Gara e patriotëve të dalldisur

28 Dhjetor 2010, 19:31Blog TEMA

Nga Enver Robelli

Dikush e quan Dick Martyn sharlatan, tjetri shkruan se e paskësh gruan “shkinë”; një tjetër thotë se raporti i tij fund e krye qenkësh i rrejshëm, disa të tjerë mendojnë se deputeti zviceran është i sëmurë mentalisht; madje kishte edhe politikanë shqiptarë që kërkuan trajtim mjekësor për të! Duket qartë se gjakftohtësia nuk qenkësh virtyt i shumë shqiptarëve. Më tepër parapëlqehet gara patriotike, një garë e neveritshme, sepse zhvillohet brenda kufijve të Kosovës dhe të Shqipërisë, ku pothuaj të gjithë e njohin njëri-tjetrin dhe gati të gjithë shtyhen me bërryla se cili është më trim se tjetri në qëndisjen e fyerjeve. Hajredin Kuçi, megjithëse zëvendëskryeministër, e quajti Dick Martyn “një Milosheviq i vogël” dhe kërcënoi se qeveria do ta hedhë në gjyq këtë zviceran dashakeqës dhe gazetën po ashtu dashakeqëse britanike “The Guardian”. Ky ton nevrik është tipik për qeverinë e Hashim Thaçit. Para disa muajsh eksponentë të kësaj qeverie i shpallnin antishtetërorë gazetarët që kritikonin papërgjegjësinë, krimin e organizuar, korrupsionin, banditizmin. Madje kërkohej – indirekt – që gazetarëve që s’e kanë shitur lëkurën në pazarin e madh të kafehaneve të mykura të Prishtinës t’u merrej shtetësia e Kosovës. Kur kritikohej korrupsioni përfaqësues të kësaj qeverie i referoheshin Adem Jasharit, gjakut, sakrificës. Thua se Adem Jashari pak para se të flijohej paskësh lënë një amanet: “Plaçkitni sa të mundeni”!

Natyrisht, që të gjithë shqiptarët kanë të drejtë të jenë skeptikë sa i përket raportit të Dick Martyt. Është një raport problematik, gjithsesi. Shpesh bazohet në burime të dyshimta, prej të cilave nxjerr përfundime goditëse kundër një garniture politike. Por e udhës do të ishte që shqiptarët të reagonin me maturi ndaj këtij raporti. Jo me emocione dhe dalldi, siç po veprojnë jo vetëm politikanët, por edhe disa intelektualë me nam të merituar dhe të tjerë me famë të shpifur. Në këtë situatë të dalldisë nacionale i mbetet shoqërisë kosovare vetëm të presë ditën kur Hashim Thaçi dhe Hajredin Kuçi, si përfaqësues të Kosovës bashkë me një ekip avokatësh, të ballafaqohen në gjyq me Dick Martyn dhe me krejt komplotistët botërorë antikosovarë. Për ndihmë mund ta thërrasin edhe atë agjencinë famoze të marketingut Saatchi & Saatchi, e cila me disa posterë në Kosovë (jo në botën e jashtme) e ka ndrequr (lexo: shkretuar) imazhin e Republikës së njomë. S’ka lidhje kjo punë, me rëndësi është që, siç dyshohet, nga ky lloj allishverishi i zhvati disa miliona euro Ariel Raubvogel, një dallkauk izraelit dhe këshilltar i qeverisë. Latinët thoshin: Nomen est omen! “Raubvogel” në gjermanisht domethënë “shpend grabitqar”. Ariel Shpendgrabitqari erdhi në Prishtinë dhe dyshohet se grabiti aq sa mundi, sepse kështu donte pushteti – gjithnjë në emër të përmirësimit të imazhit të Kosovës. Sa duhmë e rëndë po i vjen këtij keqpërdorimi – ndërsa askush nuk ka fuqi ta hetojë. Rroftë Republika e Kosovës! Rroftë Hashim Thaçi! Rrofshin vjedhësit e votave! Rroftë Ariel Shpendgrabitqari! Rrofshin të gjithë prokurorët e Republikës së Kosovës!

Pse ky panik?

Në gjithë këtë zallamahi reagimesh kundër raportit të Dick Martyt u shqua vetëm një zë që tingëllon i arsyeshëm. Kolegët partiakë dhe të tjerët mund të mendojnë çfarë të duan për Xhavit Halitin, njërin prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, për dallim prej shumë “jurishnikëve” të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët rrinin hazër për t’i hyrë në hatër shefit, Haliti ishte i matur pas publikimit të raportit. Ai tha se Prishtina duhet të jetë e gatshme për një hetim të këtyre akuzave, ishte i pranishëm në Paris, kur Marty prezantoi raportin e tij, dhe paraqiti një deklaratë në emër të delegacionit të Kosovës.

Nëse nuk ka asgjë për të fshehur, atëherë pse gjithë ky panik në radhët e atyre që thonë “ne dhe vetëm ne” e çliruam Kosovën? Pse ky panik në mesin e atyre vogëlushëve dhe çupave të Partisë Demokratike, të cilët nuk shquhen për ndonjë kujtesë të besueshme historike? Çfarë e detyron Adem Demaçin që në stilin e një propagandisti të regjimit të Pol Potit të thotë se Dick Marty na qenkësh një lobist i armëve dhe qëllimi i raportit të tij qenkësh të provokojë një luftë në Kosovë, në mënyrë që Zvicra apo mafia e kontrabandistëve të shesë armë? Ky ishte tonaliteti i deklaratës së Adem Demaçit dhënë televizionit kinse publik. Askush në Kosovë nuk do duhej ta imitonte tash shovinistin serb Brana Cërnçeviqin, sepse kështu ky vend bëhet gaz i botës, shpërfaqet si shoqëri qesharake me figura diletantësh.

Është e tmerrshme kur aventurierë dhe populistë, që duket se nuk e kanë lexuar as raportin e Dick Martyt, të bërtasin si të ishin në kafehane se gjoja këtu kemi të bëjmë me një komplot mbarëbotëror kundër Kosovës. Është e saktë që Marty, si shumë politikanë të tjerë në Evropë dhe gjetiu, ka qenë skeptik sa i përket pavarësisë së Kosovës. Por, ata që flasin broçkulla të tjera është më mirë njëherë të lexojnë me kujdes raportin dhe deklaratat e këtij deputeti zviceran. Pak ditë pas pavarësisë ai tha se Kosova ka problem me krimin e organizuar. Kush mund ta mohojë këtë? Njëkohësisht Marty tha se nuk mund të përjashtohet mundësia që Kosova të jetë e pavarur. Por, ai njëkohësisht kërkonte që për pavarësi të krijohen kushtet, sepse pavarësia është mbi të gjitha përgjegjësi dhe jo vetëm mundësi për plaçkitje të resurseve të shtetit. Shkurt dhe qartë Marty thoshte se Kosova duhet të spastrohet nga krimi i organizuar për të qenë shtet i suksesshëm dhe i denjë për t’u pranuar në familjen evropiane.

Fillet e fashizimit

Në arkivin e mediave zvicerane (www.smd.ch) nuk mund të gjendet asnjë deklaratë e Dick Martyt kundër bombardimeve të NATO-s. Por, edhe nëse ka qenë kundër, siç kanë qenë me dhjetëra e dhjetëra politikanë të tjerë në Evropë, ky qëndrim s’e bën Dick Martyn as të çmendur, as aleat të Rusisë dhe Serbisë. Edhe tani, gati tri vite pas shpalljes së pavarësisë dhe pas publikimit të raportit të tij tendencioz, Marty i kritikoi ata politikanë të Partisë Popullore të Zvicrës, të cilët merren me punë të kota, siç është kërkesa për anulimin e njohjes së shtetësisë së Kosovës nga Berna. Në fund të korrikut 1999 politikani popullist Giuliano Bignasca kishte shpërndarë një karikaturë, ku presidentja e atëhershme e Zvicrës Ruth Dreifuss, një politikane me origjinë hebraike, prezantohej si seks-bombë e majme. Me këtë Bignasca kritikonte mbështetjen financiare të Zvicrës për refugjatët nga Kosova. Atëbotë Marty e kishte quajtur sulmin e Bignascas të ngjashëm me fillet e fashizmit italian. Gjatë konfliktit në Kosovë Marty ishte ndër deputetët më të zëshëm që kërkonte nga Zvicra dhe bashkësia ndërkombëtare të angazhoheshin që refugjatët kosovarë të qëndronin në rajon, në mënyrë që pas dëbimit të forcave serbe të kenë mundësi të kthehen në shtëpitë e tyre. Kjo kërkesë ishte edhe në interes të shqiptarëve të Kosovës, sepse shpërndarja e tyre nëpër botë do të vështirësonte ose pamundësonte kthimin në vendlindje. Kështu Serbia do të dilte prapë fitimtare e konfliktit. Dhe shqiptarët do të ishin shpërndarë nëpër botë sikur kurdët.

Cili do të duhej të ishte reagimi i qeverisë së Kosovës pas raportit të Martyt? Ajo do duhej t’i shmangej çdo emocioni populist dhe t’i bënte thirrje Dick Martyt që të gjitha faktet, akuzat, dëshmitë dhe provat t’ia dorëzojë një prokurori në të cilin ai ka besim. Le të jetë prokuror zviceran, austriak, britanik apo gjerman. Si shembull do të mund të merrej rasti i vrasjes së ish-kryeministrit të Libanit, Rafik Hariri. Në atentatin kundër tij supozohet se ishin të përzier pjesëtarë të shërbimit sekret sirian dhe libanez. Meqë Libani si shtet nuk ishte në gjendje të zhvillojë një hetim të pavarur të këtij rasti lënda – me pëlqimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara – iu dorëzua kryeprokurorit të Berlinit, Detlev Mehlisit, dhe më vonë juristit belg Serge Brammertzit, i cili sot është kryeprokuror i Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi. Edhe kryeministri Thaçi do të duhej të mendonte në këtë drejtim. Nuk mjafton vetëm të thuhet: “Jemi të hapur për hetime”. Duhet krijuar kushtet dhe duhet të bashkëpunohet me drejtësinë ndërkombëtare për të hequr këtë njollë nga lufta e drejtë për çlirimin e Kosovës. Le të gjejë Dick Marty një prokuror dhe qeveria e Kosovës, misioni i Bashkimit Evropian Eulex dhe autoritetet në Shqipëri, le të jenë në dispozicion të tij me qëllim të zbulimit të së vërtetës. Është interes jetik i Kosovës që të spastrohet nga akuzat e rënda që përmban raporti. Është punë e padobishme që qeveria tani të merret me zbulimin e gjoja armiqve të brendshëm, të cilët, siç po pretendon Thaçi, i kanë dhënë Dick Martyt informata të rrejshme. Tani kërkohet rezonim shtetëror dhe jo zbrazje e dufit inatçor. Krimi është individual. Kush ka bërë krime, duhet të përgjigjet para ligjit. Kush i ka shkelur ligjet e luftës, duhet të përgjigjet. Kush ka torturuar pengje të luftës, mes tyre kolaboracionistë të vërtetë, por edhe të shpifur të Serbisë, rivalë politikë dhe kritikë, gjithashtu duhet të ballafaqohet me ligjin. Kështu mund të evitohet njollosja e luftës për çlirimin e Kosovës, e cila s’është meritë e një grupi, e një tarafi, e një rajoni apo një klani.

Projekti për çlirimin e Kosovës është i gjerë dhe aty e kanë hisen të gjithë ata që sipas takatit dhe rrethanave politike kanë dhënë kontribut herë modest, herë vendimtar. Sikur kryeministri Thaçi dhe rrethi i tij të mendonin në këtë drejtim, atëherë do të krijoheshin rrethanat për kufizimin e dëmit që shkaktoi raporti tejet problematik dhe tendencioz i Dick Martyt. Veprimet në stilin “na sulmoi Marty, hajde tash ta sulmojmë ne” çojnë në dëmtimin e mëtutjeshëm të imazhit të Kosovës. Raporti tepër i diskutueshëm i Dick Martyt mund të demontohet me argumente, jo me kujë agresive. Nuk rrëzohet ky raport duke bërë politikë për konsum të brendshëm dhe duke propaganduar mentalitetin e bunkerizimit nacional. Është tepër shqetësues fakti që raporti i Martyt u miratua njëzëri në Komisionin për çështje juridike të Këshillit të Evropës. Nuk mund të thuhet se të gjithë ata parlamentarë evropianë që kanë votuar për këtë raport janë armiq të Kosovës. Shumica vijnë nga shtetet që e kanë çliruar Kosovën dhe më vonë e kanë pranuar si shtet.

Heshtja e gjatë

Siç shkroi politikani britanik, Denis MacShane, raporti i Dick Martyt nuk është dokument i saktë juridik. Po ashtu duhet të merret parasysh se Rusia e ka (keq)përdorur Këshillin e Evropës si forum për të promovuar politikat e saj dhe për të diskredituar të gjithë liderët e Kosovës. Edhe më shqetësues është fakti se misioni i Dick Martyt është nënçmuar nga autoritetet në Prishtinë dhe Tiranë. Është ditur se Marty është duke përgatitur raport, por pushteti ka dështuar që deputetin zviceran ta furnizojë me fakte e dëshmi, madje s’është marrë aq seriozisht puna e tij. Janë botuar tekste në media me renome për çështjen e krimeve eventuale të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por as Shoqata e Veteranëve të Luftës, as qeveria dhe as instanca të tjera nuk iu kanë kundërvënë këtyre pretendimeve në mënyrë serioze e me fakte. Madje shpesh edhe gazetarët perëndimorë që kanë hulumtuar këtë temë janë parë si vegla të shërbimit sekret serb. Por, a është e mundshme që të gjithë ata që janë kritikë ndaj të metave të shoqërisë së Kosovës të jenë instrumente të Beogradit? Kjo është qesharake.

Tek pas raportit të Dick Martyt kryeministri Thaçi tha se nuk e përjashton mundësinë që dikush të ketë keqpërdorë uniformën e UÇK-së. Ky qëndrim po shprehet me 10 vjet vonesë. Niveli i neglizhencës është tepër i madh, siç e tregon shembulli i mëposhtëm. Para disa javësh një gazetë prestigjioze shkroi në lidhje me dosjet e shërbimit sekret serb të disa politikanëve shqiptarë në Maqedoni. Siç e dimë kjo temë bëri jehonë në të gjitha viset shqiptare. Më vonë u zbulua se dosjet ishin falsifikim. I dyshuari për falsifikim, një shqiptar që kishte punuar për shërbimin sekret maqedon, u arrestua në Tetovë. Autori i shkrimit në gazetën prestigjioze njoftonte lexuesit se i arrestuari ishte anëtar i partisë së kryeministrit kosovar Hashim Thaçi. Më tutje në tekst thuhej se prapa falsifikimit të dosjeve kundër politikanëve shqiptarë në Maqedoni, pra kundër Ali Ahmetit dhe Fazli Veliut, qëndronte vetë Hashim Thaçi. Autori i tekstit këtu e kishte ngatërruar Hashim Thaçin me politikanin tetovar Menduh Thaçi. Qeveria e Kosovës nuk e pa të udhës ta demantojë këtë lajm, edhe pse ishte e njoftuar (për këtë gabim të rëndë të gazetës së njohur personalisht i kam njoftuar dy funksionarë të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët janë të afërt me kryeministrin Hashim Thaçi).

Edhe nga kjo përvojë mësojmë: Një pjesë e madhe e pushtetarëve të Kosovës, me sa duket, ende nuk e kanë kuptuar se çfarë domethënë të drejtosh shtetin. E, të drejtosh shtetin domethënë të jesh i përgjegjshëm dhe të jesh i organizuar mirë jo në nëntokë, por të ndërtosh një sistem legal dhe funksional. Hashim Thaçi do duhej të nxirrte mësime si nga raporti i Dick Martyt, ashtu edhe nga ky shembulli që përmendëm në fund të këtij teksti. Sfida e ardhshme është para derës: në fund të janarit raporti i Martyt do të prezentohet në Këshillin e Evropës. Mbetet të shihet se çfarë performanse do të ketë Kosova kësaj radhe. Mbetet, po ashtu të shihet, a do të jenë të pranishëm në seancën e Këshillit të Evropës përfaqësuesit e Shqipërisë, të cilët shkëlqyen me mungesën e tyre shembullore kur Dick Marty para disa ditësh në Paris paraqiti raportin e tij. Kosova nuk ka nevojë për garë të patriotëve të dalldisur, por për patriotë që besojnë në ligj dhe zbatojnë ligjin.

2 komente në “Gara e patriotëve të dalldisur”

  1. Kris says:

    Shume e qarte.Kosoves edhe Shqiperise uduhenzgjedhie te reja te drejta dhe te pa manipuluara.

  2. ivani says:

    bile- bile sa me pare ne shqiperi se po shperbehemi si shtet

Comments are closed.

Lini një Përgjigje