Nga Avni Zogiani, “Koha Ditore”
Transmetuesit e rrjetit televiziv transplanetar të “Earth-Show” kanë vendosur që të ndërpresin furnizimet për Tokën, sepse nuk është më Show interesant. Nuk ka luftëra, nuk ka sëmundje e katastrofa me pasojë vdekje masive, prandaj nuk ia vlen më transmetimi. Kështu, ky Show anulohet dhe të gjitha furnizimet i ndërpriten. Është ky një paraqitje me sarkazëm e rrjeteve televizive nga seriali sarkastik e cinik amerikan “South Park”, që pak a shumë i ngjan mënyrës si shihet Ballkani dhe sidomos Kosova nga jashtë.
Një Show që duhet të ketë adrenalinë brenda nëse dëshiron vëmendje. E vërteta është se Ballkani nuk ka qenë interesant për dhjetë vite rresht dhe prandaj sa për mediat e mëdha perëndimore ishte një Show në prag të anulimit. Nuk kishte luftëra, kurse rrëfimet për abuzimet dhe dështimet e ndërkombëtarëve në misionet në Bosnjë e Kosovë u bënë të mërzitshme.
Në episodin mbi “Earth Show”, një grup fëmijësh nga “South Park” kur kuptojnë se do të ndërpriten furnizimet e planetit tonë, shkojnë për t’i takuar pronarët e rrjetit televiziv ndërplanetar dhe iu premtojnë se do ta çojnë porosinë në Tokë se duhen luftëra e katastrofa të natyrave të ndryshme. Ngjashëm, raporti i prokurorit Dick Marty i bërë për Këshillin e Evropës sikur kishte për qëllim kthimin e vëmendjes së Perëndimit nga Ballkani, e sidomos nga Kosova. Është e vështirë të përcaktohet se cilës kategori i takon ky raport, është raport hetues i një prokurori, raport analitik i një përfaqësuesi të një organizate ndërkombëtare, raportim i një gazetari, apo të gjitha nga pak. Madje, raporti ka edhe konotacione të shërbimeve të inteligjencies, të cilat shpesh e lidhin gjithkënd me gjithçka dhe përfundojnë thjesht në konspiracione që nuk ndihmojnë shumë hetimin serioz të një çështjeje. Këto janë disa nga dilemat e mia në lidhje me raportin e zotit Dick Marty.
Është shkruar shumë dhe është thënë shumë rreth këtij raporti, në Kosovë, Serbi, në Evropë dhe më tutje. Kemi një entuziazëm të hapur të shprehur nga presidenti serb Boris Tadiq dhe një kundërshtim të mllefosur nga kryeministri Hashim Thaçi. Një raportim të gjerë nga mediat ndërkombëtare, të cilat ndonjëherë e kanë parë raportin si të qenë e ndonjëherë e kanë thumbuar atë me ironi duke përfshirë një raport të BBC që thotë: ku janë provat?
Të gjendesh në Kosovë ditëve kur nxor ky raport ishte një privilegj i jashtëzakonshëm. Është mahnitëse se të shohësh një shoqëri e tërë të mendojë njëjtë për një moment të caktuar. Isha i befasuar dhe i trishtuar se si po më ndodhte të shihja edhe njerëzit përreth me të cilët ndaja jetën time të përditshme të rreshtohen padiskutueshëm mbrapa kryeministrit Thaçi. Me një fjalë, shoqëria kosovare reagoi ndaj këtij raporti si një shtëpi. Shpia e Kosovës denoncoi njëzëri raportin si një konspiracion serb dhe kështu pak a shumë bëri edhe shoqëria shqiptare përgjithësisht. Vetëm një pikëvështrim doli të mos i bindet këtij qëndrimi dhe ai ishte i subjektit politik “Vetëvendosje”, e cila tha se “UÇK-ja nuk mund të njolloset me bëmat e Hashim Thaçit”, por që gjithsesi edhe “Vetëvendosje” e sheh këtë raport në vazhdën e shpifjeve e konspiracioneve anti-UÇK.
Për mendimin tim një homogjenizim i padiskutueshëm i një shoqërie të tërë rreth një qëndrimi që në fund të fundit lidhet me mbrojtjen e disa individëve të akuzuar, është një shfaqje sociopatologjike. Të tilla qëndrime ka pasur në Ballkan vazhdimisht dhe zakonisht kanë prodhuar regjime fatale. Një homogjenizim i tillë madje mund të ketë pasoja më të rënda dhe më afatgjate për një shoqëri sesa akuzat e liderëve për përfshirje në krim. Në fund të fundit, liderët janë individë të përkohshëm, prandaj mentaliteti i shoqërisë nuk duhet të ndërtohet nëpërmjet shfaqjeve të tilla totalitare.
Është thënë tashmë dhe mund të jetë e vërtet që këto akuza, sikundër u shpresua haptazi edhe nga presidenti serb Boris Tadiq, do të ndikojnë shumë në procesin negociator mes Kosovës dhe Serbisë që pritet të ndodhë në pranverë. Duke folur për raportin, presidenti “pro-europian” Tadiq tha: pas publikimit të raportit të Dick Martyt, çështja e Kosovës do të shihet nga një prizëm tjetër”. Natyrisht, një qëndrim jo vetëm naiv por edhe me reminishenca një regjimi që mendohej se po tejkalohet në Serbi. Mirëpo, e vërteta është se qëndrimet e tilla serbe vetëm shtyjnë kosovarët që të lidhen më fort rreth konsiderimit të akuzave ndaj kryeministrit Thaçi si akuza ndaj popullit kosovar. A mund ta ketë parallogaritur Tadiq se ky qëndrim i tij mund të ekstremizojë tutje kosovarët në paraqitjen e tyre totalitare? Nuk mund ta dimë.
Pa marrë parasysh çfarë qëndrimi kemi ndaj akuzave të Dick Marty ndaj Thaçit, apo edhe akuzave të liderit tjetër në Hagë, Ramush Haradinajt, e vërteta është se Kosova është shteti i fundit në rajon me liderë në adresë të të cilëve vijnë akuza të kësaj natyre. Ne edhe mund të fajësojmë një konspiracion më të gjerë antishqiptar në Evropë e gjetiu, por nuk e besoj se kjo mund të jetë zgjidhja. Fakti që dhjetë vjet pas lufte Kosova sërish gjendet në krye të raportimeve të mediave ndërkombëtare me storje nga lufta, nuk mund të mohohet. Prizma nëpërmjet së cilës bota do ta shohë Kosovën mbas raportit të Dick Marty, për të cilën flet presidenti serb, do ngelet në kuadër të dëshirave të Tadiqit vetëm nëse shoqëria kosovare sheh përtej këtij momenti dhe përtej këtij lidershipi.
Comments are closed.
ky avnija ben si koke e madhe e kohes se tone, qe i merr e i palos te gjitha anet, me sigurine e te qenit brenda ‘shtepise kosovare’ shume prane asaj shqiptare, krejtesisht i bindur se arrin te dalloje nuancat, kontradiktat…por edhe me nje vizion te zgjeruar mbi ‘lojen e botes’ , madje per te na e vertetuar kete permend south park si nje kontemporar i vertete, duke legjitimuar keshtu zgjuarsine e tij, se pasi arrin te deshifroje cartonin amerikan, madje edhe ta intepretoje ate lokalisht.
o avno, po kush merr e te boton ty gjithandej ne gazetat “kundra-rrymes” o aman…po si ste bie pika ty e te gjithe tocave si puna jote. edhe mos dil ne tv te mbrosh vetvendosjen si gazetar i pavarur e analist perparimtar…qe ju shofte historia races tende!