Fjala e mbajtur pas lajmit për vdekjen e tre demonstruesve
Humbën jetën tre persona të pafajshëm për shkak të një pushteti të kalbur e të verbuar për të qëndruar në këmbë.
Shqipëria mbarë po e sheh sjelljen barbare të forcave policore, që pas përpjekjeve tona për të qetësuar këdo, u lëshuan mbi ata që qetësisht po largoheshin e mbi qytetarë të pafajshëm e duke mësyrë deri në mjedise private, përballë godinës së atij që quhet kryeministër i Shqipërisë, por që fatkeqësisht është përfaqësuesi i një koalicioni turpi, që sot ka lyer duart me gjak shqiptarësh të pafajshëm. Nuk dua që me tonet e kësaj revolte të brendshme e legjitime, qytetare e njerëzore, të nxis askënd në një drejtim ku Shqipëria nuk duhet të hyjë. Por nga ana tjetër, dua tu them të gjithë shqiptarëve se sot, tani, në çdo minutë, ajo që po shfaqet katërcipërisht të mbarë opinionit publik e mbarë botës, është natyra e vërtetë e këtij pushteti që duhet të largohet. Keqpërdorimi deri në ekstrem i forcës policore ndaj atyre burrave e djemve, që për një rrogë mizerabël sakrifikojnë në krye të detyrës, është një keqpërdorim i pafalshëm. Mënyra se si u provokuar një demonstratë paqësore dhe si u goditën demonstrues që kishin vetëm pankarta në dorë, është mënyra me të cilën Saliu dhe regjimi i kusarisë të na tregojë as më shumë e as më pak drejtësinë e rrugës tonë, e betejës sonë, drejtësinë e gjithë kësaj rruge që sot kulmoi me një demonstratë të kthyer në tragjedi nga një pushtet i rrëzuar moralisht e i kalbur deri në palcë. Kjo tregoi detyrimin tonë për ta vazhduar përpjekjen në kërkim të një zgjidhje të re për Shqipërinë e shqiptarët, në mënyrë që çdo qytetar i këtij vendi, të ketë lirinë e të drejtën që të jetojë në këtë vend si i barabartë përpara ligjit e jo të sundohet nga këta njerëz që sot kanë tejkaluar të gjithë kufijtë e ligjit duke shkaktuar edhe humbje jetësh të pafajshme, të cilat u shuan në një përpjekje mëse normale të një populli të tërë që kërkon demokraci, që kërkon të jetojë këtu si në të gjithë Europën.
Apeli im është që të gjitha organet e drejtësisë të vihen në lëvizje për të bërë ekspertizat profesionale për ato krime të ndodhura sot, që janë krime mirëfilli shtetërore, që nuk mund të mbulohen as të treten si ujë.
Është koha për zgjidhje, është koha për të qetësuar popullin shqiptar, është koha për të qetësuar çdo njeri që jeton në këtë vend, të gjithë ata që jetojnë jashtë këtij vendi, duke rikthyer politikën si mjet për zgjidhjen e problemeve, e duke rikthyer lirinë e drejtësinë kushtetuese.
Duke u shprehur ngushëllimet e mia familjeve që sot humbën të dashurit e tyre, të nisur në një demonstratë për liri e të drejta, që në Shqipërinë e sotme duhej të ishin si ajri që thithim, ju siguroj të gjithë se ne do vazhdojmë përpjekjen tonë, akoma më të vendosur dhe akoma më të bindur.
Comments are closed.
Shyqyr qe u bone burre
U prehshin ne paqe njerzit qe humben jeten shpresoj qe te mbyllet me kaq
Ne radhe te pare ngushelloj tre familjet e deshmorve te rene per liri.Respekt per trimat dhe denim te rende per kriminelet.Populli neser duhet ti jape pergjigjen e duhur kesaj bande qe jo vetem na vjedh por na vret sa here asaj i duhet te lere pushtetin.Ky eshte Sali Berisha kriminel ,kriminel,kriminel.