Është momenti që dua të bashkoj zërin tim me atë të të tjerëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”! Kam nevojë të them dhe unë fjalën time drejt disa dritareve në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”, por si për njërën ashtu edhe për tjetrën gjendem shumë larg që aty! Natyrisht si shqiptar, dhe jo komunist! Këtë, kur të drejtohemi ty, duhet ta nënvizojmë sepse bota jote e vogël, identifikohet vetëm në dy ngjyra, në BLU dhe në të Kuqe!
Sa më shumë që largohesh nga Tirana, e kam fjalën për ne që lindëm dhe u rritëm në Tiranë, aq më shumë shtrëngojmë në gji dhe mbajmë thellë në shpirt disa gjëra që për ty janë shumë të vogla përballë një karrigeje nga e cila e sheh atdheun tënd si një çiflig! Ne, mbajmë si tërë shqiptarët jashtë vendit, një flamur në dhomë, bluzën e kombëtares në trup, pak dhé nga i vendlindjes ndër xhepa (këtë të fundit në lidhje me xhepat nuk besoj se kasta jote e korruptuar e njeh) dhe disa pamje të atdheut në memorje nga të cilat, vizioni më i fuqishëm mbetet ai i ëndrave tona, i dashurive të para dhe cicërimave të para rinore, ai i kafeve dhe cigareve të para fshehurazi, ai vënd që na bënte të ndiheshim të rritur, vëndi i lumturisë, së xhiros tonë të lumtur. Bulevardi “Dëshmorët e kombit”, i cili, pikërisht prej xhiros tashmë tradicionale quhet ndryshe edhe Shëtitorja “Dëshmorët e Kombit”, i cili që dje quhet në ndërgjegjen (e çdo njeriu të ndërgjegjshëm) vetëm Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”!
Kur flasim për Tiranën, nuk e di a e ke patur parasysh dikur kur ëndërroje për të shumë larg prej saj, që gjithnjë në këtë qytet erdhi dhe qeverisi kush deshi dhe nuk më kujtohet ndonjë vendas! Po t’i them me radhë, Ahmet Zogu, pushtuesit italianë të cilët, për një qeveri tradhëtare dhe interesin e tyre, ndërtuan godinën brenda të cilës ti qeveris, pushtuesit gjermanë, Enver Hoxha, Ramiz Alia, ti dikur, Fatos Nano… Dhe nuk e di a të kujtohet se që të tërë këta emra, përfshirë edhe emrin tënd, janë larguar me turp nga historia e këtij kombi. Komb, i cili nuk përkufizohet brenda Shqipërisë por zemra e të cilit rreh aty, në atë Bulevard të vjetër dhe emër aq të lavdishëm!
Sigurisht që për ty apo për ata që kanë interesin të të përkrahin, unë jam një i paguar i Edi Ramës, por meqë jam më i sinqertë se ty dhe nuk flas “badjava” si ty, po të them që mbi këtë kokë kanë qëlluar shkopinj gome të diktaturës kur përmbysnim bustin e Enver Hoxhës dhe mbi këtë kokë kanë kaluar plumba tek Shkolla e Bashkuar! E mban mend? Ishte koha kur si popull përpiqeshim të shembnim diktaturën dhe ëndërronim demokracinë!
Jo! Nuk jam komunist dhe dikur, kur ti ishe, unë pata refuzuar të bëhem!
Unë jam populli që nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” po të kërkoj të zhdukesh që aty, sepse më ke gënjyer kur flisje kundër Fatos Nanos dhe komunistëve pranë tij sepse sot me ta je bërë bythë e brekë, sepse dikur si idiot politik, njohe shtetin e Maqedonisë dhe për këtë më përzunë me fshesë nga Greqia dhe më mbajtën lekët në bankë, pa patur të drejtë ti marr, kurse ti…hiç! Dua të zhdukesh që aty, sepse kur përdhunonin kombin tonë serbët ti e dije fare mirë që në kufij me ta bëhej tregëti vajguri etj, sepse kur më vodhën djersën në 1997, ti veshe me uniforma vëllezërit e mi nga Veriu duke u premtuar në fukarallëkun e tyre një rrogë të mirë dhe me rroba të ndërhyrjes së shpejtë, i dërgove në Vlorë, Përmet etj dhe më ngrite aeroplanët që të më mitralonin, gjë të cilën vetëm ti ke arritur ta bësh në botën e quajtur demokratike. Mjafton vetëm kjo e fundit që të të quaj vrasës dhe diktator! Ashtu siç të quajnë pilotët e aeroplanëve MIG që kërkuan strehim politik në Itali për të mos qëlluar ndaj popullit!
Dua të më zhdukesh që aty, sepse edhe kur dikur ky popull të fali dhe harroi, ti i vodhe votat dhe nuk e pranon, përkundrazi, i paraqet si suksese vizat tremujore, duke harruar që kemi mbetur të fundit në Europë dhe do na fusin në të sepse nga halli do t’u duhet të plotësojmë numrin, por jo sepse e meritojmë! Sepse korrupsioni ka vajtur ku nuk mban më, sepse në një shtet ku ministri i mbrojtjes lëshon deklarata që kanë lidhje me një demonstratë nuk ka demokraci, sepse kur vret njerëz të paarmatosur si dje dhe gënjen duke detyruar dhe mjekët ligjorë të gënjejnë, për mua ti je vrasësi dhe unë dua DEMOKRACI!
Për të tëra këto – Qërohu që andej sa është momenti, sepse do apo nuk do një ditë do të largohesh!
Ata që dje u vranë aty, nuk ishin të paguar nga Partia Socialiste! Ishin bij nënash, Shqiptarë, vëllezërit e mi që patën ardhur për një demonstratë kombëtare – po e përsëris – KOMBËTARE, si shtetas të vuajtur, të gënjyer, të vjedhur haptaz nga njerëzit e tu, nga vetë nënkryeministri (nuk është njeriu i yt ai?), shtetas të trajtuar keq nëpër pika kalimi kufitare, refugjatë – të huaj në atdheun e tyre që shihen vetëm si lekë nga policë trafiku, të rënduar nga taksat, të mbytur dimrit, me vëllezër e motra të humbur në tragjedi si ajo e Gërdecit!
Ishin vëllezërit e mi që u vranë të paarmatosur duke manifestuar për të drejtën e përbashkët, duke manifestuar sepse u ka vajtur thika në kockë! Ishin vëllezërit e mi që u vranë aq paburrërisht, pabesisht pa patur qoftë edhe një shkop në dorë prej teje të vraftë Zoti… dhe ti më gënjen! Do të më thuash batutën e Paulin Prekës ” Polici rrinte aty, unë i bija shkopit me kokë!)…
Ishin vëllezërit e mi që derdhën gjakun tek Bulevardi ” Dëshmorët e Kombit”! Dhe për mua, ata janë dëshmorë! Meritojnë ata të marrin medaljen tënde më të preferuar “Hero i Demokracisë”?
Shqipëria nuk është prona e jote!
Demonstratat nuk janë grushte shteti dhe as revolucion nga i cili ke frikë dhe as populli nuk të çon në gijotinë si në kohën e revolucioneve në Francë! Jo! Demonstrata është mjeti më demokratik ku një popull demokrat shpreh kënaqësinë e tij kundrejt qeverisë së vet! Nuk sjell demonstrata në fuqi opozitën ashtu siç demonstruesit nuk janë të tërë opozitarë, ashtu siç opozita nuk është gjithnjë komuniste dhe shtypi që të kritikon dhe fjala e lirë e imja dhe e të tjerëve si unë nuk na bën as komunistë e as socialistë. Thjesht na lë Shqiptarë.
Dëgjoje shpirtin e lirë të Shqipërisë ashtu siç dëgjoje tët atë kur dikur të fliste mirë për Kuvajtin (po përsëris atë që ke thënë ti), dil nga ajo fole e qelbur që patën ndërtuar dikur fashistët, dil njëherë natën një xhiro dhe përballu si burrë me shpirtrat e dëshmorëve të kombit që nuk qarkullojnë larg që aty! Mirë do të ishte të mos përballeshe me fantazmat e Enver Hoxhës apo Hysni Kapos! Hyr njëherë natën në stadium i vetëm, pa drita dhe dëgjoje komunistin Qemal Stafa të të thotë se “Gjakun Shqipëria na e dha dhe ne asaj i a kemi borxh!”. Do e kesh kurajon pastaj t’i thuash broçkulla popullit? Do vazhdosh të mendosh akoma se populli ha bar?
Dhe së fundi, gjunjëzohu përpara meje sovranit dhe dëgjo kërkesat e mia legjitime nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”!|
Comments are closed.
Do te desha vetem t’ju perqafoj sepse ndjeni si Ne qe ishim ne demostrate jo vetem per vete por per Shqiperine kudo qe ajo merr fryme.