2011 troket në qorrsokak politik pasi “kartolinës” së refuzimit të konsensusit nga mazhoranca për transparencën zgjedhore sëbashku me kompromentimin e legalitetit të saj. Përdori çdo alibi e sofizëm për bllokimin e proçesit ndërsa fajësonte opozitën që në pamundësi “fairplay”, e pa të udhës të luante në finale kartën e vetë mazhorancës për të djegur bllofin e ekspozuar alibinë e saj. Ndonse kutitë të “burgosura”, faji nuk është më anonim.
Me dy porta
Me qasjen e nxjerrjes së “bishtit” të rradhës, u fol nga shumica në emër të Kushtetutës e Kushtetueses. Pretenduan dëshirën e tyre të “sinqertë” për transparencë por që mbetej e tillë sepse si legalistë “parimorë” respektimi i ligjit e vendimeve gjyqësore ishte prioritar (!) Lojë me dy porta teksa e njëjta mazhorancë injoroi pensionet e ushtarakëve, pavarësisht vendimit të Kushtetueses, për motive morale (!), toleron vakuumin ligjor rreth familjeve në banesa të pronarëve ndonse jo me një por me dy vendime të Kushtetueses etj duke konfirmuar preçedentin e dyfytyrësisë, arrogancës e karshillëkut pa limit në kurriz të ligjit.
Cfarë faktesh kërkon ajo për hetim përtej konstatimit të OSBE ODHIR se numërimi në 1/3 e qëndrave të votimit ishte i keq apo shumë i keq (fakt objektiv) pavarësisht se nuk ndikoi në rezultatin përfundimtar (perceptim subjektiv), përtej kutive të “Pandorës-Ruzhdije”, thirrjes publike për ndihmë liderit të mazhorancës për mbrojtje votash gjatë numërimit në Fier, “inflacionit” të votuesve, brishtësisë së Kartave të Identitetit jashtë sistemit etj rrethana kompromentuese të legjitimitetit e parregullsisë zgjedhore? Ajo nuk do fakte teksa djeg sot faktet me urën e zjarrit drejt fletëve të votimit. Nëse sinqeritet për votën, të ruhen ato si relike në muzen e kohës për të dëshmuar abuzimin për brezat e ardhshëm që ndryshe nuk do të mund ta besojnë dot këtë gjë.
Suksesi i dështimit!
Në vitin e gjashtë të saj, mazhoranca nuk po di të kullandrisë ekonominë e sot kemi jo vetëm individë që blejnë me listë por gjithë shoqërinë në “lista” absurde tek huadhënës të huaj privat apo institucional. Vëndi në “listë”, përtej rrënimit e diferencimit material, përjeton mjerim moral me virtytin jashtë mode, korrupsionin mënyrë jetese me “kapak” sipër demagogjinë politike e demokracinë ende iluzion. Të shndërruar në “kllounë” të perëndimit, nuk merremi më seriozisht prej tyre ndërsa diskretitohemi si të paaftë për shtet ligjor në respekt të jetës e dinjitetit, votës e transparencës, pronës e legalitetit, ligjit e respektimit të tij.
Zhgënjimi është sinonimi i një mazhorance që vijon traditën shumë demagogji e pak punë, marketing joetik e jo vlerë, retorikë e jo argument. Një mazhorancë që tek dështimi sheh suksesin (!) teksa përmbytja ishte arritje sepse nuk u humbën jetë paçka se u humb jetesa, ndërsa anashkalon mosveprimet për parandalimin, menaxhimin amatoresk e braktisjen e njerëzve në fatin e tyre ndërkohë që për viktima, Gërdeci ende rënkon.
Vetëm një politikë arrogante trumbeton liberalizimin e vizave si sukses megjithëse ishte përgjegjësja e vetme e zvarritjes deri kur nuk mund të shtyhej më, ndërkohë që e paraqet si liri e mirëfilltë lëvizjeje transferimin e rregjimit konsullor në kufi e sportelet e emigracionit.
Vetëm një politikë e gllabërimit e ka shpënë shënjtërinë e pronës në handikap ku i zoti i pronës bën sehir “kapitalistët inisiatorë modern” që gdhihen multimilioner për shërbime ndaj piramidës në kurriz të trashëgimisë së tij.
Vetëm një politikë spekulative pozon Shqipërinë në bum ekonomik ndërkohë që shumë prej investimeve përmes skemave absurde “Shqipëria 1 Euro” janë për llogari të tretëve e nëse pasuri, ajo nuk shpërndahet njëlloj e mjerimi i pjatave bosh rrënqeth në një realitet me ekstreme klasore.
Vetëm një politikë e paemancipuar përshtatet me serinë e aferave korruptive elit duke injoruar me arrogancë ndjeshmërinë publike, afera këto të shpeshta deri në normalitet duke mos përbërë më kryelajm ku i implikuari mjaft të “fshihet” për disa ditë derisa të tjera bëma nga të tjerë të sfumojnë vëmëndjen e interesin publik.
Vetëm një politikë e marrë peng ofron konçesione absurde ndaj interesave të fqinjëve me trashëgimi nacionaliste rreth kufirit, legalizimeve të simbolikave, pretendimeve etnike ndërkohë që akuzon parreshtur opozitën për antikombëtarizëm.
Vetëm një politikë e papërgjegjshme akuzon opozitën për shansin e humbur të kandidatit për në BE, aplikimin të cilin e përdori si kal beteje në zgjedhjet e shkuara (megjithë premtimin solemn se nuk do të ndodhte ashtu) sikurse vetëm pabesia politike shpjegon uzurpimin e meritave të shoqërisë shqiptare drejt NATO e denigrimin e impenjimit prej burrështeti të opozitës, ndonse ende ndjehej erë barut në Gërdec.
Vetëm një mazhorancë e dalë nga një proçes i dyshimtë elektoral e me plot “skelete në dollap”, nuk ndjen përgjegjësi përpara votuesit e zhbën çdo përpjekje për transparencë integrale zgjedhore si kërcënim direkt për habitatin e saj politik e privilegjet që pasuan. Hapja e kutive do të ishin “këmbanat” e rrënimit të saj moral-politik e këtë ajo e di.
“Mëkati” i parë
Në këtë zinxhir dështimesh, pasojë e shkak i mostransparencës zgjedhore, me dorëheqjen iluzion, gjeneza ishte mosrespektimi i votës si “tulla” e parë që, e vënë skiç, rrezikon gjithë “murin” e demokracisë të bjerë e zërë brënda të gjithë sëbashku me individin anonim e indiferent që kalon përditë përbri tij. Pa liri të votës, tejdukshmëri e paketë përgjegjësisht në administrimin e saj, gjithshka mbetet demagogji.
Opozita në emër të interesit publik, kërkon të verifikojë “themelet” përpara se të lartësohet më tej muri i ngrehinës që mazhoranca e prezanton si demokraci fasada e lyer bukur e së cilës nuk mund të përbëjë argument. E kritikuar për efikasitetin e strategjisë, opozita duhej të përfillte dinamikën e ngjarjeve e rekomandimet e partnerëve të Shqipërisë, respektonte “avantazhin e dyshimit” ndaj rivalit e vazhdimin e “lojës” deri në minutat shtesë për të ekspozuar “bllofin” alibi të mazhorancës nën petkun e parimit.
Ndryshimi i duhur
Sot nuk është më vetëm në të drejtën e opozitës për të konsakruar shënjtërinë e votës përballë një mazhorance konspirative që frikshëm bën “biografin” e rivalëve të saj e që nuk ka opsion veçse refuzimit të tejdukshmërisë zgjedhore, moshapjen e “gropës” me duart e saj e mosshitjen e armatës së bashkëpunëtorëve në proçes. Iluzionet mënjanë, opozita duhet të lexojë barometrin publik sepse topi sot është tek votuesi i thjeshtë që nëse ëndërron për vete e fëmijët, nuk duhet të ndërtojë jetesën nën kurthin e “murit” të shtrëmbër pseudodemokratik. Sot të gjithë druhen të ëndërrojnë e të gjithë intimidohen prej statukuosë së korrupsionit. Imperativ nuk është thjesht ndryshimi por ndryshimi i duhur. Jo rrokadë emrash e siglash partiake por mentalitet e predispozicion perëndimor, ndjeshmëri e përgjegjshmëri publike, emancipim politik e përulësi ndaj votuesit. Kauza nuk duhet të stepë askënd sepse nga vota e lirë, nuk humbet kërkush.
Comments are closed.
Mendoj se si po shkojne gjerat opozita politike, mediat e verteta (jo ato te shiturat si tv klan etj) intelektualet, artistet, analistet, gazetaret etj duhet te kuptojne nje gje THEMELORE se DEMOKRACIA SHQIPTARE ESHTE NE RREZIK pranadaj te mos merren me analiza e komente por te organizohen dhe te veprojne per nje gje fondamentale, kryesore, kryegjeja e te gjithave : qe te behet presion mbi parlamentin partite politike dhe sidomos mbi maxhorancen QE TE BEHEN ZGJEDHJE TE LIRA E TE NDERSHME .Te jeni te sigurt se Berisha nuk do te pranoje asnje ndryshim esencial ne ligjin zgjedhor qe e pengon ate te vjedhe votat per te siguruar fitoren. Ky eshte thelbi qe te ndalohet njehere e mire trafikimi ose vjedhja e votes, te tjerat rregullohen me pas. Demokracia ka aftesine qe te seleksionoje nepermjet votes qeverite e afta nga ato te paaftat, qeverite hajdute nga ato me integritet dhe te pastra.
Kjo analize brilante e zotit Artan Xh. Duka,eshte njekohesisht dhe nje thirrje ne ndergjegjen e gjithsejcilit prej nesh.Nese edge keto argumenta nuk mjaftoken ,qe te gjithe ne te bejme ate qe eshte me e mira ,tashti,dhe jo neser,se neser do te jete teper ,teper vone.atehere nuk na mbetet tjeter vec te presim dite edhe me te zynta.Nese kalon kesaj here “miu neper mustaqe”,atehere ai mi qe quhet SALI BERISHA,do ta beje rruge.Vjedheja e votes,ky gur i vene skic ne murrin e demokracise tone,do te na rrezoje gjithe ngrehinen,qe do ta ngrejme dhe do ta parfumosim me opinionet dhe analizat tona ,qe gjithmone calojne se nuk jane gjithperfshirese,qe gjithmone jane te mangeta,qe gjithmone argumentojne “te keqen me te vogel”.I lumte zotit Mero Baze,qe u hap vend opinionisteve brilante si z.Artan Xh. Duka