Edhe një vit shpresash e zhgënjimesh e parashikimesh e premtimesh e gënjeshtrash… e… e… e …filloi. Më saktë rifilloi. Në botë, në Kosovë dhe në viset shqiptare. Dhe me gjasë filloi njësoj, ndër shqiptarë pra, jo mirë – me të ftohtë, me fjalë të acarta dhe ç’është më e keqja, me vrasje.
Mos u bëftë ajo popullorja: “Dita (e mirë ose e keqe) shihet më mëngjes”.
Dy vrasjet që ndodhen në viset shqiptare në natën e Vitit të Ri, në Kosovë dhe në Shqipëri (saktësisht në Shkodër dhe në Malishevë) janë një ogur i keq për shoqërinë shqiptare kudo që gjendet ajo.
Jo vetëm pse vrasjet, ose t’i quaj ndërvrasjet, janë “specialitet” shqiptar e as pse ato kaherë janë futur në kodin e mirësjelljes mesjetare me të famshmin Kanun të Lekë Dukagjinit, por për shkak se ato ndodhën në kohën e hovshme të integrimeve evropiane dhe në vlugun e kohës së zgjedhjeve pluraliste demokratike, me të cilat e kemi çdo ditë gojën.
Pa hyrë në motivin e këtyre dy vrasjeve që e shënuan për keq këtë fillimvit të ri shqiptar – (dhe a të thuhet se është tepër e vështirë të gjendet motivi për të vrarë njeriun), duhet thënë se vrasja dhe kobi nuk iu ka ndodhur vetëm dy familjeve të viktimave. Ose të paktën ajo nuk duhet t’iu ndodhë vetëm atyre. Sepse vrasja, cilido qoftë motivi i saj, është pasqyrë e zhvillimit të një shoqërie dhe e një stadi civilizues të saj.
Natyrisht nuk na takon ne të përcaktojmë këtë shkallë civilizuese të kombit. Megjithatë dy-tri pyetje duhet shtruar pas kësaj që ndodhi: a është vrarë, me këtë vrasje, siguria shqiptare dhe a është vrarë, me këtë vrasje, mendimi tjetërfare, qoftë dhe ai politik?
Nëse është kështu, e unë mendoj se është, çfarë e pret shoqërinë tonë në të dy shtetet dhe në shtetet tjera përreth me shqiptarë, ku megjithatë, pak ose shumë pak dallon mentaliteti politik dhe përgjithësisht ai shoqëror. Sepse edhe sot e gjithë ditën mund të dëgjohet fjalia e kobshme, madje edhe në qarqe elitore, “I lumtë pushka, hak që ka marrë”, ose dhe më keq: “Kush është ai të më mund mua në zgjedhje”…
Dhe këto pyetje mund të shtrohen edhe në terrenin politik, nga i cili shpesh marrin kahet pastaj pothuaj të gjitha zhvillimet tona shoqërore. E kur jemi te ky terren, a të themi menjëherë se gacat më mëdha fshihen mu nën hirin e zjarrtë të politikës sonë? A duhet të përkujtojmë për këtë politikë, nuk po e quaj zjarrvënëse, debatin që vjet gjatë gjithë vitit u zhvillua në Shqipëri për zgjedhjet?
Apo të rikujtohen deklaratat e udhëheqësve të partive politike në Kosovë, pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit, të cilat jo vetëm ia hedhin fajin në njëra-tjetrës për disfatën, por janë të gatshëm që fajësinë për disfatë, pse jo edhe për sukses, ta gjejnë edhe në zënien e Diellit që do të ndodhë sot në një pjesë të Evropës. Prandaj, gjuha, fjala, edhe pse ka qenë gjithmonë e fillimit, duhet të ketë një kapak, më së pari në politikë…
Natyrisht më së lehti është të fajësosh, të akuzosh, të kritikosh dhe të shash. Edhe ky shkrim mund të trajtohet i tillë. Ndoshta me të drejtë. Por, qëllimi i tij nuk është ky. Qëllimi është dhe mbetet demaskimi i demagogjisë pasi të ndodhë vrasja. Vrasja ndërshqiptare. Vrasja që ndodh me parapërgatitje dhe me paramendim. Për të cilën mund të jetë e njoftuar shoqëria, e cila po rri anash me logjikën e tmerrshme… sa më larg meje… Dhe, që është më së keqi, rri pa bërë përpjekje të ndërtojë e krijojë parapengesat e ndalimit të këtyre vrasjeve.
Vrasjeve që mos i numërofshim më.
Pavarësisht se ia rifilluan mu në natën e Viti të Ri. Kur rëndom këmbehen urime e mesazhe paqeje e humanizmi dhe jo plumba e zjarr.