Cana: Do ta sjell Gallatasarajin në Kosovë

28 Dhjetor 2010, 09:45Sport TEMA

Ekipi i madh turk Gallatasaraj ka shumë adhurues në Kosovë, por ky adhurim është rritur edhe më shumë prej verës së këtij viti, kur mesfushori kosovar, Lorik Cana, firmosi me ekipin nga Stambolli.  Tani Cana e Galllatasaraj po shikojnë çdo mundësi për të shpërblyer këtë tifozëri në Kosovë. Në  një intervistë dhënë “Kohës Ditore”,  Cana tha se që nga shkuarja e tij në Turqi, ka nisur bisedimet me kryetarin e klubit për një ndeshje miqësore në Kosovë. “Që nga momenti që kam kaluar te Gallatasaraji, kam biseduar me kryetarin e klubit që të zhvillojmë një ndeshje miqësore në Kosovë. Unë kam marrëdhënie të mira me drejtuesit e skuadrës dhe një miqësore mund të realizohet dhe unë po punoj dhe do ta sjell Gallatasarajin në Kosovë. Ende nuk ka asgjë konkrete se a do të luajmë me përfaqësuesen e Kosovës apo me ndonjë skuadër, kjo mbetet për t’u diskutuar. Në klub e dinë që në Kosovë Gallatasaraji adhurohet shumë dhe që populli ynë me atë turk ka një miqësi të madhe”, ka thënë Cana, që këto ditë po pushon në Kosovë.

Lini një Përgjigje