Blerim Çela: Berisha po pastron PD-në nga të djathtët

11 Janar 2011, 21:19Politika TEMA

Intervistoi: Blerina Gjoka

Blerim Çela “u përjashtua” nga Këshilli Kombëtar i PD-së pas 20 vitesh militimi në këtë parti. U përjashtua me votë, siç ndodh rëndom në zgjedhjet që bëhen në partitë shqiptare, por me një votë që, ashtu siç akuzon dhe Çela, ndikohet nga porositë e dhëna nga lart.

Që nga dhjetori i vitit 2009, kur për herë të parë nuk ishte në listën e të zgjedhurve në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, ish-deputeti dhe ish-funksionari i kësaj partie, Blerim Çela, po shkruan një libër mbi historikun e partisë, drejtimit të saj nga Sali Berisha.

Një libër shihet dhe si një libër mbi marrëdhënien mes tij dhe kryetarit të PD-së Sali Berisha. Ky libër pritet të botohet së shpejti, ndërkohë që Çela në një intervistë dhënë për gazetën “Tema” tregon momentet kur ndjeu se duhej të shkruante këtë libër dhe të akuzonte publikisht kryeministrin Berisha si tradhtar të demokratëve. Ka një moment personal, pasi prej një viti e gjysmë Berisha nuk denjon as t’i hapë telefonin Çelës, duke mos i dhënë këtij të fundit as mundësinë e një komunikimi e ballafaqimi për ftohjen mes tyre. Por sipas ish-deputetit ka një moment parimor, pasi prej disa kohësh në PD gjërat nuk ecin ashtu si duhet. Ai akuzon Berishën për manipulim të zgjedhjeve në forume, për shmangie të mendimit ndryshe, për bllokim të forumeve, etj.

Zoti Çela, ju dilni publikisht me një akuzë të fortë ndaj kryeministrit dhe kryetarit të PD-së, Sali Berisha, që sipas jush pas ardhjes në pushtet ka tradhtuar demokratët. Kur e ndjetë që Berisha po ju tradhtonte?

Kohë pas kohe, por kur e beson shumë fort një njeri e ke të vështirë për ta besuar. Por janë disa momente, si për shembull mosabrogimi i ligjit 7501, por vetëm retushimi i rij, mospërkrahja e duhur e ish- të përndjekurve për dëmshpërblim. Gjithashtu unë kam vënë në dukje se administrata e viteve ‘92- ‘97 ishte e mbushur me komunistë, por ndërkaq kjo politikë u thellua pas 2005-ës. Afrimi i mocionistëve të ‘92-it që tregonte që ishte në sinkron të plotë me ta. Më tej ka të bëjë dhe afrimi i mocionistëve. Mocionistët si themelues të PD-së bashkë me Berishën vinin nga familje të njohura komuniste me mendësi të majta të reformuara, që donin integrimin e Shqipërisë në NATO dhe instalimin e ekonomisë së tregut. Këto kërkonin një parti me program të djathtë, por me udhëheqje të majtë. Lufta mes tyre dhe Berishës ishte lufta për dominimin e partisë, mocionistët ishin kundër përfshirjes në PD të partive tradicionale të djathta, si Balli Kombëtar dhe Legaliteti, në një kohë që lëvizja demokratike mbështetej nga e djathta. Berisha e kuptoi këtë tendencë dhe u mbështet tek e djathta, ndërsa mocionistët nuk e kuptuan tendencën e djathtë, ndaj u goditën nga Berisha. Kështu Berisha konsolidoi pushtetin e tij nëpërmjet së djathtës. Pasi e pa veten të patundshëm, në 2005-ën ai i afroi ata sepse ishin e njëjta gjë, duke na larguar ne të djathtët me vota të manipuluara. Në këtë mënyrë Berisha po pastron partinë nga të djathtët e vërtetë. Unë dhe pjesa tjetër ishim bërë shumë kritik ndaj tij sepse e majta po dominonte në udhëheqjen e PD-së dhe centralizimi i saj ishte bërë i padurueshëm. Ai e ndjeu këtë dhe na hoqi.

Çfarë përmban libri juaj? Flet vetëm për marrëdhënien tuaj me Berishën apo për atë çfarë nga ndodhur në PD?

Shqetësimi im nuk është vetëm personal, por i një mase më të gjerë demokratësh për eliminimin e demokracisë së brendshme në PD, shkeljen sistematike të statutit, anashkalimin e forumeve e strukturave të partisë, grumbullimin e të gjitha pushteteve tek Berisha, i cili nuk merr vendime kolegjiale, dhe sidomos manipulimi i votës me anë të së cilës ka larguar nga PD-ja kongres pas kongresi e pjesë-pjesë kritikuesit e tij me epitete të pavërteta sikur të ishin agjentë të ish-sigurimit, të PS-së ose në heshtje pa asnjë shpjegim sikur këta njerëz të mos kishin punuar e kontribuar për PD-në që nga themelimi i saj e më vonë. Manipulimi ka qenë lista e Këshillit Kombëtar që dilte nga kongresi dhe figura shumë të njohura shihnin veten e tyre jashtë tij. Prej shumë kohësh miqtë e mi demokratë ish- deputetë, anëtarë të forumeve drejtuese të PD-së në bazë (degë) e në qendër më ankoheshin duke më thënë se votimet manipuloheshin nga njerëz të besuar të Berishës në një komision të zgjedhur prej Berishës e të mbikëqyrur prej njerëzve të tij, të cilët përcaktonin me urdhër të Berishës se kush do të fitonte e kush jo. Nuk i kam besuar e i kam kundërshtuar duke u thënë që këto janë hamendësime derisa e provova në kurrizin tim në kongresin e 15 dhjetorit 2009, kur së bashku me shumë figura të spikatura të PD-së si Uran Butka, Rexhep Uka, Omer Stringa, Agron Musaraj, Mujo Buçpapa, Flutura Hasko, Aleksandër Biberaj, Natasha Shehu, Margarita Qirko, Antoneta Malaj, Bardhyl Londo, Ëngjëll Cara, Genc Juka, Sali Shehu, Pal Dajçi, Hasan Halili, Nermin Basha, etj, e pamë veten jashtë listave.

Por ky ndryshim i Këshillit Kombëtar nga ana zyrtare u trumbetua si një rinovim i partisë…

Nga forumet drejtuese nuk largohesh me lista të parapërgatitura, por me votim, se ndryshe votimi s’ka asnjë rëndësi. Në fakt votimi është kthyer në një fasadë demokratike sepse nuk ka përfaqësuar asnjëherë vullnetin e delegatëve, vota e të cilëve është manipuluar, jo vetëm në numërim, por është e imponuar me lista, të cilat u shpërndaheshin delegatëve të kongresit nga klani më i afërt i Berishës, ku caktoheshin se cili kandidat duhet votuar e cili jo. Berisha i ka miratuar të gjitha këto veprime që kanë prekur e shtrembëruar vazhdimisht votën e lirë duke e kthyer atë në votë të pandershme.

Që PD-ja duhet të fusë të rinj kjo është më se normale, por ata duhet të spikasin me punën e tyre në seksione, degë si dhe në shtyp e jo merr nga rruga e bëj anëtarë të Këshillit Kombëtar, merr rekomandime miqësore për persona të panjohur e bëj deputetë pa pyetur këshillin kombëtar, i cili në zgjedhjet e 28 qershorit nuk u pyet fare. A nuk kemi të drejtë të shqetësohemi që Berisha vendos pa pyetur asnjë forum? A mundet që djem e vajza të reja, ndoshta dhe me vlera, por fare të panjohur në PD të fitonin para nesh që takoheshim e përshëndeteshim me delegatët me respekt? Kush e pranon dhe e beson këtë lloj votimi?

Përse nuk e shkruat më parë këtë libër, por pritet aq gjatë?

Sepse unë kam qenë i fundit nga garda e dhjetorit 1990 që më larguan “me votë: të lirë e të ndershme” nga Këshilli Kombëtar dhe kam parë shumë. E ndjeva për detyrë që me këtë libër, duke qenë për 19 vjet në forumet e saj drejtuese, të shkruaj një historik të PD-së me kontributet e saj të padiskutueshme në përmbushjen e komunizmit, formimin e shtetit të së drejtës, instalimin e ekonomisë së tregut, hapjen me botën, anëtarësimin në NATO, heqjen e vizave, rritjen e rrogave e pensioneve, investimet e fuqishme infrastrukturore etj. Kontributet e Sali Berishës në udhëheqjen e anëtarësisë së PD-së për konsolidimin e një shteti demokratik janë të pasqyruara në këtë libër realisht. Reprezaljet, burgosjet, arrestimet, vrasjet e militantëve të PD-së nga 1997-a e 2005-a, kriminaliteti, korrupsioni e dhunimi i votës së lirë nga socialistët në votimet lokale e parlamentare gjatë kësaj periudhe përbëjnë fakte të vërteta që janë dhënë në libër. Krahas tyre vështrimi im në këtë histori është kritik ndaj veprimeve antidemokratike të përjashtimit të mocionistëve të PD-së në 1992 vetëm pse kërkonin më shumë demokraci në parti, largimi i kryetarit Selami nga kryesimi i PD-së padrejtësisht, mosmarrja në konsideratë së promemories së 14 anëtarëve të kryesisë, Këshilli Kombëtar e deputetë të PD-së në 1997 që donin reformimin e partisë, jepen në libër siç kanë ndodhur dhe me analiza ku kritikat më të ashpra ia drejtoj vetes që kam mbështetur më shumë se kushdo Berishën në iniciativat e tij të shuarjes së diversitetit të mendimit , etj.

Historia e PD-së e shkruar dhe analizuar prej meje tregon punët e mira të PD-së dhe mënyrat e monopolizimit të saj në një parti të njëshit nga Berisha, i cili nga një figurë karizmatike demokrate u kthye në një despot e autokrat që nuk pyet për asnjë forum të PD-së. Unë jam demokrat dhe e dua PD-në, por jo kështu si e katandisi Berisha. E dua PD-në të lirë, të bashkuar, të fortë, të dashur nga populli, me statut e forume që funksionojnë normalisht, që njerëzit të mos kenë frikë të kritikojnë, që vota të mos manipulohet, që demokratët të punësohen dhe të trajtohen me dashamirësi e jo të mos përfillen. Që karriera në shtet e në parti të varet nga shkalla e arsimimit e kontributeve në PD e jo nga lidhjet e pandershme me njerëzit pranë Berishës e sidomos nga antipatia apo dashamirësia e tij. Këto i ka vuajtur ky popull gjatë 45 viteve të regjimit komunist e nuk meriton t’i vuajë përsëri. Këto trajton libri im. Ai ka brenda shpirtin dhe shqetësimin e demokratëve, që i është dhunuar e dhunohet nga Sali Berisha e klani i tij.

Lini një Përgjigje