Si e arriti Skenderaj 61.60 përqindshin?

9 Janar 2011, 20:24Rajoni TEMA

Dalja jo e kënaqshme e votuesve në zgjedhje deri në orën 16 (sipas KKZ-së ishte vetëm diç mbi 40 për qind), ka bërë që disa vetura të qarkullojnë nëpër qytetin e Skenderajt, duke i ftuar votuesit që të shfrytëzojnë momentet e fundit për të votuar.
Mbase kjo ka shtyrë edhe daullexhinjtë që të kthehen në sheshin “Adem Jashari” për të bërë atmosferë, ashtu siç ishte vepruar në disa raste gjatë ditës, kur me daulle dhe flamuj kombëtarë e shtetërorë lagje dhe fshatra të tëra në mënyrë të organizuar kishin kryer të drejtën për votim.
Këta dhe faktorë tjerë kanë ndikuar që në fund të procesit të votimit, sipas burimeve të Kohës Ditore brenda KKZ-së, shifrat të arrijnë në 61.60 për qind. Kjo ka bërë që qytetarë të shumtë të vërshojnë qytetin për të kremtuar në mënyra të ndryshme. Por, qyteti i Skenderajt në orët e mbrëmjes është vërshuar edhe nga automjete të ndërkombëtarëve, si të EU-së ashtu edhe të përfaqësuesve diplomatikë. Në këtë komunë është vërejtur prania e Feithit, Dellit, Gifonit, etj.
Në KKZ nuk kanë raportuar për parregullsi të mëdha, siç kanë pohuar “Vetëvendosja” dhe “Demokracia në Veprim”, por detajet nuk i kanë treguar me arsyetimin se për gjithçka duhet t’i raportojnë vetëm KQZ-së.
Mirëpo, jo zyrtarisht, burime brenda KKZ-së i kanë treguar gazetës se kanë hasur në
parregullsi të shumta, deri te ato që në një rast kanë vërejtur edhe lista me numra për të cilët duhet të votohet, një prej të cilëve e posedon gazeta, në të cilin ishin shënuar numrat 1, 38, 53, 59 dhe ?7 (numrit të fundit i ishte dëmtuar shifra).
Burime të gazetës kanë treguar për numër të madh të votimeve me kusht, posaçërisht nga grupi i militantëve, të cilët kanë shkuar nga vendvotimi në vendvotim gjatë tërë ditës.
Problem tjetër në orët e mbrëmjes ka qenë edhe ndërprerja e rrymës në disa lokalitete.

“KOHA DITORE”

2 komente në “Si e arriti Skenderaj 61.60 përqindshin?”

  1. Frederik says:

    Votimi i manipuluar eshte problem i ndergjegjes kombetare apo i drejtuesve te partive kryesore per karrigen e pushtetit ?
    Besoj se reagimi ndaj njerezve te tille manipulatore duhet te jete masiv dhe denues. Ata njollosin vlerat tona kombetare.

  2. kris says:

    Eshte mafia shteterore shqiptare me berishen ne krye qe kane paguar para te madhe qe te marrin mesime si te vjedhin votat dhe shqiperine

Comments are closed.

Lini një Përgjigje