Në mbledhjen e parë të qeverisë së Kosovës për këtë vit, u mor vendimi për rritjen e pagave, ashtu siç kishte premtuar kryeministri në largim, Hashim Thaçi, duke siguruar qytetarët e Kosovës që në fund të këtij muaji do t’i marrin pagat me rritje.
Duke filluar nga 1 janari i këtij viti, paga e mësimdhënësve do të jetë 50 për qind më e madhe se që ka qenë deri më sot. Në të njëjtën kohë, edhe familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës do të përfitojnë nga kjo ngritje prej 50 për qind, Policia e Kosovës 40 për qind, shërbyesit civilë 30 për qind, zyrtarët doganorë 30 për qind, punëtorët shëndetësorë 30 për qind dhe zjarrfikësit 30 për qind.
Ndërkaq, edhe minatorët do të kanë ngritje pagash bazuar në një memorandum të nënshkruar para fushatës së 12 dhjetorit mes tyre dhe kryeministrit në largim, Hashim Thaçi.
Po ashtu, në mbledhjen e parë të qeverisë për këtë vit, Thaçi ka premtuar rritje pagash edhe për sektorin e drejtësisë. Me këtë rast, kryeministri tha se “kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës do ta ketë pagën e njëjtë me kryeministrin e Kosovës”, ndërkohë gjykatësit e kësaj gjykate do të kenë pagë të nivelit të njëjtë me ministrat.
Thaçi theksoi se dikush ka menduar se premtimi i tij është thjeshtë çështje fushate, por vendimi i sotëm, sipas tij, e dëshmon se “Qeveria e Kosovës është e përkushtuar seriozisht për mirëqenien e qytetarëve të vendit”.
“Qeveria e udhëhequr nga unë po bën një punë e cila deri më 2007 nuk është vërejtur fare”, ka theksuar Thaçi gjatë mbledhjes së parë të Qeverisë për këtë vit.
Në këtë mbledhje, kryeministri Thaçi nuk la pa përmendur sërish se angazhimi kryesor i Qeverisë së Kosovës do integrimi i Kosovës në strukturat euro-atlantike.
Comments are closed.
Arsimtarët janë thelbi i zhvillimit të një kombi në të gjitha fushat. Pa arsim nuk është i mundur asnjë përparim tjetër. Edukuesit duhet të paguhen më së shumti.
Punëtorët e shëndetësisë, policia dhe zjarrfikësit i mbrojnë njerëzit dhe ju shpëtojnë atyre jetën në rast të rrezikut. Kjo punë duhet të respektohet dhe të paguhet mirë.
Punëtorët e doganës e mbrojnë shtetin nga kriminelët e jashtëm, nga mallrat e rrezikshme për shëndetësinë, ekonominë dhe mirëqenien e kombit në përgjithësi. E meritojnë rrogën e madhe.
Këto grupe e caktojnë ardhmërinë e një kombi për qindra vite që vijnë…