Rexhepi: EULEX-i të tërhiqet nga veriu

20 Janar 2011, 10:01Rajoni TEMA

Pasi që EULEX-i ka shpallur veriun e Kosovës si zonë të rrezikshme, për shkak të ndryshimit të situatës së sigurisë, ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, ka kërkuar publikisht nga ky mision që të tërhiqet nga veriu, shkruan sot “Koha Ditore”.
EULEX-i ka shpallur zonë rreziku veriun e Kosovës me anë të një vendimi që u është dërguar pjesëtarëve të këtij misioni, ku u kërkohet që të kenë kujdes në komunat veriore të Kosovës.
EULEX-i ka arsyetuar marrjen e këtij vendimi, për shkak të ndryshimit të situatës së sigurisë në atë pjesë, por kjo nuk i ka pëlqyer aspak ministrit Rexhepi, i cili ka kërkuar nga EULEX-i që të tërhiqet nga veriu nëse nuk është në gjendje të veprojë.
“Gjendja në Mitrovicë ende nuk ka ndryshuar dhe në qoftë se EULEX-i nuk është në gjendje të veprojë atje, le të tërhiqet dhe për sigurinë do të kujdeset KFOR-i dhe Policia e Kosovës”, i ka thënë Rexhepi gazetës.
Por zëdhënësja e misionit evropian për sundim të ligjit, Kristina Herodes, ka deklaruar se ky vendim është marrë pas vlerësimit të fundit të situatës së sigurisë në atë pjesë. “Të gjitha misionet ndërkombëtare kanë rregulla të sigurisë, të cilat vazhdimisht rishikohen në bazë të ndryshimit të situatës së sigurisë dhe u komunikohen të gjithë anëtarëve të misionit si çështje rutinë”, ka deklaruar Herodes.

“KD”

Lini një Përgjigje