Cila është Kosova në vitin me shumë 1-sha?

7 Janar 2011, 21:45Blog TEMA

Nga Adriatik Kelmendi

KY VIT KA HYRË me një simbolikë të fortë unike, duke filluar që në ditën e parë. Data 1/1/11. 1-shi, pra, do të duhej të nënkuptonte një fillim të mbarë. Por, viti i parë i dhjetëvjeçarit të ri na qaset edhe si një rikujtim për fuqinë që mbart me vete ky numër. Të qenit numër 1. Kreu. Maja. Zeniti. Kryepari. Një sfidë perpetuale e natyrshme e secilës qenie njerëzore. Dhe ky vit bart në vete mundësinë që vjen vetëm një herë në çdo 100 vjet – që të na rikujtojë 1-shin disa herë përgjatë 12 muajve. Nga data 1/1/11, shkojnë duke u shtuar 1-shat në datën 11/1/11, për të përfunduar me plot 6 sosh, më 11/11/11. Për t’ia kaluar këtij viti duhet pritur fiks edhe 100 vjet, kur do të vijë data 11/11/111. Mirëpo, pasi që deri atëherë unë bashkë me njerëzit që i njoh vështirë të ulemi për të analizuar 1-shat, po i shikojmë këta të tashmit. Cilat janë 1-shat tanë, pra?

DUHET KËRKUAR FALJE menjëherë për prishje eventuale të disponimit të mirë të fillimvitit, pasi që në këtë fill duhet pranuar se megjithatë edhe ne kemi 1-shat tonë, por që janë në shumicë të atillë që nuk do t’i dëshironim. 1-sha të zinj. 1-sha nga fundi, e jo nga fillimi i listave. 1-sha të këqij.

Për më tepër, viti që sapo e lamë pas u kujdes, jo që të na heq ndonjë, por që të na shtojë këtë soj 1-shash.

Gjatë vitit 2010 dolëm edhe zyrtarisht numër 1 si shteti më i izoluar në Evropë, për shkak se mbetëm jashtë procesit të liberalizimit të vizave. Kështu mbetëm 1-shi nga fundi, jo për shkak se ne shkruam prapa, por për shkak se vendnumëruam teksa të tjerët ecën përpara.

Por, paska më ndryshe na paraqitet situata me edhe dy 1-sha të tjerë të zinj që u arritën gjatë vitit të kaluar. Kësaj radhe jo se të tjerët ecën përpara, por si duket për shkak se ne shkuam prapa, ne u përkujdesëm që përfundimisht të dalim të parët në rajon në fushën e lirisë së medias dhe atë të perceptimit të korrupsionit (cinikët ndoshta mund të shtonin këtu: më mirë edhe i pari nga fundi se sa vetëm diku nga fundi!).

Në indeksin e përvitshëm të Reporterëve pa Kufij, Kosova në vitin 2010 ka rënë për 17 vende, nga pozita 75 në atë 92.

Në indeksin e përvitshëm të Transparency International lidhur me perceptimin e korrupsionit, Kosova në vitin 2010 ka mbetur larg e fundit në rajon, në pozitën 110.

Derisa, edhe vitin që e lëmë pas nuk kemi bërë kompromise për ta humbur numrin 1 të top-listës së zezë në fushat ku tradicionalisht dalim kampionë.

Numër 1 kemi mbetur sa i përket numrit më të madh të të varfërve.

Numër 1 kemi mbetur me numrin më të madh të të papunësuarve.

Numër 1 kemi mbetur sa i përket vdekshmërisë së foshnjave dhe nënave gjatë lindjes.

Numër 1 kemi mbetur edhe me numrin më të madh të analfabetëve.

Numër 1 vazhdojmë të mbesim me numrin më të madh të ndërtimeve pa leje dhe të përçudnuara.

Numër 1 jemi ende edhe në importimin e mallrave nga shtet e tjera, krahasuar me eksportimin.

E si ia kemi filluar, së shpejti mund të bëhemi numër 1 edhe në manipulimin e zgjedhjeve.

… e kështu me radhë, e s’po del kush të na kalojë.

Por, për të mos na ardhur shumë inat se jemi numër 1 vetëm nëse i kthejmë top-listat së prapthi dhe vetëm për gjërat që nuk do të dëshironim të jemi, kam gjetur edhe dy fusha ku renditemi si 1-sha, ndonëse nuk jam shumë i sigurt se sa të mira ose të dëshirueshme do të ishin edhe këto për kosovarët.

Del se jemi numër 1 në rajon për – eksportimin e hekurishteve.

Dhe, natyrisht, numrin 1 nuk e lëshojmë dot nga duart sa i përket popullit më optimist, së paku në nivel evropian sigurtë, pasi që në atë botëror nganjëherë po na bën konkurrencë optimizmi kenian (ndoshta tash edhe me arsye, duke pasur si të parin e SHBA-së të birin e tyre Barack Obama).

E TASH JAM KOSHIENT se të qenit numër 1 për zi nuk më pëlqen as mua si shkrues i këtyre rreshtave, e as juve që po i lexoni ato. Mirëpo, më keq do të mund të bëhej vetëm nëse edhe do të mbyllnim sytë përpara këtyre fakteve. Sigurisht se duhet njohur vetvetes dobësitë për të ditur se në cilat duhet vepruar për t’i ndërruar pozitivisht. Së këndejmi, viti me shumë 1-sha do të duhej të na bënte krejt esull sa i përket 1-shave tonë dhe punës që do të duhej të na priste për t’i përmirësuar ata. Mund ta pranojmë: e kemi një armë të fortë – optimizmin. Optimizmin, të cilit duhet veshur punën, për ta zënë hapin e humbur që na ka kurthuar në fund.

Siç i thonë një fjale: të jetojmë e punojmë në vitin 2011 sikur të mos ketë më një vit tjetër.

E ne, natyrisht, jemi optimistë të palëkundur se profecia e Maya-ve për vitin 2012 mbetet vetëm një trill i shfrytëzuar bukur nga Hollyëoodi.

Mirëseerdhëm në vitin e 1-shave!

Lini një Përgjigje