Thaçi: “Shtëpinë e Verdhë” e mësova nga mediet “e verdha” serbe

10 Janar 2011, 11:34Rajoni TEMA

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një interviste për EUobserver, ka gjykuar akuzat e fundit për trafikim organesh si një përpjekje për ta rishkruar historinë. Thaçi tha se për herë të parë kishte dëgjuar për “Shtëpinë e Verdhë”, një ndërtesë në Shqipëri, ku thuhet se guerilët e Thaçit kanë vrarë të burgosur serbë dhe u kanë marrë organet e tyre për t’i shitur në tregun e zi, nga mediet e “verdha” në Beograd.

“Këtë (informatë) e kam dëgjuar nga mediet “e verdha” në Beograd dhe nga libri i Carla Del Pontes”, ka thënë Thaçi për EUobserver.

“UÇK-ja ka kryer një luftë të drejtë, luftë për çlirim. Dihet botërisht se kush ka kryer gjenocid. Qëllimi i raportit (të Martyt) është kriminalizimi i luftës për çlirim, por gjithashtu edhe për dëmtimin e imazhit të Republikës së Kosovës, për pengimin e njohjeve të reja të shtetësisë së Kosovës, të cilat do të vijnë, për ta dëmtuar imazhin e Shqipërisë dhe për ta dëmtuar dialogun e ardhshëm në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar Thaçi.

Ai më tej ka thënë se ky raport ka për synim ta sulmojë dialogun Kosovë-Serbi. “Është një përpjekje për ta sulmuar dialogun Kosovë-Serbi, dialog ky që është agjendë evropiane. Ky pamflet është një sulm gjithashtu kundër SHBA-ve, BE-së, NATO-s dhe OKB-së. Ky klub anti-Kosovë i Dick Marty, i cili ka qenë edhe kundër bombardimeve të NATO-s dhe kundër shtetësisë së Kosovës, është gjithashtu kundër agjendës së tanishme të bërjes së Kosovës një shtet të suksesshëm”.

Kryeministri Thaçi theksoi se do të përdoren të gjitha mjetet ligjore dhe politike kundër kësaj shpifjeje. “Kam kërkuar sqarime sepse ne, si shtet i Kosovës, ne populli i Kosovës, nuk kemi asgjë për të fshehur dhe kjo çështje duhet sqaruar”.

Tregimi standard i luftës së Kosovës thotë se forcat serbe të Slobodan Milosheviqit kanë kryer krime masive kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë betejës së rajonit për pavarësi, në një fushatë e cila çoi deri në bombardimet e NATO-s kundër Beogradit në vitin 1999.

Del Ponte, e cila momentalisht është ambasadore e Zvicrës në Argjentinë, dhe Marty, të kontaktuar nga EUobserver gjatë javëve të fundit, nuk kanë dashur të komentonin rreth deklarimeve të tyre për trafikim organesh. Poashtu, edhe presidenti serb, Boris Tadiq, nuk i është përgjigjur një kërkese për intervistë.

Qëndrimi i BE-së është që raportuesi Dick Marty do të duhet të paraqes dëshmi të forta pranë EULEX-it, nëse për raportin e tij dëshiron të ketë gjykim. /zëri/

Lini një Përgjigje