Banorë të së keqes

10 Janar 2011, 21:41Blog TEMA

Nga Enton Palushi

Një artist bullgar, që jeton në Londër, u bë mjaft i njohur në internet pasi vizatoi një hartë se si e shohin amerikanët Europën. Ishte një hartë e bazuar mbi paragjykimet ose stereotipet e amerikanëve të zakonshëm. Pjesa e Ballkanit Perëndimor përfshihej në një shtet të vetëm, që sipas amerikanëve quhet “Resident Evil”. Emërtimi vjen sipas një video-loje të famshme japoneze, që flet për pushtimin e tokës nga e keqja. Si të thuash, për amerikanët këtu është vendi ku banon djalli. “Resident Evil” është edhe një nga filmat horror më të suksesshëm të Hollivudit. Ndoshta për koincidencë, aktorja kryesore që lufton të keqen që ka kapluar njerëzimin është Milla Jovoviç, një bukuroshe me origjinë serbe.

Duke komentuar në kushtet e anonimitetit raportin e Dik Martit, një diplomat i huaj thoshte për “The Economist” se ai përmbante edhe disa gjykime raciste, por që përgjithësisht qëndrojnë dhe nuk para bëjnë dëm. Referenca ishte për qëndrimet që mban në raport Marti për mënyrën se si funksionon politika në Kosovë apo për qasjen e kosovarëve ndaj të vërtetës dhe të drejtës.

Diplomati i huaj i quan raciste këto qëndrime për shkak se dihet se është shumë delikate që të japësh përcaktime për një shoqëri.

Por, përse Marti e më pas diplomati amerikan flasin për shoqërinë kosovare e japin vlerësime e pohime për të?

Po të mos të ishte se në raport nuk do kishte akuza të rënda për heqje organesh, të cilat shokojnë çdokënd, ai ndoshta nuk do përbënte dhe aq shumë lajm. Kjo për shkak se nuk është më gjë e re që drejtuesit e vendeve të Ballkanit janë të korruptuar, të implikuar në afera e në trafiqe. Duke qenë se nuk përbën më lajm që liderët e Ballkanit janë të korruptuar, të lidhur me krimin e manipulojnë zgjedhjet (lajm përbën kur arrestohen si Sanader), për të huajt ka nisur e përbën lajm shoqëria, zhvillimi e reagimi i saj në këto vende të zhytura në krim e korrupsion.

Disa shkrime të botuara së fundmi, të publikuara edhe në gazetën Tema, tregojnë se gazetarët duken më të interesuar për shoqërinë. Që të kuptohemi, nuk ka asnjë gjë të koordinuar në këtë drejtim. Janë thjesht pikëpamje gazetareske.

P.sh, gazetari Tim Judah thotë se frika më e madhe e tij është se tanimë shoqëria kosovare nuk do arrijë të luftojë të keqen.

Nga ana tjetër, një studiues zviceran, duke shkruar për vendasit e tij, thotë se shqiptarët e marrin me shumë indiferentizëm qëndrimin ndaj të kaluarës komuniste dhe rrënjëve të thella të saj në politikën e drejtimin e shtetit.

Chuck Subotic shkruan për “Ëashington Post” se kosovarët nuk kanë guxim të thonë të vërtetat.

Madje edhe Departamenti i Shtetit publikon një editorial për marrëdhëniet Shqipëri- SHBA, ku përmend vetëm një zyrtar pa peshë në jetën shqiptare, siç është Edmond Haxhinasto dhe të gjithë shkrimin ia dedikon popullit shqiptar e komunitetit shqiptar në SHBA. DASH vlerëson dëshirën e shqiptarëve për të ruajtur marrëdhënie të mira me SHBA-në e për të pasur një të ardhme demokratike.

Dikush mund të thotë se qëndrimet e tyre janë raciste. Por emrat e sipërpërmendur citojnë disa probleme që duken qartë në shoqëritë tona. Topi është në fushën e shoqërisë, e cila është indiferente, e trembur dhe nuk i kundërvihet të keqes. Për këtë jemi thuajse të gjithë dakord. Ajo duhet të reagojë. Jo më kot Tim Judah thotë: Kërcënojini liderët tuaj nëse jeni trima, jo mua!

2 komente në “Banorë të së keqes”

  1. dymi says:

    Dakort me autorin. Por…(eshte i nevojshem ky por) Jane individet ata qe na kane udhehequr e na udheheqin (Esad Pasha, Zogu, Enveri Nano, Saliu etj ) qe zullumet e tyre nuk perbejne më lajm e per pasoje behen shkak te na damkosin te gjithe ne shqiptareve me terma raciste. Ç’mund te thone per nje popull kur shohin se kryeministri i tyre ju punon qindin e ata nuk bejne ze, kur drejtuesite partive jane ca eunuke qe vetem belbezojne e nuk dine te ndertojne nje aksion te hairit ne dobi te popullit.

  2. dymi says:

    Ne dy raste eshte permendur, ne komentin tim, gabimisht cilsori udheheqes. Te jesh udheheqes duhet ta kesh merituar. Ata qe une permemda drejtimin e ketij vendi e kane marre me mashtrime.konjuktura apo rastesisht ju ka mbetur ne dore.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje