Krimet e fshehura të Kosovës

8 Janar 2011, 11:15Rajoni TEMA

Nga Chuck Sudetic

Washington Post

Amerikanët duhet të ndjehen të tradhtuar nga përmbajtja e raportit të Këshillit të Europës për krimin e organizuar në Kosovën e populluar në shumicë nga shqiptarët, një vend që ia detyron ekzistencën Shteteve të Bashkuara. Raporti, me autor prokurorin zviceran, Dick Marty, përfshin akuza se liderët e Kosovës kanë kryer krime monstruoze dhe diplomatët amerikanë e europianë, si dhe zyrtarët e OKB në Kosovë kanë mbyllur sytë përballë këtyre krimeve për të ruajtur “stabilitetin politik”.

Liderët e Kosovës kanë nisur një fushatë të shëmtuar në media për të diskretituar Marty-n dhe gjetjet e raportit të tij dhe kanë kërcënuar se do të nisin një gjueti shtrigash kundër shqiptarëve që kanë ndihmuar këtë hetim. Zëri i Uashingtonit është i nevojshëm tani për të ndaluar këtë nxitje në Kosovë dhe për të kthyer opinionin publik drejt hetimit kriminal ndërkombëtar, e nëse është e nevojshme edhe tek procedimet penale.

Raporti bazohet mbi dëshmitarët e të brendshëm shqiptarë ashtu edhe në agjencitë policorë dhe shërbimet sekrete të Perëndimit e jo mbi të dhënat e armikut të shqiptarëve, qeverisë së Serbisë. Të dhënat flasin për trafik narkotikësh e femrash. Aty përfshihen edhe të dhëna për rrëmbimin në Kosovë të rreth 500 serbëve, shqiptarëve dhe pjesëtarëve të komuniteteve të tjera etnike; dërgimi i tyre në kampe sekrete në Shqipëri; dhe vrasja e thuajse të gjitha këtyre pengjeve, përfshi këtu edhe disa, të cilëve iu morën organet për t’i shitur për përfitim. Raporti thotë se këto vrasje kanë ndodhur që nga mesi i vitit 1999 deri në mesin e vitit 2000, pasi fushata bombarduese e NATO-s e kishte tërhequr ushtrinë serbe nga Kosova. Raporti tregon me gisht kryeministrin Hashim Thaçi, që për vite të tëra ka qenë djaloshi i artë i amerikanëve në Kosovë dhe një numër shokësh të Thaçit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, një amalgamë rebelësh lokalë që u ngritën kundër Serbisë.

Uashingtoni e dinte për rrëmbimet disa jave pasi NATO pushtoi Kosovën në qershor të vitit 1999. Diplomatët amerikanë u përgjigjën menjëherë apelit të serbëve për ndihmë duke u kërkuar komandantëve të UÇk që të ndalin këto rrëmbime. Rrëmbimet u ndalën, por asgjë nuk u dëgjua më për viktimat. Pas kësaj, stabiliteti politik u bë prioriteti kryesor në Kosovë për Shtetet e Bashkuara e për OKBE-në, të cilat hoqën dorë nga nisja e një hetimi kriminal për rrëmbimet. Sipas burimeve shqiptare dhe amerikane, gjatë verës së vitit 2008, kur ish- prokurorja për krime lufte e OKB-së, Karla Del Ponte, publikoi kujtimet që përmendnin këto vrasje dhe raportoi pohime të besueshme për trafikun e organeve- diplomatë të lartë amerikanë në Kosovë e këshilluan Thaçin e të tjerë drejtues të Kosovës se nuk kishin çfarë të bënin tjetër vetëm të prisnin stuhinë. Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë që atëherë kanë lëshuar vetëm mohime boshe se nuk është bërë asnjë krim.

Raporti i Marty nuk sulmon legjitimitetin e Kosovës. Shumë, në mos shumica e shqiptarëve e dinë këtë gjë, por janë shumë të frikësuar për ta dhënë atë në publik. Kjo për shkak se korrupsioni e dhuna janë kaq të përhapura në Kosovë dhe në një pjesë edhe për shkak se Thaçi e liderë të tjerë e kanë dënuar raportin si një sulm mbi sovranitetin e Kosovës, popullin shqiptar dhe trashëgiminë e UÇK-së. Ditën e Krishtlindjeve, shtypi shqiptar raporti për një kërcënim të Thaçit ndaj çdo shqiptari që kishte asistuar Marty-n. Në një vend ku dëshmitarët e krimeve vritet për t’i bërë që të heshtin, fjalët e Thaçit mund të nxisin sulme mbi anëtarë të minoriteteve, kundërshtarët politikë, gazetarët dhe të huajt.

Ky rrezik dhe nevoja afatgjatë që të nxitet sundimi i ligjit në Kosovë dhe në Shqipëri, bëjnë të nevojshme që Shtetet e Bashkuara të bëjnë një deklaratë të fortë publike e të zhvillojnë një diplomaci të ashpër. Shtetet e Bashkuara duhet të pyesin për çdo detaj të raportit të Këshillit të Europës dhe të kërkojnë një takim me Marty-n për të diskutuar për burimet që ai nuk mund t’i publikojë për shkaqe sigurie. Nëse mendojnë se provat e burimet janë të besueshme, Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Europian duhet të ngrenë një strukturë të aftë për të kryer një hetim kriminal, e nëse është e nevojshme, të procedojnë penalisht; kjo strukturë duhet të jetë në gjendje që të mbrojë dëshmitarët.

Uashingtoni duhet të kërkojë që Kosova e Shqipëria të bashkëpunojnë plotësisht. Nëse nuk pranojnë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët duhet të përdorin ndikimin e tyre për të detyruar dorëheqjen e atyre që janë përgjegjës për mungesën e bashkëpunimit. Uashingtoni duhet të sigurojë që Serbia, Rusia e vendet e tjera nuk do të keqpërdorin raportin e Këshillit të Europës për të minuar legjitimitetin e Kosovës.

Chuck Sudetic raporti për Ballkanin gjatë viteve ’90 dhe punoi për Tribunalin e OKB për Krime Lufte në Jugosllavi nga viti 2001 deri në vitin 2005. Ai është bashkautor në kujtimet e Karla Del Pontes.

Lini një Përgjigje