Menduh Thaçi: Duhet ndryshuar koncepti i shtetit

6 Janar 2011, 11:25Rajoni TEMA

Kryetari i Partisë Demokratike opozitare Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi, parashikon se edhe gjatë këtij viti, qeveria në Shkup nuk do të bëjë përparime në procesin e afrimit të vendit në integrimet euroatlantike. Arsye për këtë, ai përmend refuzimin e gjetjes së zgjidhjes me Greqinë për çështjen e emrit si dhe të kërkesave të shqiptarëve për barazi.

‘Maqedonasit vazhdojnë tendencën e tyre, herë pas here publike, e herë pas here të fshehur, për ngritjen e shtetit të tyre etnik maqedonas”- tha Menduh Thaçi për BBC-në.

Sipas tij, këto probleme mund të kapërcehen me atë që ai e quajti ndërrim i konceptit për shtetin dhe përkufizimin e Maqedonisë si shtet të maqedonasve dhe shqiptarëve.

Me kreun e Partisë Demokratike Shqiptare Seladin Xhezairi dhe fillimisht e pyeti se cilat do të jenë sfidat e Maqedonisë këtë vit?

Menduh Thaçi: Është çështja e jashtme e këtij shteti që tashmë është legalizuar dhe legjitimuar si problem esencial, proceset integruese drejt Unionit Evropian dhe NATO-s. Këtë vit Maqedonia mori vulën e vërtetë se tash e tutje procesi do të jetë i bllokuar. Nuk jam optimist për shkak se gatishmëria e Qeverisë mungon që të jetë kooperative në lidhje me çështjen e emrit apo problemit që ka me Greqinë. Është çështja e dytë e brendshme e këtij eksperimenti të vetëm në Evropë, kinse të shtetit multietnik, eksperiment ky i cili si duket do dalë i pasukesshëm. Vazhdohet që shqiptarët të trajtohen nën nivelin pakicave kombëtare, të shteteve të tjera që janë në Evropë, dhe ky problem i këtij moskohezioni të brendshëm mendoj se në mënyrë të drejtpërdrejtë shkon bashkë edhe me atë mungesën e përparimit drejt procesit integrues. Unë mendoj se këto janë dy çështjet më madhore për Maqedoninë, por fatkeqësisht nuk ka ndonjë gatishmëri, nuk vërej as ndonjë brengë tek Qeveria e tanishme se këto janë dy procese themelore për të ardhmen e Maqedonisë.

BBC: Dhe, kur është fjala për negociatat maqedono-greke lidhur me emrin kushtetues të Maqedonisë që, sikundër dihet, vazhdon të jetë i papranueshëm për Athinën zyrtare, zoti Thaçi a mendoni se Qeveria në Shkup do t’ia dalë të gjejë një zgjidhje kompromisi me qëllim të përshpejtimit të integrimit euroatlantik të vendit?

Menduh Thaçi: Shenjat janë negative, domethënë alarmante. Nuk ka gatishmëri nga ana e Qeverisë për shkak se ajo o nuk don të kuptojë o manipulon me një të vërtetë shum madhore në Maqedoni. Tentimi i Qeverisë së Maqedonisë, kuptohet i atyre maqedonasve që drejtojnë atë, është që në shekullin XXI të instalojnë shtetin etnik të maqedonasve. Kjo vetëm në sipërfaqe apo si të them kajmaku i këtij problemi duket se është vetëm me Greqinë. Po të analizojmë pak më në thellësi, rezulton se problemi është pak më i rëndë. Maqedonasit vazhdojnë tendencën e tyre, herëpashere publike e herëpashere të fshehur, për ngritjen e shtetit të tyre etnik maqedonas. Nuk kam ndonjë shpresë se ky proces do të çohet përpara. Nuk është vetëm problemi i Greqisë, por është edhe ky problem të cilin e përsëris pandërprerë. Ata vazhdojnë të hudhin poshtë çdo marrëveshje paraprake politike me shqiptarët, qoftë ajo edhe Marrëveshja e Ohrit, duke tentuar në mënyrë shumë banale, do të kisha thënë, që të ngritin shtetin e tyre etnik. Enciklopedia, detyrimi i shqiptarëve që të mësojnë maqedonishten dhe shumë çështje të tjera, flasin se ata nuk e kanë ndërmend që të punojnë për ngritjen e shtetit multietnik.

BBC: Zoti Thaçi, jeni në skenën politike të kësaj Maqedonie, kam parasysh shkëputjen e saj nga ish-federata jugosllave, këto 20 vitet e fundit, dhe kam përshtypjen se problemet për të cilat sapo folët ju zvarriten gjatë gjithë këtyre viteve. Duke marrë parasysh se keni qenë ndër aktorët kryesorë në skenën politike, përse është kështu?

Menduh Thaçi: Është kështu për shkak se problem është koncepti i shtetit. Fillimisht, koncepti i shtetit është vendosur në mënyrë të gabuar dhe fatkeqësisht as shqiptarët nuk arritën ta ndërrojnë këtë koncept të shtetit. Maqedonia duhet të ndërrojë konceptin e shtetit. Duhet të jetë shtet i dy popujve. Pavarësisht zgjidhjeve juridiko-kushtetuese që do të jenë, duhet të jetë shtet i dy popujve dhe, besoni unë kam një bindje të plotë se ndërrimi i konceptit të shtetit do të lehtësojë edhe zgjidhjen e problemit në politikën e jashtme, në radhë të parë të problemit me Greqinë. Pra, duhet të ndërrojë koncepti i shtetit.

BBC: Mund të jetë ky vit një sfidë për partinë që ju drejtoni që të ktheheni në jetën parlamentare të Maqeodnisë?

Menduh Thaçi: Do të jetë vështirë. Me plotë përgjegjësi dhe seriozitet i pranoj të gjitha sugjerimet, edhe të bashkësisë ndërkombëtare, që të kthehemi në Parlament. Do të jetë vështirë të na bindin për shkak se derisa nuk ka gatishmëri që të shqyrtohen dhe dëgjohen me seriozitet vërejtjet tona. Ne e shohim të panevojshme që të kthehemi në parlament, tekefundit, kthimi është një çështje teknike. Ka tetë-nëntë muaj që në Maqedoni mungon edhe tryeza e dialogut mes forcave kryesore politike në këtë shtet. Unë vazhdimisht jap sinjale se po të arrijmë që ta riinstalojmë atë tavolinën e dialogut të vërtetë politik, rikthimi në parlament mund të bëhet çështje teknike. Prioritetet e asaj agjende që duhet ta kemi në tavolinën e dialogut politik janë proceset integruese dhe problemi me shqiptarët. Momentalisht nuk shoh ndonjë gatishmëri për këtë. Ma merr mendja se qeveria ka nisë të merret me taktika të ndryshme të zgjedhjeve të parakohshme apo të kohëshme. Do të jetë një vit elektoral dhe nuk kam ndonjë shpresë se qeveria do të ndryshojë kursin politik. Përkundrazi, mendoj se qeveria do ta përforcojë kursin politik nacionalist, të jashtëm dhe të brendshëm, po fatkeqësia e këtij nacionalizmi është se ai nuk godet NATO-n, Unionin Europian apo Greqinë, por çminin e vërtetë të kësaj politike nacionaliste vazhdojnë ta paguajnë shqiptarët e Maqedonisë.

Lini një Përgjigje