Nga Artan Sadiku, saktivista.com
Ështe e paevitueshme ti shpëtosh sot hegjemonisë festive të fundvitit të përcjellë me tërë cirkun e zbukurimeve, maskimeve, dhuratave, ahengjeve. Universaliteti i kësaj kulture është i pamohueshëm mu për faktin se si e tillë ajo është përbrendësuar në kapitalizmin e sotëm neoliberal, si sistem më depërtues në gjithë historinë. Në mënyrë kontradiktore por teleologjike, kjo ideologji thelbësisht depërtuese e shpërndan veten në nivel universal përmes asaj është lightkultur (shpërndarje universale e vlerave sipërfaqësore).
Globalizimi si aparat ideologjik i këtij sistemi siguron përhapjen e kësaj kulture përmes së cilës edhe Japonezët edhe Etiopianët i nënshtrohen propagandes së njejtë të marketingut, ku krishtlindjet janë ngjarje globale festive, ku zbukurimet e qyteteve kaplojnë shuma milionëshe dhe ku histeria e dhuratave, si formë sëmundjeje e re që po të futet në studimet psiko-patologjike, bëri që vetëm për një ditë (Black Friday 2010) në Amerikë të blehen dhurata në vlerë prej 45 miliardë dollarësh (ndërsa për të luftuar varfërinë në Afrikë G8-grupi i shteteve më të zhvilluara që nga 2005 ka premtuar 25 miliardë dollarë që nuk po i realizon dot).
Duhet të pranohet që kapitalizmi ka zhvilluar një perfiditet superior të metodave të funksionalizmit të vetes së vet duke mësuar nga gabimet e veta. Pas secilës krizë, kapitalizmi del më perfid, më i avancuar dhe më depërtues. Ai ka arritur të transformojë kushtet themelore hapësirore (gjeorgafike), njerëzore (psikologjike) dhe shkencore (teknologjike) në favor të vet. Në kondita të tilla, lightkultur-a nuk është ajo që ka nevojë të jetë depërtuese, por janë individët ata që vullnetarisht subjektivizohen në të. Individët, individualisht të globalizuar janë modus operandi për lightkultur-ën.
Festat e fundvitit janë festa të zbrazura nga çfarëdo lloj përmbajtje. Hiq formën, ose të paktën zbukurimet dhe nuk mbetet festë e vitit të ri. Gjithë histeria e festës së vitit të ri është e ndërtuar mbi shtytjen globale për të shënuar festën e festave, si formë kulminante e shtytjes kapitaliste për të bërë diçka, mundësisht për të festuar sa më shumë e sa më shpesh. Në histori viti i ri lidhej me periudha të ngjarjeve të rëndësishme astronomike (hëna e parë e re) apo bujqësore (të korrat) dhe rëndësia e tij ishte se atë ditë/natë bëheshin premtime të caktuara për vitin e ardhëshëm. Mënyra e sotme e festimit është thellësisht ideologjike. Ajo nuk ka asnjë lloj rëndësie, përveç përmbushjes së formës së nevojshme që e kërkon lightkultur-a.
Pasi festat duhet të shënojnë një arritje të caktuar, cila është arritja globale si arsye për festimin botëror pas dy ditësh? Mos valle kriza botërore financiare që më pas u bë ekonomike, humbja e miliona vendeve të punës, tejvarfërimi i klasës më të varfër, rritja e pagesës për studime, luftërat në Irak dhe Afganistan, rrjedhja e naftës së BP, shkatërrimi i Haitit nga tërmeti si pasojë e kolonializmit…? A do të thotë kjo që kapitalizmi neoliberal e ka dëmtuar shijen njerëzore për festa?! Tjetërsimi njerëzor është sot rezultat i veprimit radikal të këtij sistemi, që vazhdimisht i transformon konceptet themelore për atë se çka është për progres dhe zhvillim, duke u promovuar në mënyrë sipërfaqësore si një ide fisnike e lehtë globalizuese përmes lightkultur-ës.
Sfida individuale sot qëndron në subjektivizimin brenda kulturës kolektiviste, përmes së cilës do të universalizoheshin kategoritë e realitetit, kategori si varfëria, eksploatimi dhe lufta si koncept psikologjik themelor i prezencës në botë. Përgjigjja ndaj lightkultur-ës që e mbulon veprimin thelbësor transformues të kapitalizmit, sot duhet të jetë nje kulturë e vlerave të forta dhe të vrazhda që veprojnë në kundërvënie të pothuajsë gjithçkaje siç e shohim dhe e përjetojmë sot. Deri në një të ardhme radikalisht të ndryshme, nuk shoh se si mund të kihet oreks për festa.
Comments are closed.
Ke dashur te thuash gjera te medha,por gjithcka,qe mund te shkruaje,kerkonte vetem 5 rreshta!!Kapitalizmi do ARGUMENTE TE FORTA E BAZUAR NE FAKTET KRIMINALE,QE AI I KA PER CDO SEKONDE!!!PROPAGANDA DHE MASHTRIMI JANE NE PLAN TE PARE!!!SHAJNE SOCIALIZMIN,POR HARROJNE TE TREGOJNE TE MIRAT E KAPITALIZMIT PER INDIVIDIN FUKARA E JO TE NA NUMEROJNE VETURAT DHE PALLATET,QE 80% E POPULLIT AS NUK U AFROHET DOT!!!KAM 20 VJET ME QERA,SE SHTEPINE E HUMBA TEK FIRMAT MASHTRUESE TE BERISHES!!!POSHTE KAPITALIZMI KRIMINAL!!!