Një Shqipëri egërshane

12 Janar 2011, 20:34Blog TEMA

Nga Enver Robelli

Në stilin e mafiozëve sicilian: Një video me kryeprotagonist Ilir Metën trondit shqiptarët, por duket që nuk do të ketë asnjë konsekuencë, sepse si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë politikanët qëndrojnë mbi ligjin

Ishte paralajmëruar prej ditësh dhe të martën në mbrëmje u emitua së pari në televizionin Top Channel të Tiranës, pastaj me shpejtësi drite u shpërnda në internet dhe në media të tjera. Është fjala për një incizim, në të cilin shihet Ilir Meta, atëbotë, më 1 mars 2010, ministër i jashtëm i Republikës së Shqipërisë, duke bërë pazare me ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti. Skena është e denjë për çdo film për mafien. Meta zë vend në një kolltuk lëkure, përballë e ka kolegun e tij nga Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), pastaj nxjerr një bllok shënimesh dhe fillon të lexojë nga lista e tij e gjatë e kërkesave makabre. Edhe sikur kjo video të ishte incizuar pa zë, shumë lehtë merret vesh se këtu kemi të bëjmë me një allishverish maskarenjsh, të cilët kanë ardhur në krye të shtetit shqiptar dhe e rrjepin atë dalëngadalë si xhelatë egërshanë.

Meta kërkon të punësohen figura partiake edhe pse atyre u mungon kualifikimi përkatës.

Meta, në stilin e një shefi të mafies siciliane, kërkon që të anulohet një marrëveshje me kompaninë e naftës Albpetrol dhe Prifti, si një prift i vërtetë, thotë se do ta bëjë këtë.

Meta kërkon me këmbëngulje që një tender për një hidrocentral t’i jepet një personi me gjasë të afërt me të. Nofka e tij është Gimi. (Kështu është Shqipëria: Edhe kur me këmbë shkelen ligjet, politikanët nuk e humbin humorin dhe i quajnë klientët e tyre me emra përkëdhelës si Gimi, Turi, Sandri, Bana, Ela, Pela…). Në vazhdën e bisedës Meta thotë se sa i përket tenderit probleme ligjore s’do ketë, sepse e njeh kryetaren e Gjykatës së Lartë, të cilës ia paskësh rehatuar (lexo: punësuar) vajzën në një ambasadë të Shqipërisë. Si shpërblim për dhënien e tenderit Meta përmend shifrën 700 mijë, gjë që kuptohet se fjala është jo për 700 mijë vezë, por për 700 mijë euro. Si garantues se tenderi do t’i jepet Gimit përmendet doktori, gjë që vetëkuptohet për kë është fjala, sepse një doktor e ka Shqipëria: Sali Berishën, kryeministër i vendit. Si një xhandar i Nikolla Pashiqit ministri i atëhershëm i jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, urdhëron që çështja e hidrocentralit të mbyllet menjëherë. Prifti, një kërmë politike, pohon se kjo punë do të ndreqet që sot.

Padronë të shtetit

Në vend që Shqipëria ditën e mërkurë të zgjohej e gëzuar, sepse kryeministri Berisha e ka shkarkuar nga posti Ilir Metën, në fakt nuk ndodhi asgjë. Berisha u shfaq në mbledhjen e qeverisë dhe foli për çmimet e larta që shqiptarët paguajnë për sms. Foli edhe për mbjelljen e lajthive. Dhe me buzëqeshje shikoi Metën të ulur afër tij. Berisha e kishte lehtë ta përzë nga kabineti Ylli Pangon, i cili ishte incizuar duke i bërë presion një femre për t’ia zhveshur bluzën. Pango u largua me pulla të këmishës në dorë, Meta s’largohet, sepse çështja është më serioze, sepse bëhet fjalë për hajni të përmasave të mëdha, ku duket të jetë e përfshirë gjithë piramida drejtuese e shtetit. Skandali i Pangos ishte banal, sepse është përditshmëri, jo pak politikanë shqiptarë i shikojnë femrat si plaçka dhe keqpërdorin mjerimin social për shfrytëzimin e tyre të çfarëdollojshëm, pse jo edhe seksual, kur veten e shohin si padronë të shtetit, si kapo të mafies.

U ngut Ilir Meta dhe e shpalli montim, falsifikim, mashtrim e çdo gjë tjetër incizimin. Fajtori u gjet: Opozita, sërish. Dhe disa media. Siç ndodhë zakonisht në Shqipëri (e gjithnjë e më shpesh, për fat të keq, edhe në Kosovë) në raste të tilla nuk kursehen fjalët e rënda, fyese. Dritan Prifti, deri dje dora e djathtë e Ilir Metës, u quajt çimkë e opozitës. Çimka është një kandërr me trup të rrumbullakët të shtypur, me ngjyrë të kuqe të errët e me një erë të keqe, që jeton si parazit nëpër plasat e dhomave e të orendive shtëpiake dhe që u thith njerëzve gjakun kur flenë. Nëse Prifti është çimkë, athua ç’është Ilir Meta?

Skandali është aq i madh saqë nuk ishte e mundshme të injorohej tërësisht nga të involvuarit në këtë aferë. Meta vuri në dispozicion imunitetin e tij dhe bashkë me Berishën kërkuan që drejtësia ta hetojë këtë punë. Por, kjo është një hipokrizi e paparë, sepse edhe zogjtë në qiell e dinë se gjyqësia në Shqipëri nuk është e pavarur, ndryshe Meta gjatë bisedës nuk do të krekosej se e njeh kryetaren e Gjykatës së Lartë, të cilës, siç u përmend më lart, ia ka punësuar çikën. Është parë edhe në raste të tjera se gjyqësia në Shqipëri ekziston vetëm për hajna xhepash, por jo edhe për politikanë të nivelit të lartë, të pozitës dhe opozitës, e cila përkundër trumbetimeve të palodhshme nuk është aspak e pastër. Është parë e ashtuquajtura pavarësi e gjyqësisë në Shqipëri sidomos në rastin e Gërdecit – me dëshmitarë të kërcënuar ose të vetëvrarë në rrethana të mistershme. Dhe me politikanë që nuk tuten nga asnjë konsekuencë ligjore, edhe pse dyshohet të jenë të përfshirë në skandalin e Gërdecit.

Shoqëri klanore

Makabre është edhe sjellja e një pjese të mediave në Shqipëri. Derisa disa prej tyre e trajtojnë skandalin, të tjerat përpiqen ta fshehin, ta bagatelizojnë (minimizojnë), sepse prej vitesh rrasin nga grazhdi i pushtetit. Për të kuptuar gjendjen e mediave në Shqipëri mjafton të lexosh një letër që Mihal Delijorgji, njëri prej personave më të përfolur për shkaktimin e tragjedisë së Gërdecit, botoi te një e përditshme shqiptare. Nga burgu 313 i Tiranës, Delijorgji, mes tjerash, shkruante: „Si ka mundësi që gazetarë e njerëz të medias, për të cilët dera e zyrës sime ka qenë gjithmonë e hapur, sot të denigrojnë emrin tim në mënyrë kaq kriminale jashtë çdo etike profesionale. Madje, ndonjë prej këtyre të fundit mund të më ketë dhe para borxh, por në vend të vlerësimit (…) janë shndërruar në kryqëzuesit abuzivë më të mëdhenj të emrit tim, duke mos më kursyer as familjen“. Ndoshta vjen dita dhe Delijorgji i publikon emrat e gazetarëve që i kanë borxhe atij.

Kjo është ajo Shqipëria egërshane, e neveritshme dhe antievropiane, ku fjalia më e keqpërdorur nga politikanët është „integrimet në Bashkimin Evropian“. Kjo është ajo Shqipëria që disa politikanë në Kosovë po e marrin si model shtetëror. Një model, ku pasuritë e shtetit plaçkiten, ku tenderët jepen sipas përkatësisë partiake, farefisnore dhe klanore. Me sa duket Ilir Meta si ministër i jashtëm e kishte të pamundshme të kontrollojë çdo tender, prandaj e hoqi qafe Dritan Priftin dhe zuri vendin e tij si ministër i Ekonomisë. Tani i ka portat e hapura për hajni edhe më të madhe, tani me lehtë e ka t’ia lyejë rrotat makinës gjigante të korrupsionit. Sepse Ilir Meta me shokë dhe shumë sivëllezër të tij në Kosovë qëndrojnë mbi ligjin. Vjedhin dhe na paraqiten në opinion si patriotë, sikur Meta që para disa javësh erdhi në Gjakovë për të shprehur mirënjohjen e tij për ndihmën e kosovarëve për zonat e përmbytura në Shqipëri. Ose si dikur, kur, pas vizitës në Beograd, shkonte në Preshevë dhe nën tingujt e daulleve fliste broçkulla pseudopatriotike. Shqiptarët, andej e këndej kufirit, javëve të fundit kanë qenë tepër të shqetësuar me raportin e Dick Marty-it. Mes tjerash ai është kritikuar pse i ka quajtur shoqëri klanore. Po çka është tjetër kjo që pamë në incizimin e emituar në Top Channel? Kur një ministër i thotë tjetrit: Jepe tenderin, sepse e njoh unë gjykatësen përkatëse. Pastaj, me ton nevrik, shqiptarët kudo në Ballkan ankohen se Evropa qenkësh shumë refuzuese ndaj tyre, se nuk po i liberalizon vizat për kosovarët dhe nuk ia dha Shqipërisë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Me çfarë vlerash i afrohen sot shqiptarët Evropës? Me videoincizime, ku shihen politikanët me pelë për dore! Me politikanë që akuzojnë njëri-tjetrin se janë dilerë droge (kështu, para disa vitesh, kishte thënë Sali Berisha për Fatos Nanon). Me politikanë që resurset e shtetit i plaçkitin pa asnjë skrupull moral. Me politikanë që brenda natës ndërtojnë shtëpi për vete, për vëllezër, për motra dhe për klientelistë të tjerë politikë dhe kriminalë.

Ndokujt mund t‘i duket tepër negative kjo qasje, sepse, natyrisht, ka edhe politikanë të ndershëm në Prishtinë dhe në Tiranë. Por, e vërteta është kjo: Kosova atlantike dhe Shqipëria londineze janë pllakosur nga politikanë të papërgjegjshëm. E vërteta dhemb, por sa më shumë që zbulohen përmasat e errëta të saj, ai hon i zvarranikëve, aq më shumë shtohen shanset për luftimin e saj – si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Sa më shpejtë që të kuptohet se politikanë si Ilir Meta dhe lojtarë të njëjtë politikë në Kosovë nuk na çojnë në Bashkimin Evropian, por në humnerë, aq më i afërt do të jetë viti kur porta e madhe e mirëqenies evropiane do t’u hapet të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe të tjerë nga Saranda në Mitrovicë. Kjo ditë është e largët, madje s’shihet fare tani, sepse plogështia politike e shoqërive në Kosovë e në Shqipëri ende është e pafalshme.

4 komente në “Një Shqipëri egërshane”

  1. dymi says:

    Zoti Robelli prej Kosove. Shkrimin tend po e firmos edhe une.Kemi shume nevoje per gazetare si ti( ne vete te pare me dukesh me i afert) Te lutem shume shkruaj me shume jo vetem per Kosoven po sidomos per ne shqiptaret ketej kufirit.

  2. Artur says:

    Per fatin tone te keq, ne shqiptaret jemi shoqeri qe reagojme me shume vonese ndaj te keqes sone te perbashket (Gerdeci, Trebicka, rrahjet e gazetareve, korrupsioni masiv qeveritar, kercenimet e hapura me vdekje te kryeministrit etj.). E keshtu e keqja trashet dhe eshte veshtire te pritet. Pastaj duhet nje fortune e madhe qe ta rrezoje trungun e trashur te se keqes.
    Ne fund dua t’u kujtoj lexuesve se peshku qelbet nga koka!

  3. Epirioti says:

    Vazhdoje ti bie daulles se faji eshte i gazetarise ne vend dhe jo i politikaneve fshatar. Gazetaret duan nga nje 5 mishe te re e te bejne elozhe per 24 ore e te nesermen marrin nga kundershtari yt nje 5 mijshe tjeter dhe te bejne lecke per 24 ore. Vazhdoj e shikoj lajmet sot e pezmatohem sesa e varfer eeshte gazetaria jone. Po shkruajne gjithe gazetat me te madhe europiane, duke bere analiza te mrekullueshme dhe komente te sakta, ne Shqiperi lajmet flasin per gripin e derrit, semundjen e rrapit te picarit, tarifat e CEZ, dhe cmimet e SMS-ve. Turp per kete media mjerane. Turp edhe per Edi Ramen qe do mbledh Keshillin pas tre diteve per te vendosur se cdo beje. Pse mo Rama “te presi populli sa te mbledhesh ti trapat e Asamblese”, populli po lufton me kafshaten e fundit te bukes ti zotrote flet si ne filmin “Shtigje lufte” me banditet qe imitonin Kajo Karafilin. Je katandisur si mos me keq me kete apati. C’ke vlla ke ndrruar llojin apo sasine e dozes, se nuk te shohim fare mire.

  4. LORA says:

    FALEMINDERIT Z.ROBELLI NE VIJA TE PERGJITHESHME.
    Nuk jam dakord me ju qe Shqiperine e Kosiven e kane pllakosur politikane te papargjegjshem,per mua jane kriminele me damke.Por jam e bindur qe e kemi Ne ne dore tu tregojme vendin,qe s’na e ka fajin kush per moskryerjen e detyres ndaj vetes e Kombit tone.Prandaj,ne keto momente reflektimi gjithkombetar jam me shprese qe konsekuencat do ti shohim se shpejti.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje