Shtëpia e Igor Vujnoviqit, komandantit të organizatës ‘Obraz’, është bastisuar nga policia e Kosovës të martën, në orët e vona të mbrëmjes, kanë njoftuar burime të Kohës Ditore.
Kontrollin e shtëpisë së Igor Vujnoviqit e ka konfirmuar edhe policia në Mitrovicë.
Sipas policisë, stacioni policor në veri, në Mitrovicë, ka zbatuar një urdhër kontrolli për bastisjen e një shtëpie private në rrugën “Rugjer Boshkoviq”, në veri të Mitrovicës. Bastisja është realizuar rreth orës 21:00, në kërkim të provave ose arsyeve të tjera në lidhshmëri me informatat e mbledhura operative për mundësi të gjetjes së materialit propagandues dhe nacionalist, ka thënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti. Me urdhëresë të lëshuar nga prokuroria e qarkut në Mitrovicë, policia e Kosovës ka bërë kontrollin e shtëpisë private të 37 vjeçarit I.V., i përkatësisë etnike serbe, nga Mitrovica, për dyshim të përfshirjes së tij në posedim dhe shpërndarje të materialit të ndryshëm propagandues kundër institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe individ të përkatësisë etnike serbe. Gjatë kontrollit të shtëpisë, hetuesit policor kanë arritur që të gjejnë elemente dhe prova të mjaftueshme për të cilat edhe është iniciuar bastisja, me ç’rast janë sekuestruar një sasi e konsideruar e dokumenteve nacionaliste dhe materialit propagandues, vule, kompjuterë dhe telefonë celular, ka thënë Hoti. Sipas tij, operacioni i kontrollit policor të shtëpisë ka përfunduar pa ndonjë incident të shënuar, ndërsa i dyshuari, ndaj të cilit edhe është iniciuar bastisja, në mungesë të prezencës së tij, është ftuar që të paraqitet tek hetuesit policor për intervistim. Veç materialit propagandues dhe kërcënues, hetuesit policor kanë identifikuar edhe librezën e anëtarësisë së të dyshuarit si udhëheqës i organizatës nacionaliste serbe “Otadjbina”,e bashkë me të edhe rregulloren e kësaj organizate. Prokurori publik i prokurorisë së qarkut në Mitrovicë, është informuar lidhur me veprimet e ndërmarra policore në rastin e bastisjes, ndërsa rasti fillimisht ishte iniciuar si vepër penale “kanosje” të paraparë në bazë të kodit penal të Kosovës. Hetimet shtesë lidhur me përfshirjen e të dyshuarit në këtë rast, do të ndiqen nga hetuesit policor të stacionit veri në bashkëveprim me hetuesit rajonal të policisë së Kosovës në Mitrovicë, ndërsa vepra penale do të ri-kualifikohet në bashkëpunim me prokurorin e çështjes.