Mbrëmja e së mërkurës më gjeti në ambientet e një pub-i në zonën e ish-bllokut. Si për çdo vizitë që bën në Tiranë që pas largimit të tij në Amerikë, edhe kjo ardhje e Elton Dedës përbënte një event për jetën e vdekur kulturore të Tiranës, që admiruesit e tij e prisnin prej ditësh.
Dy orë mes këngësh të vjetra e të reja, kaluan magjishëm për disa qindra admirues të mbledhur në atë vend të vogel në Bllok. Por me siguri, s’do kisha marrë mundimin të shkruaja këto rreshta, aq më teper sot, nëse do të kisha për qëllim të vija në dukje meritat e padiskutueshme të artistit Elton Deda. Ishte një këngë e tij, aty nga fundi i mbrëmjes, që më pështjelloi mendimet e më shtyu të bëj këtë shkrim.
‘Neeee’-ja e zgjatur dhe e përsëritur e refrenit të këngës ‘Jemi emri i vetë jetës’, më bëri të më kalojë para syve pjesa më e madhe e jetës sime. M’u kujtuan ditët kur kënga u këndua për herë të parë në festivalin e dhjetorit të një viti kur unë s’kisha mbushur akoma 7 vjeç. M’u kujtua tek kërceja nga njëri divan tek tjetri, duke bërtitur refrenin e kengës. M’u kujtua se si debatoja me prindërit e mi në lidhje me saktësinë e tekstit të kengës. Nuk e kuptoja pse aty thuhej ‘drejt Europës do ta çojmë’… Nuk e kuptoja, sepse atlasi gjeografik pas të cilit isha shumë i apasionuar asokohe, e poziciononte Shqipërinë bindshëm mu në qendër të kontinentit. M’u kujtua se si me shumë mund e durim, im atë e ime më më tregonin që ‘Europa’ në këngë i referohej një bashkimi politik e social, ku… ku vendi im s’do bënte pjesë edhe për 20 vitet që do të pasonin.
Kënga e Eltonit premtonte në ato ditë të bukura ndryshimi, në emer të ne-së së një brezi të paduruar për të shpërthyer, se Shqipërinë e prisnin ditë të mira, se e keqja kish kaluar, se tirani ishte mposhtur e se të mirët do të sillnin begati në ketë vend të vuajtur mes shekujsh.
Ku ta dinte artisti i ri i 1990-s, që 14 vjet më pas do i duhej ta linte këtë vend, për një jetë më të mirë diku larg, se përfaqësuesit e atij brezi kishin dështuar për të sjellë ndryshimin? Ku ta dinte ai, e çdo njeri që besonte te ato që ai këndonte, që pas 20 vjetësh, refreni i ditës do të ishin po të njëjtat çjerrje antikomuniste të komunistit që prej 20 vjetesh leviz fijet e politikës shqiptare? Ku ta dinte ai, që përfaqësues të atij brezi nga i cili pritej ndryshimi, sot do ishin të akuzuar për vjedhje të frikshme, për vrasje masive, a të kapur mat me blloqe të zeza në dorë, ku shënoheshin shifrat e zhvatjes së madhe që i bëhet në mes të ditës me diell këtij vendi?
E ndërkohe që Eltoni në mikrofon këndonte “I themi një fjalë dashurie ne jetës sonë”, mua më erdhën në mend fjalët e dashurisë që kryeministri lëshonte nga karrigia e tij në seancën e fundit të Kuvendit dhe klithmat orgazmatike të kryetares që qëndronte tre metra sipër tij. Ashtu i revoltuar, si çdo qytetar(!) i këtij vendi, ndërsa kënga arriti te refreni i fundit, ndjeva të më shndërrohet i gjithe mllefi në një frymëzim të çuditshëm. Po, brezi i Eltonit dështoi të sillte ndryshimin, madje, më keq akoma, gjeneroi ca tiranë më të këqinj se ai që me mund shporrëm në dhjetorin e 1990-ës, por brezi ynë ka akoma mundësinë të ndryshojë diçka. Mjaft duruam të na hedhin hi syve, të na bëjnë të zezën për të bardhë e të na shesin duart e zhulosura për duar të pastra.
Sot, dhe me sot i referohem pikërisht kësaj date, 21 janarit 2011, ne kemi mundësi të bëjme një ndryshim të ri.
Unë nuk jam një mbështetës i Edi Rames. Sinqerisht nuk jam as i bindur nëse ai është apo jo më i mirë e më i ndershëm se plaku i rrjedhur që na qeveris. Këtë nuk e di… di ama që qeverisem nga blloqe të zinj ku shënohen interesat e xhepit të kupolës në pushtet. E di mirë këtë, e kam parë me sytë e mi, pavarësisht se dikush mundohet të më bindë që është montazh. Di që një ditë të bukur marsi të para 3 viteve, vdiqën 26 njerëz në mes të ditës, në mes të Shqipërise e ende s’është dënuar njeri. Di që kryeqendra e veriut të Shqiperisë, u permbyt 5 herë në një vit, e për këte fajësuam natyrën. Di që në Shqipëri po behet çdo ditë e më e pamundur të jetohet, por unë s’kam ndërmend ta lë vendim tim. Di qe sot kemi në dorë të ndryshojmë njëherë e mirë këtë vend. Të shporrim atë që është, e njëheresh t’i bëjme të qartë atij që do vijë, që nëse sillet njësoj, do këtë të njëjtin fund.
Nuk po bëj thirrje për dhunë, për thyerje xhamash e vënie zjarresh. Jo jo, ai që drejton arkivolë nga dera e kryeministrisë nuk është modeli im i të protestuarit. Sot, e rëndësishme është të dalim të gjithë aty, t’i zëmë derën, të mos e lëme të lëvizë, t’i bëjmë të kuptojë që varet nga ne. Nesër, do jete aq i tmerruar, sa do ikë vetë.
Shënim: Nuk po e vë emrin në fund të këtij artikulli. Nuk kam frikë për veten time, jam gati t’i dal plakut të rrjedhur përpara e t’ia them të gjitha në sy. Por kam prindër e të afërm që jetojnë me paratë që marrin nga puna në shtet. E njeriu që kur s’i bie dot gomarit i bie samarit, ka vërtetuar që kur s’merret dot me ty, të sulmon gjyshërit, etërit, dashnoret a kushërinjtë e parë, të dytë e të tretë. E për t’i kursyer atyre pasojat e revoltës sime, tani po rri i fshehur. Sot në orën 2 p.m. do të dal aty para, e nëse vini te gjithë ju që e mendoni si unë, nesër s’do kemi më arsye t’i fshihemi kujt.