Mohimi i thjeshtë i raportit të Marty-t nuk e ndihmon Kosovën

27 Dhjetor 2010, 09:59Blog TEMA

Nga Florian Bieber

Raporti i Dick Martyt është një dokument i rrezikshëm. Ai nuk është i thatë dhe i matur, të cilin njerëzit do ta prisnin prej një raporti të Këshillit të Evropës, duke përfshirë në vend të kësaj shprehjen e shpeshtë të indinjatës dhe zemërimit moral, gjë e cila nuk i ndihmon që të trajtohet si neutral.

Për më tepër, kundërshtimi i hapur i Martyt ndaj pavarësisë së Kosovës nxit në mënyrë të pashmangshme dyshime se ky raport e ka marrë formën nga qëndrimet e tij personale për pavarësinë e Kosovës.

Se a është kjo e vërtetë, apo jo, mund të mos ketë rëndësi, mirëpo fakti se shoqërisë kosovare ai shpesh i referohet si shoqëri “ende e orientuar nga klanet” dhe “ku mungon një shoqëri e vërtetë civile”, ia jep raportit një hije stereotipike.

Më në fund, raporti duket i obsesionuar për ta sfiduar atë që autori e konsideron jobalancë në perceptimin e konfliktit të Kosovës si konflikt “midis serbëve në njërën atë, të cilët konsideroheshin të këqij, dhe shqiptarëve të Kosovës, që konsideroheshin si viktima të pafajshme”.

Kjo paraqet një interpretim të shtrembëruar rreth asaj se si shihet në të vërtetë konflikti, dhe janë të paktë studiuesit apo vëzhguesit e vëmendshëm që do ta mbështesnin një pamje të tillë. Edhe kjo e vë në rrezik raportin. Një raport duhet të merret më pak me luftimin e perceptimeve, duke u përqendruar në atë se çfarë ka ndodhur. Interpretimi se si kjo gjë mund të ndikojë në perceptimet e konfliktit është më mirë që t’u lihet të tjerëve.

Ashtu siç thekson edhe vetë Marty, provat për akuzat janë të pakta, apo të paktën nuk mund të paraqiten publikisht, për shkak se raporti mbështetet në dokumente të pabotuara dhe sekrete.

Ndonëse këta faktorë e dobësojnë raportin dhe ia ulin peshën, një gjë e tillë nuk do të thotë se raporti është i parëndësishëm. Përgjigjja e kryeministrit Hashim Thaçi, kur ai tha se ishte fyer si “kryeministër i Republikës së Kosovës, mirëpo në rend të parë si qytetar dhe prind”, bën të ditur se raporti ka prekur në tela.

Thaçi e hedh poshtë në veçanti idenë se UÇK-ja ka mundur të kryente krime, duke deklaruar se “e tërë bota e di se kush ishte agresori dhe kush ishte viktima në Kosovë”.

Natyrisht se kjo deklaratë është e rrezikshme, për shkak se kurrë nuk ka viktima absolute dhe agresorë absolutë. Ky argument është bërë në pothuajse secilin shtet të ish-Jugosllavisë. Megjithatë, pohimi se nëse je në anën e viktimave, atëherë nuk ke bërë krime, është absurd.

Ky pohim për viktimizim absolut ka qenë baza e miteve në të gjitha shtetet e rajonit. Në Kosovë në veçanti ky mit nuk është sfiduar në masë të mjaftueshme. Ashtu siç edhe dëshmon emërtimi i Aeroportit të Prishtinës me emrin e ish-luftëtarit të UÇK-së, Adem Jashari, kulti për UÇK-në është duke e futur Kosovën në grackë.

Në vend të të pasurit të “miteve të shumëllojshme”, duke u përfshirë më shumë edhe me taktikën e rezistencës paqësore të të nëntëdhjetave, shteti dhe udhëheqja e tij e kanë lidhur veten shumë me UÇK-në, dhe kjo ndikon edhe tek shteti, kur UÇK-ja implikohet në krimet për të cilat akuzon raporti i Martyt.

Ndërtimi i shteteve nacionale është shpesh një ndërmarrje e përbashkët kriminale, që përfshin dëbimin e pakicave, luftën kundër fqinjëve dhe aktet e dhunës. Kjo nuk e dallon Kosovën edhe aq shumë prej shteteve të tjera.

Problemi i Kosovës qëndron tek reputacioni i saj. Padrejtësisht, apo jo, Kosova shpesh lidhet me krimin e organizuar dhe me kërcënimin e dëshmitarëve. Për këtë arsye, mohimi i thjeshtë nuk është strategji e mirë për ndryshimin e këtij perceptimi.

Në vend se të mohohet se krimet janë kryer, mënyra e pranimit të Kosovës si shtet legjitim është që të merret një qëndrim kritik ndaj trashëgimisë së UÇK-së, duke mos lejuar që “patriotizmi” të bëhet arsyetim për moshetimin e krimeve.

Kryeministri Thaçi mund ta ketë mbikëqyrur pavarësinë e Kosovës, mirëpo reagimi i tij pas raportit dhe sugjerimet e tij të paqarta rreth konspiracionit serb nuk do t’i ndihmojnë reputacionit të Kosovës, e për rrjedhojë edhe legjitimitetit të saj ndërkombëtar.

(Autori është profesor për studime evropiane juglindore në Universitetin e Grazit)

2 komente në “Mohimi i thjeshtë i raportit të Marty-t nuk e ndihmon Kosovën”

  1. leonardi says:

    ku ka ze seshte pa gje pra dicka ka te vertete qe per politike shfrytezohet te permbyse ceshtjen kosovare pra te pergjithesohet ajo dhe per te dale nga kjo gjendje mire eshte te deklarohet doreheqje e thacit dhe te dilet ne publik se ceshtja nuk eshte kompromentuese per gjithe politiken kosovare por e tij personale dhe keshtu ai do te jap mundesi qe kosova te fitoje dhe ai te lehtesohet ne fajin e tij.Kjo do te tregonte dhe patriotizmin e vertete te Thacit qe per kosoven te sakrifikoje veten.

  2. agim says:

    Normalisht,një perceptim i tillë,se si shikohet lufta dhe vepra e një ushtrie e cila në këtë rast i ka shërbyer një kauze kombëtare,ajo sot për sot mund të pranohet thjesht në mënyrë teorike.Pasi vërtet kemi një realitet të ri,por një europë,madje kemi një bot të tërë të vjetër,e cila i ka përcaktuar kufijtë e shteteve dhe se kush dhe qysh d=uhet ta drejtojnë.mir apo keq, secilin popull dhe shtet.Ky dhjet-vjeçar i lirisë në kosovë,nuk mund të vlejë si shembulli më i keq që ka njohur bota.nëse raporti mbështetet në fakte dhe të dhëna sekrete,do ishte më e ndershme ti çohej drejtësisë dhe jo publikut.Fakti që një prokuror ja jep publikut dhe jo prokurorisë këtë dokument,(edhe pse ka pasur,një proces të hapur dhe të mbyllur pa vërtetuar dot asgjë),tregon më tepër për atë se Marty,nuk i hedh kollaj miqtë…Të gjitha liritë dhe fitoret e shteteve në botë kanë ardhur si pasojë e bërjes së revolucioneve dhe luftës së armatosur…Edhe UÇK,nuk mund të përjashtohet nga kjo e drejtë…Sa për atë se ësht viktimë ose jo kosova,në konfliktin me armatën serbe,do ishte njësoj sikur profesor Florianin,ndërsa shpiegonte në auditor për studentët,vjen një grup me maska dhe të armatosur dhe pa një pa dy, e flakën nga auditori.A nuk ësht në këtë rast,profesori viktimë…!?? …Më në fund,analiza e mësipërme ësht një mënyr e mir të gjykuari,por jo e paqortueshme në pjesën më të gjatë të saj..

Comments are closed.

Lini një Përgjigje