Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se gjatë votimit në fshatin Izbicë të Skenderajt situata është tensionuar, ngase janë kërcënuar dy vëzhgues të saj.
“Kërcënohen rëndë vëzhguesit Naim Bunjaku dhe Ibrahim Ademi. Njësia Speciale e Policisë së Kosovës vijnë në vendin e ngjarjes. Në këtë vendvotim po bëhet votim i shumëfishtë, ndërkaq libri i vërejtjeve është uzurpuar nga drejtori i shkollës, i cili është njëherësh edhe komisioner i AKR-së”, thuhet në një njoftim të Vetëvendosjes.
Ndërkohë që LDK-ja, siç raporton Telegrafi, druan se nga mungesa e energjisë në fshatrat Negroc, Orllat, Llapushnik, Gllanasellë dhe Koroticë të Drenasit, si dhe në Prekaz të Epërm të Skenderajt, mund ketë manipulime me votën e qytetarëve.
Dega e PDK-së në Malishevë është ankuar se Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, paraditen e së dielës ka lobuar në Qendrën e Votimit në Drenoc në favor të të afërmit të tij, Ismail Kurteshi, i cili është kandidat i Lëvizjes “Vetëvendosje” në këto zgjedhje.
“Rreth orës 10:15, Avokati i Popullit Sami Kurteshi, qëndroi në afërsi të vendvotimit nr. 3008 / A në Drenoc ku po mbahen votime. Gjatë qëndrimit të tij në një lokal me gjera ushqimore, që është jo më larg se 50 metra nga Qendra e Votimit, në prani të dhjetëra qytetarëve ka lavdëruar kandidatin e “Vetëvendosjes” Ismail Kurteshin dhe ka lobuar në një mënyrë që ai të votohet nga votuesit e këtij lokaliteti”, thuhet në reagimin e degës së PDK-së në Malishevë dërguar KQZ-së, PZAP-së, KKZ-së, qendrës së PDK-së në Prishtinë si dhe mjeteve të informimit publik.
“Kjo mënyrë e lobimit bëhet në kohën e heshtjes zgjedhore që është e paraparë me ligj si dhe nga personi i cili duhet të ketë rolin e tij unifikues”, përfundon reagimi duke konstatuar se dega e PDK-së në Malishevë është e dëmtuar nga njeriu që duhet të ketë rol unifikues i cili me këtë rast edhe ka bërë shkelje të Ligjit për Zgjedhje.
“ZERI”
“ZERI”