Kryediplomati sllovak pret hetime për akuzat ndaj Thaçit

6 Janar 2011, 12:04Rajoni TEMA

Shefi i diplomacisë sllovake, Mikulas Dzurinda, thotë se pret hetime për akuzat që kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka gisht në trafikimin me organe për transplantim, raporton QIK. “Ashtu siç e ka Serbia detyrim bashkëpunimin e plotë me Tribunalin Ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, i njëjti standard duhet të vlejë edhe për palën tjetër”, ka thënë ministri i jashtëm sllovak Mikulas Dzurinda. “Kur ekzistojnë dyshime aq serioze për të cilat raporti i Dick Martyt, nevojitet që të hulumtohen në hollësi. Në këtë nuk ka dyshim”, ka thënë Dzurinda në Beograd, i cili ishte mysafir nderi në Konferencën e ambasadorëve. Sipas ministrit sllovak, pritet që diskutimi për raportin e senatorit zviceran të caktuar më 25 janar në Këshillin e Evropës, të jetë i hapur, ndërsa konkluzionet të miratohen. Dzurinda ka thënë se udhëheqja e re e Kosovës duhet sa më parë të formojë ekipin negociator dhe të ulet pranë tryezës me Serbinë. “Është në interesin tonë, sot jam bindur që është edhe në interesin serb, e besoj se është edhe në interes të Prishtinës, që këto bisedime të fillojnë dhe të jenë produktive. Qëllimi është i qartë – që të arrihet marrëveshja dhe zgjidhja e cila do të jetë paqësore dhe ç’është me rëndësi, e përhershme dhe e qëndrueshme”, ka thënë ministri i jashtëm sllovak.

Lini një Përgjigje