Feith: Manipulimet s’tolerohen, Dell: Më mirë se më 12 dhjetor

9 Janar 2011, 16:41Rajoni TEMA

Përfaqësuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith ka vizituar të dielën qendrën e votimit në shkollën fillore “Rasim Kiqina” në Drenas, me ç’rast ka dhënë porosinë se procesi zgjedhor duhet të përmbyllet mirë, sepse kësaj radhe nuk do të tolerohen mashtrimet dhe parregullsitë. Gjatë vizitave që i ka bërë bëra në disa qendra të votimit, Feith nuk ka parë ndonjë parregullsi. Ai nuk është ngutur të japë vlerësimet e tij për gjithë procesin para se të përmbyllen votimet. “Unë e vizitova këtë qendër të votimit dhe kam bërë vizita edhe në komuna tjera. Gjërat po shkojnë mjaft mirë, atmosfera është pozitive dhe punët po shkojnë në rregull. Megjithatë, dita është shumë e gjatë, kështu që ne do të përmbahemi nga gjykimet sa i përket cilësisë së votimeve deri në rezultatet e fundit që do t’i marrim. Unë jam siguruar që të ketë numër të mjaftueshëm të vëzhguesve dhe medieve, në mënyrë që mos të ketë parregullsi në këto komuna”, ka thënë Feith.
Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Cristofer Dell ka thënë se procesi po shkon më mirë se sa më 12 dhjetor. “Aq sa kam pasur mundësi të shoh, procesi deri më tani ka kaluar shumë në rregull. Këtë herë organizimi është bërë më mirë dhe vërehet kontrolli më i madh nëpër qendrat e votimit. Padyshim se edhe krahasuar me herën e kaluar, rivotimi është më i rregullt”, ka thënë Dell.

Lini një Përgjigje