Turqia po “pushton” Ballkanin me anë të Sheherzades

9 Janar 2011, 11:21Rajoni TEMA

Seritë televizive turke kanë pushtuar Maqedoninë dhe në përgjithësi Ballkanin, duke ndryshuar imazhin negativ turk në mesin e kombeve ballkanike nga koha e periudhës osmane, shkruan e përditshmja austriake “Der Standard”.

Industria turke e filmit është duke i mbushur xhepat me para nga shfaqja e serive si në Greqi, apo Bullgari, ku Turqisë i duhet përmirësimi i imazhit. Gazeta vjeneze thekson në artikullin “Televizioni osman po punon si sahat” se edhe diplomacia turke po i vjel frytet nga transmetimi i serialeve, transmeton INA.

“Prej Durankulakut në Detin e Zi të Bullgarisë deri në Patras të Greqisë dhe Prishtinë të Kosovës”, shtëpiaket po i bëjnë sytë katër para televizionit kur fillon “Sheherzadja”.

Psikologët grekë kanë thënë se seritë turke janë duke u bazuar mbi ngjarjet e përditshme, si aferat e dashurisë ndërmjet të rinjve, lidhjet e fshehta me shefin ose çështjet familjare.

Seritë janë të ngjashme me politikën e re turke të “zero problemeve me fqinjët, që po mëshon fort ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu. Kjo politikë prej shumë analistëve po vlerësohet si një “neo-osmanizëm”.

Madje edhe bullgarët e maqedonasit të joshur nga seritë po vizitojnë Turqinë.

“Feja, belatë e moçme ndërmjet jetës myslimane dhe krishtere janë jo relevante. Na ka rënë në sy se kultura e tyre nuk dallon shumë e jona. Kjo mund të shpjegojë suksesin”, ka shkruar në artikullin e saj Maia, studente bullgare që studion gjuhën turke. Ajo ka thënë se seriali jep mesazhin se vlerat familjare duhet të ruhen.

Lini një Përgjigje