Lëvizja Vetëvendosje ka raportuar për parregullsi në një qendër votimi në komunën e Skënderajt.
Përmes një komunikate për media, kjo lëvizje njofton se “vëzhguesit e saj nuk janë lejuar të hyjnë në qendrën e votimit 2124b në Kopiliq të Ulët të Skënderajt, me arsyetimin se janë nga komuna të tjera e jo nga ajo e Skënderajt”.
“Gjatë përpjekjes për të hyrë brenda, vëzhguesit tanë kanë vërejtur se kutitë kanë qenë gjysmë të mbushura, si dhe ka munguar spreji dhe llambat ultra-vjollcë”, thuhet në komunikatë.
“Vetëvendosje” vë në pah se vëzhguesit e saj nuk janë lejuar të hyjnë brenda nga ana e policisë, të cilët kanë thënë se “nuk bëjnë asgjë pa marrë urdhër nga komisionari kryesor”.
Kjo lëvizje ka raportuar se “disa vetura të militantëve të PDK-së janë endur atypari, duke i kërcënuar vëzhguesit e Vetëvendosjes”.
Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” ka raportuar se deri në orën 8, janë hapur të gjitha vendvotimet në Skënderaj, Drenas, Deçan, Malishevë e Lipjan. Në këto komuna po përsëriten votimet si pasojë e gjetjes së parregullsive më 12 dhjetor.
Vëzhguesit e DV-së kanë raportuar se janë mbyllur për 45 minuta dy vendvotime në fshatin Zabel të Ulët të Drenasit, për shkak të pranisë së madhe të vëzhguesve partiakë, të cilët kanë refuzuar t’i lëshojnë vendvotimet.
Ky koalicion ka njoftuar se në Syriganë të Skënderajt, vendbanim i banuar nga komuniteti serb, është duke u votuar në shtëpi private e jo në shkollë.
Përfaqësuesi i “Demokracisë në Veprim”, Kreshnik Basha, në emër të koalicionit i ka ftuar subjektet politike që të demonstrojnë përgjegjësi politike dhe të mundësojnë një garë korrekte e demokratike.
“Demokracia në Veprim”, kësaj radhe, ka të angazhuar mbi 500 vëzhgues, nga dy për çdo vendvotim, një nga komunat përkatëse dhe një nga komuna të tjera të vendit.
Qytetarët e Skenderajt, Drenasit, Deçanit, si dhe të dy vendvotimeve në Malishevë e Lipjan rihedhin sot votën e tyre.
Të gjitha qendrat e votimit janë hapur në orën 7 të mëngjesit, ka bërë të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Mësohet se numri i përgjithshëm i votuesve është 138,657, ndërsa rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” ka bërë të ditur se me rreth 500 vëzhgues do të monitorojë procesin e sotëm zgjedhor.
Rivotimi, sipas Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka ardhur si rezultat i dëshmive të dorëzuara nga partitë politike për, siç thuhet, shkelje të mëdha gjatë votimeve të 12 dhjetorit.