Ish-kryetari i LDK-së, njëherit edhe ish-president i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu ka folur për herë të parë rreth procesit zgjedhor në LDK. Ai gjatë një interviste për “Epokën e Re”, ka thënë se ka qenë i habitur që këshilltari i tij, Isa Mustafa, pak ditë para kuvendit zgjedhor të LDK-së, ka marrë vendim që të kandidoj për kryetar të LDK-së, raporton “Indeksonline”.
“Nuk e kam pasur ndjenjën se z.Mustafa do të ketë ambicie për kryetar të LDK-së. Isa ka qenë këshilltar i imi nga viti 2006, kur unë e kam marr detyrën e presidentit të vendit. Ka qenë një ndër këshilltarët e mi të parë për ekonomi. Natyrisht se asnjëherë nuk kam reflektuar me një qëndrim të drejtpërdrejtë se do të jetë kandidat për kryetar të LDK-së”, është shprehur ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Ai më tej shton se vetëm pak ditë para se të mbahej kuvendi zgjedhor i LDK-së, Mustafa e kishte njoftuar atë për kandidimin e tij, duke e arsyetuar këtë vendim se po e kërkonte elektorati.
“Por, pak ditë para se të mbahej kuvendi, më tha se do të kandidohet për kryetar të LDK-së, me arsyetimin se po e kërkon elektorati. Isa Mustafa i ka pasur qëndrimet e ndërlidhura me Bujar Bukoshin dhe Ukë Rugovën”, ka thënë Sejdiu.