Me një arrogancë tipike të kafshës së plagosur dhe në dëshpërim për të shpëtuar lëkurën e vet, Ilir Meta deklaroi se do e fitojë betejën për shqiptarët dhe për veten. Beteja e z. Ilir Meta drejtohet kundër atyre që kanë montuar videon dhe që kanë përgjuar këtë takim, të cilin e kemi shumë të sikletshme ta klasifikojmë: private, pune, private-pune…?
Sa për dijeni të tij, Meta duhet ta ketë të qartë se shqiptarët nëse kanë ndonjë betejë për të fituar, do e bëjnë pa të, sepse betejat me të dhe në emër të tij bashkojnë njerëz që i lidh një koalicion që ka në bazë interesin privat, kamjen pa kufi, uzurpimin e pushteteve, abuzimin me to vetëm në të mirë të një klani të ngushtë njerëzish që nuk dihet nga mbijnë, si janë pasuruar dhe përse detyrojnë një zv/kryeministër të një vendi anëtar të NATO-s të luajë rolin e SEKSERIT në zyrat ku presupozohet se punon për popullin.
Duhet ta ketë të qartë gjithashtu se ajo video në mendjen e shqiptarëve nuk është montim, por një pasqyrim i një të vërtete therëse, të cilën të gjithë e dinë, por që fatkeqësisht deri më tani reagimi kundrejt saj nuk ka qënë në nivelet e duhura. Asnjë shqiptar nuk bindet nga thirrjet patetike për beteja dhe për fitore sikur të ishte në një fushatë elektorale, dhe kërkon votat e shqiptarëve për të mbrojtur jo interesat e tyre, por figurën e tij tashmë të dalë boje, të korruptuar në të gjitha llojet e kuptimit.
Duhet ta ketë të qartë gjithashtu se nëse betejën e fiton me drejtësinë e rraskapitur të shqiptarëve, do të përballet me mërinë e njerëzve që po tregojnë qartë se nuk durojnë dot më nëpërkëmbje të tilla dhe se vezët mund të bëhen dhe gurë. Duhet ta ketë të qartë se forcat policore që ai përdor për të mbrojtur selinë e partisë së tij private realisht mbrojnë interesat e tij individuale dhe se njerëzit janë lodhur nga sjelljet harbute të policisë që sillet si trupë e organizuar paramilitare në mbrojtje të Doktorit dhe rrethinës së tij, tashmë dhe të Ilirit dhe shpurës së tij hajdute dhe se ato nuk do të tolerohen më. Të kesh sjellje qytetare dhe të jetosh ne komunitet nuk do të thotë t’i bindesh urdhrave absurde të një bande hajdutësh dhe krahëve të tyre të armatosur që tashmë nuk kanë më asnjë legjitimet për të mbrojtur qytetarët dhe shtetin. Sepse sa më shumë mbrojnë figura të diskredituara, aq më shumë rritet legjitimiteti i rezistencës kundër ushtrive të sajuara të pushtetit.
Zv/KryeSekseri i Republikës mund të fitojë betejën e ullinjve, shegëve dhe lajthitjeve të shefit të tij, por nuk mund të fitojë beteja imagjinare që i deklaron në televizor si të ishin për jetë a vdekje apo si të ishin një mesazh mesianik, nga ato që populli i ka pritur mbi dy mijë vjet dhe më në fund lindi një hero që ta drejtojë atë. Ajo është një betejë për mbijetesën e tij politike për të cilën nuk duhet ta mbrojë askush, përveç avokatit të tij. Ai tashmë duhet t’i përkasë muzeut të politikanëve të skaduar shqiptarë ashtu si dhe shumë të tjerë, në mënyrë të veçantë ai që qëndron mbi të. Dhe të gjithë të vendosen në një ambient të përbashkët sepse majtas apo djathtas, bashkëjetesa e tyre që ka pasur lajtmotiv korrupsionin i bën ata të pandashëm. Dhe kjo duhet të jetë beteja e fundit. Veçse jo e Ilirit, por e jona!
Comments are closed.
Per veten edhe mund te beje ndonje beteje,per shqiptaret as e ka bere as ka per ta bere kurre.