EULEX-i formon njësi speciale policore për Veriun

4 Janar 2011, 14:28Rajoni TEMA

Zëdhënësi i EULEX-it, Hans Christian Classing deklaroi sot se ky mision i BE-ë do të formojë njësi speciale të ngarkuar për Veriun e Kosovës. Në një deklaratë dhënë agjencisë serbe Tanjug, ai tha se kjo njësi në fakt është formuar në nëntor të vitit 2010, por ende nuk është kryer i tërë rekrutimi i njerëzve që do të punojnë në të.
Shkas për formimin e njësisë së tillë ka qenë nevoja e luftimit të krimit të organizuar e të madh, veçmas në veri të Kosovës, ka thënë ai. Sipas zëdhënësit të EULEX-it, në punën e kësaj njësie, që do të numërojë afro 30 persona, pos policëve do të ketë edhe prokurorë e doganierë dhe se ideja është që në zgjidhjen e rasteve të rënda penale të punojnë profesionistët.
Ai ka shtuar se ky mision ka ekspertë të ushtruar për luftë kundër shpëlarjes së parave, kurse fokusi do të jetë në luftën kundër tregtisë me drogë dhe me njerëz dhe se kombinimi i prokurorëve dhe policëve në këtë njësi e bën atë një grup shumë operativ dhe efikas.
Për arsye të interesit të hetimit, ai nuk ka saktësuar se në cilat raste do të punojë kjo njësi, por ka thënë se po punohet në zgjidhjen e disa rasteve kriminale nga fushat e sipërpërmendura.
Classing ka sqaruar se njësia e posaçme policore e BE-së bashkëpunon me policinë lokale, kurse detyrat i merr nga prokuroria e EULEX-it.

“KOHA DITORE”

1 komente në “EULEX-i formon njësi speciale policore për Veriun”

  1. brace says:

    Euleksi pse ka shkuar ne kosove,kjo do te jete puna primare e tija te ndaloje kundrabandat,e te zbatoje ligjet, i ka te gjitha mundesite,per te vendose zbatimin e ligjeve te shtetit me te ri kosoves,i urojme suksese per vendimin qe ka marre edhe pse me shume vonese.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje