Nga fillimi i nëntorit të vitit 1998, në kohën kur armëpushimi i brishtë, i arritur pas Marrëveshjes Holbrooke-Milosheviq, ende po mbahej disi, organizatat ndërkombëtare që po vepronin në Kosovën e kapluar nga lufta morën për detyrë të bënin evidencimin e shtëpive të djegura nëpër komunat ku kishte pasur veprime ushtarake.
Së bashku me ekipin e UNICEF-it, mua më ra hise t’i numëroja shtëpitë e djegura në komunën e Rahovecit. Pasi që kishim kaluar nëpër të gjitha fshatrat e Andrinisë, që kishin përjetuar të digjeshin madje dy herë (në korrik e shtator 1998), e ku s’kishte shtëpi të paprekur, arritëm madje deri te Kozniku në maje të kodrës. Aty s’kishte mbetur shtëpi e pakallur prej atyre 50 sa kishin qenë. Aty edhe kisha parë kolonën më të gjatë të veturave private të kallura… dikur pronë e popullatës, e cila nga fshatrat përreth përpiqej të largohej për ta shpëtuar shpirtin, të vetmen gjë që u kishte mbetur ende e pashkatërruar…
Ditën e fundit, në rrugë për në Rahovec, kaluam nga Mrasori, ku të tridhjetë shtëpitë ishin djegur dhe një pjesë e murit të kalasë së vjetër në fund të fshatit ishte dëmtuar me tanke. Pasi e kaluam Rahovecin e zymtuar nga era luftë që ndihej në ajër, arritëm te fshati i fundit që kishim për të vizituar – Opterushën. Para hyrjes në fshat ishte stacionuar një patrullë policie që jo vetëm nuk na ndali, por gati sa nuk na luti të hynim në fshat… e kjo ishte shumë e çuditshme dhe nuk zgjonte parandjenja të mira. Me të hyrë në qendër të fshatit, na rrethuan mbi një duzinë ushtarësh të UÇK-së. Na pyesnin në mos kishim parë një veturë nga drejtimi i Suharekës, se druanin se policia ua kishte zënë komandantët Toni e Mici në pritë. Kishim ardhur nga drejtimi i Rahovecit, prandaj edhe s’kemi mundur ta shihnim veturën, por mirësjellja e tepruar e policisë serbe ishte tregues i mjaftueshëm se prita vërtet kishte ndodhur.
Në atë çast, policia u pozicionua në kodër, duke kthyer nishanet në drejtimin tonë, përderisa ushtarët nuk largoheshin dot nga xhipi, duke e përdorur atë, e besa edhe neve, si mburojë kundër ndonjë sulmi eventual. Nisëm lëvizjen e veturës në drejtim të shtëpive të afërta nga ana e djathtë jona, që u dha mundësi të mjaftueshme ushtarëve që të strehoheshin, derisa ndërkohë njërit prej tyre iu kujtua të na pyeste se çfarë kërkonim aty. U treguam se kishim ardhur t’i numëronim shtëpitë e kallura (sa surreale, duke marrë parasysh se lufta do të përfundonte vetëm pas shtatë muajsh), dhe se do të nisnim nga pjesa e poshtme, nga rruga që na lidhte edhe me fshatin Reti. Por nuk mbërritëm as treqind metra poshtë, kur na doli një ushtar i çartur me bazukë në dorë, që pos që na shau nënat kolektivisht, sa nuk na çoi në hava me atë send të cilin nga nervozizmi as që dinte ta kontrollonte: “Neve po na i vrajnë njerëzit, e ju k’tu po vini me na i numru shpijat. Hupni prej k’tuhit sa s’ju myta”. Po valla, na kishim dalë në piknik për t’u shëtitur, e i kishim kaluar së paku pesë kontrolle policore për të arritur deri aty, e për të përjetuar zemërimin që u zbrazej personave të gabuar. Hajde që policët na mbanin ende në nishan, tash u paraqit edhe ky bashibozuku mbushur mllef që s’e kishte me hajgare. Mbetëm pa i numëruar ato 300 e kusur shtëpitë e Opterushës – për shkaqe objektive do të mund të thuhej.
Raportin që e dërgova “te vendi”, pa Opterushën, tregonte se diku mbi gjysma e shtëpive të fshatrave që kishim vizituar ishin djegur, duke qenë megjithatë Zatriqi, fshati i cili më la pa mend – prej 70 shtëpive, shumica prej gurit, mbase nja 80-90 për qind ishin shkatërruar me tanke. Çuditërisht, e vetmja ndërtesë që kishte shpëtuar pa u djegur krejt kishte qenë xhamia. Zjarri ishte fikur përbrenda duke i lënë muret e nxira, por ende të përdorshme ndërtesën, sa për ta improvizuar ambulancën sa herë që vinim në fshat.
Shtatë muajt që do të vijonin pas këtij evidentimi, do të sillnin edhe kalljen e tretë, që do ta përjetonin fshatrat e Rahovecit, krahas edhe shumë e shumë fshatrave e edhe qyteteve të Kosovës. Për më tepër, do të sillnin dëbimin më masiv të popullatës shqiptare që do të jetë regjistruar ndonjëherë në këto treva (pas dëbimit të shqiptarëve për në Turqi, për të cilin ka kohë që kemi harruar të flasim), do të shfrytëzoheshin për kryerjen e një varg masakrash e dhunimesh nga ana e trupave serbe që do të përfundonin me zhdukjen masive të trupave të pajetë (apo mbase edhe me jetë) të civilëve shqiptarë. Për të mos folur për vjedhjen e të gjitha pronave me vlerë që u merreshin shqiptarëve me dhunë e ngarkoheshin në kamionë për t’u bartur në Serbi…
Të gjitha këto ndodhën në prezencën e shumë dëshmitarëve, ngase kriminelët ishin aq të pafytyrë sa nuk iu frikuan asnjë pasoje – thuajse e dinin se do të mbesnin të pandëshkuar. Thuajse e dinin se pas luftës, gjëja e fundit që t’u binte ndërmend kosovarëve do të ishte që të evidentoheshin të gjithë të vrarët, të zhdukurit, të dëbuarit dhe të gjitha pronat e shkatërruara dhe të vjedhura, që do të duhej të shërbenin për të ngrehur padi kundër Serbisë para cilësdo gjykatë që do ta kishte juridiksionin për të vendosur për shkeljen masive të të drejtave të njeriut; të së drejtës humanitare dhe të zakoneve të luftës. Ashtu siç do të duhej të dinim se, në rast bisedimesh me Serbinë, sa do të duhej kërkuar dëmshpërblim nga ky shtet vrastar, në emër të reparacionit të luftës.
Në vend të gjithë kësaj, ne vetes i japim autogola dhe ende merremi me supozime dhe numra të përafërta: prej 8 deri në 12 mijë të vrarë; prej 2 deri në 5 mijë të zhdukur; prej 800 mijë deri 1 milion të dëbuar; prej 100 deri 120 mijë shtëpi të shkatërruara; prej 400 deri në 500 xhami të shkatërruara, etj. – kur e kemi pasur gjithë kohën e dynjasë që të merremi me këto evidenca dhe atë në mënyrë sistematike dhe shkencore po deshët, sepse nga përfundimi i luftës shkuan tashmë njëmbëdhjetë vjet e gjysmë… Bëjeni hesap se më 2011 e kryejnë maturën ata që më 1999 kanë qenë në klasën e parë…
Dhe përderisa pjesa e parë e monografisë për krimet e luftës në Kosovë doli vetëm sivjet, shumë pak kush e ka parë dhe shumë pak kush ka folur për këtë dhe shumë pak kush do të ketë ndërmarrë çfarëdo që dokumentimi i krimeve të Serbisë në Kosovë të bëhet publike e që të kuptohet përfundimisht – meqë tash janë ngjallur shumë dyshime – se kush është viktima e vërtetë në Kosovë. Kështu, në mungesë të interesimit dhe të ndërgjegjes ballafaqohemi me situatën kur, duke na u shkelur sovraniteti dhe në tokën tonë, akuzohemi se i kemi bërë dëm popullit serb. Për shkak të udhëheqësve të shtetit i gjithë populli mallkohet, pavarësisht se mallkimi vjen nga përfaqësuesi i një institucioni fetar që gjithnjë ka bekuar krimin e shtetit serb, jo vetëm në Kosovë, por kudo që ka vepruar. Kurse këtë e bën edhe në prezencë të trashëgimtarit të Kasapit të Ballkanit, i cili edhe ka fytyrë të shëtitet lart e poshtë Prizrenit, përderisa institucionet e Kosovës shikojnë seri. Duke i dhënë vetes autogola të njëpasnjëshme, në kërkim të dëshmimit të pushtetit, si të rastit të bashibozukut nga pjesa e parë e rrëfimit, sepse e ka fuqinë e dhunës në dorë.
Kurrë nuk më kishte marrë mendja se shkrimi im i nëntë për Vitin e Ri do ta kishte këtë përmbajtje dhe do ta kishte këtë ton kaq të palumtur dhe të dëshpëruar. Por mbase ky shkrim reflekton zemërimin që vitin që po e lëmë pas u rrit, ngase balanca anoi nga ena që përmban të gjitha gjërat që shkojnë keq në këtë Kosovë, duke nisur nga ekonomia, arsimi e shëndetësia; të gjithë atë hajninë dhe krimin që zhvillohen e që mbesin të pandëshkuara; vjedhjen e votës së lirë të qytetarëve (“Bac u kry: votuam edhe për ty”) dhe demokracinë e shndërruar në shakanë më të keqe, e cila nuk përpihet as me kripë e as me sheqer… Reflekton edhe humbjen e pjesshme të shpresës (nuk po dorëzohem, ende kam një grimë shpresë të cilën e mbështes mbi njerëzit e rinj e të pakomprometuar) se të gjitha vitet e vuajtjes, të cilat i mbijetoi Kosova, do ta kenë, në perspektivë jo të largët, për shpërblim një shtet të mbarë me rend e me ligj e pa demagogji.
Për një vit pa autogola! Gëzuar!!!