Qeveria “Berisha” thyen rekordin botëror të “notit” në moçalin e korrupsionit

7 Janar 2011, 21:29Blog TEMA

Nga Kledian Lula

Ende u gjëmojnë veshët shqiptarëve nga ulërimat me zë “malesh” të Sali Berishës gjatë 8 viteve të opozitës. Në kronikat televizive të atyre viteve shikon dhe dëgjon, që (ar)miku më i betuar i korrupsionit, çirrej nga 3 herë në ditë në sheshin “Skënderbej”, nga 3 orë në çdo seancë parlamentare dhe nga 3 herë në ditë nëpër konferenca shtypi, duke iu vërsulur me sharje, epitete e kërcënime ish-pushtetarëve të PS, të cilët sipas tij drejtoheshin prej “kryemafiozit dhe kryekriminelit Fatos Nano”, se “qeverinë e PS e kishin zënë për fyti bandat e drogës, të prostitutave, të kriminelëve dhe “Mumuthët e Dukët e korrupsionit”.

Që prej vitit 2005, kur “hajdutët dhe kriminelët e banditit Nano” (sipas Saliut të pakorruptuar) ikën nga pushteti dhe në krye të qeverisë erdhi vetë ai, “luftëtari anti-korrupsion” Sali Berisha, pushteti i tij i “duarve të pastra” është lyer kokë e këmbë me ngjyrën e korrupsionit, është zhytur kokë e këmbë në moçalin e qelbur të abuzimeve me gjithçka, madje edhe me lekët e koncerteve të mitingjeve dhe prenotimet e sallave ku bëhen takimet me të huajt. Politikanët e lartë të PD dhe qeveritarët e saj nuk janë më qeverisës punësh të këtij vendi, as menaxherë reformash, por një “staf” zhvatësish aktivë të financave, tenderave, pasurive e pronave publike, të grumbulluar e të stërvitur nën siglën e ekipit të babëzitur të quajtur “Berisha sh.p.k”. Institucionet ndërkombëtare, të specializuara në fushën anti-korrupsion, në vëzhgimet e testimet për këto problem e kanë renditur shpesh Shqipërinë në vendet “VIP” për nivelin e lartë të korrupsionit dhe organizimin zyrtar të tij në mënyrë të hapur e të lirshme.

Edhe pse Berisha e ka (vet)propaganduar figurën e tij si “ikonë e ndershmërisë”, realiteti i viteve 1992-1997, kur vendin e drejtoi “Berisha i I”, tregoi se korrupsioni u bë pjesë dominuese e administratës së tij. Kujtojmë aferën e eksportit të drurit të arrës, të Genc Rulit. Kujtojmë firmën “Shqiponja” të karburanteve që ngriti PD dhe Berisha, nëpërmjet të cilës zhvillonte kontrabandën e hapur të grupit të tij në këtë parti, duke shkelur dhe embargon e vendosur nga SHBA ndaj Serbisë, duke e furnizuar makinën gjakësore ushtarake anti-shqiptare me hidrokarbure. Kujtojmë, skandalin “Arsidi”, ndaj të cilit Berisha president akordoi edhe dekoratë “nderi”. Normalisht, sulltanati i parë i Sali Berishës pati një kalendar dhe ditar të ngarkuar me data, me episode dhe akte korruptimi, ku ndër më tronditësit dhe shkatërruesit jo për fondet publike, por për shqiptarët, mbetet skandali i grabitjes së tokave dhe trojeve, prej kastës së politikanëve të të gjithë krahëve dhe veçanërisht, prej klikës në pushtet. Pushteti i kohës së piramidave kishte si qëllim vetëm korrupsionin, vetëm përfitimin e atyre që drejtuan ministri, drejtori, institucione, shërbime publike, pushtetin lokal, shtetin, drejtësinë. E ndërsa atëherë Berisha mbulonte fytyrën e korruptuar të pushtetit të tij me “veladonin” e ndershmërisë personale, tani ka dalë lakuriq.

Në 5 vitet e qeverisës së “Saliut të II”, janë publikuar skandale të rënda ekonomiko-financiare, afera, madje dhe pazare anti-kombëtare, siç është rasti i kufijve detarë, apo futja e serbit Damir Fazlliç në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ulur në krah të vetë kryeministrit Berisha. Apo siç është pazari i plehrave për kthimin e Shqipërisë në kazan mbetjesh të Italisë. Siç janë koncensionet tipike korruptive e antiligjore të hidrocentraleve, të cilat u janë dhënë “peshqesh” në mënyrë hajdutçe e antiligjore, familjeve të deputetëve e ministrave, koncensione këto që janë organizuar prej ministrit “çakall” Genc Ruli dhe janë firmosur me “duart e pastra” të Saliut “anti-korrupsion”. Siç janë koncensionet e kromit e të bakrit, bërë në mënyrë pirate po prej ministrit të babëzitur Genc Ruli, për të cilin Saliu i vitit 2011 nuk thotë asnjë fjalë, ndërkohë që në vitin 1994 i tundte prangat në sallën e Kuvendit si “hajdut dhe trafikant i drurit të arrës”. Po për shkak të abuzimeve dhe grabitjes së fondeve në bujqësi, Genc Ruli u siguroi shkodranëve e lezhjanëve përmbytjen shkatërruese. Dhe Saliu “anti-korrupsion” vazhdon e firmos me dëshirë aktet korruptive dhe “zbardh dhëmbët” kur ato publikohen, sikur të jenë jo krime, por “arritje”.

Në tavolinën e qeverisë “Berisha” vazhdojnë të jetë i ulur, madje i qeshur e i  kapardisur, Lulëzim Basha, ish-ministri “maestro” i tenderit skandaloz të rrugës Durrës-Kukës, abuzim për të cilin ka në prokurori një dosje aq të lartë, sa është ndërtesa e kryeministrisë.

Në krah të Berishës të “duarve të pastra” vazhdon të qëndrojë krenar Fatmir Mediu i Gërdecit të 26 varreve, i 300 të plagosurve e të gjymtuarve dhe i 300 banesave të kthyera në gërmadha. Tashmë, po ky Fatmir Mediu, si ministër mjedisi, po me pazare korruptive e të fshehta, nën dirigjimin e Saliut “anti-korrupsion” ka firmosur mbushjen e Shqipërisë me plehra italiane, duke “hedhur në erë” mjedisin shqiptar.

Po çfarë bën kryeministri i “duarve të pastra? Në vend të luftojë korrupsionin, të cilin me sa po shohim përditë e “urren shumë”, ai është kthyer në një shërbëtor pasionant dhe me rrezikshmëri të lartë në mbrojtje të korrupsionit aq sa ngjason me një “parukier” që pastron, grimon dhe stilon “fytyrat” e ndotura të politikanëve dhe ministrave të tij. Deri sot prej Berishës nuk ka pasur asnjë denoncim për ndjekje penale qeveritari, politikani, apo zyrtari të lartë, por vetëm skema farsë largimesh nga puna dhe ndëshkimesh të disa zyrtarëve “guralecë” nëpër drejtori të niveleve të treta, ose ndonjë zyrtari fakir nëpër komuna e bashki. Ndërsa ata, “peshqit e mëdhenj”, që punojnë” brenda “strofullës” së korrupsionit të ekipit “Berisha sh.p.k”, po me “bekimin” e kryeministrit anti-korrupsion” vazhdojnë të zhgërryhen në pellgun e qelbur të korrupsionit. Ndërsa “shef Saliu” dhe mëkëmbësja e tij Jozefina, vazhdojnë të luajnë përpara shqiptarëve “ballon” me maska për luftën kundër korrupsionit!

Kujtojmë “luftën pa kompromis”, por me maskë, që ka bërë kundër korrupsionit njeriu i “fjalës së nderit”, ish-presidenti i Republikës Sali Berisha, ish-kreu i opozitës Sali Berisha dhe tashmë, kreu i qeverisë shqiptare “i duarve të pastra” po Sali Berisha. Me letra në dorë, me faqe gazetash të tijat, me mitingje dhe protesta, me postera kartoni sa një faqe muri, me karrikatura e citate me fjalor rrugësh, Sali Berisha ulëriu për 8 vjet, duke akuzuar socialistët për akte korruptive, për krime njerëzore, për lidhje të forta me mafien, për drejtim grupesh mafioze, për trafik femrash e droge, për vjedhje tenderash, për vjedhje taksash, për udhëtime milionëshe në botë për qejfe e pazare, për shkollim të fëmijëve në universitet e botës me çmime tepër të larta e me jetë luksoze. Ndërsa tani në pushtet, jo vetëm që nuk po e lufton “kancerin e shoqërisë”, por as nuk i zë më në gojë, madje ka lidhur duart me klanet e “Zemunit”, me “mumuthët” e vjetër e të rinj të korrupsionit.

Në dosjen e “zezë ekonomike” të qeverisë “Berisha” janë ngurosur 110 skandale të rënda me miliona euro e dollarë nga fondet publike, nga taksat e shqiptarëve e financimet ndërkombëtare. Individët e korrupsionit, ata që zyrtarisht quhen mazhoranca e PD dhe që nga shqiptarët quhen “Grupi Berisha”, vazhdojnë të jenë së bashku në qeveri e parlament, duke menaxhuar me qetësi dhe “nën hundën” e “shef Saliut” (me bekimin e tij) afera e përfitime të shumta personale. Pas këtyre “punëve të ndershme”, dalin përpara shqiptarëve dhe lexojnë fjalimet e “luftës kundër korrupsionit” të shkruara me “duart e pastra”. Këta janë gangot e ekipit të qeverisjes “Berisha”, të cilët po komandojnë e po shfrytëzojnë pushtetin, duke siguruar vetëm me korrupsion jetën luksoze, llogaritë bankare, makinat, vilat, lokalet, fermat, fabrikat, plazhet e gjithçka. Dhe Saliu del përpara shqiptarëve dhe u përgjërohet për qeverisje të ndershme, ndërkohë që ka thyer rekordin për “not” në llumin e korrupsionit.

Lini një Përgjigje