Bodigard apo gardianë!
Nëse do gjendeshim në ndonjë cep të rruzullit, ndoshta dhe mund të mos ‘rregjistrohej’ vala e krizës të ‘demokracisë’ në vend prej ‘sizmografëve’ demokratikë të perëndimit rreth votës së lirë, por jemi në Europë, pjesë e NATO-s, kandidat për në BE e lupa e tyre nuk na shmang dot. Mazhoranca, e cila vrau frikën në vitet ‘90 e çliroi mendimin e veprimin opozitar, me karshillëkun ndaj votës së lirë po del së pari kundër vetvetes. Respektimi i votës është kauzë e të gjithëve si i vetmi mekanizëm i kontrollit të fatit në duart e shoqërisë e garantimit të përgjegjshmërisë të klasës politike ndaj saj. Vetë klasa politike nëse pranon rotacionin politik si normalitet në demokraci ka nevojë për të si garanci në përplasjet zgjedhore, ndaj nëse askush nuk humbet, përse provokohet opozita në një ‘kryqëzatë’ për të ‘çliruar’ ‘tokën’ e shenjtë të demokracisë – votën e lirë- me ‘lloze’ të panumërt në derën e pushtetit, brenda të cilës ndodhet ‘shpresa’ e së ardhmes?
Me mungesën e vullnetit për transparencë të legalitetit të saj, mazhoranca, jo thjesht kompromenton imazhin e saj si forcë e parë opozitare në vend, por ngre dhe shumë ‘vetulla’ për synime abuzive sipas konstatimeve të opozitës e medias, për statu- quo e inerci interesash e privilegjesh me të cilat nuk çmësohet dot apo absurdin e monopolizimit për kredo politike të çështjeve strategjike gjeopolitike si integrimi në BE, liberalizimi vizave etj, monopolizim ky deri në sensibilitet të interesave kombëtare siç ishte marrëveshja jo-transparente me fqinjët për asetet ujore apo akomodime të investimeve apo koncensioneve jo transparente.
Sindroma 39
Mburrjet e mazhorancës me referim 1990-ën janë ‘sindroma 39’ e riaktivizuar e nuk ka vlerë kur kronometrin e ka sot në dorë BE. Me kokën pas drejt startit, finishi veç largohet se BE nuk rri në vend. Nëse nuk bëhemi BE sot, nuk justifikohet të mos mendojmë e sillemi, e së pari politika, si në BE. Mentaliteti perëndimor nuk kërkon dekada të absorbohet sepse sot shqiptarët vishen, hanë e pinë, bëjnë pushime, preferojnë art, përdorin makina, mbajnë kone por dhe votojnë në masë si në perëndim, ndaj nëse shoqëria e ka kapacitetin absorbues të mentalitetit e perceptimit perëndimor, përse të mos respektohet sensibiliteti i saj për transparencën e votës? ‘Populli meriton qeverinë që ka’ shndërrohet veçse në alibi për një klasë politike që përligj anormalitetin demokratik ndonëse shoqëria është e hapur si kurrë më parë e standardet perëndimore nuk janë më risi.
Gjeneza e krizës
Gjeneza e krizës, shkëndija e ‘zjarrit’ që ende djeg shpresat e demokracisë reale ishte vendimi absurd i KQZ që refuzoi kërkesën për hapje kutish ‘legalizuar’ më tej nga Kolegji Zgjedhor, duke dëshmuar brishtësinë e intimidimin e institucioneve nga politika, e sanksionuar precedentin e parë antiligjor që hapi kutinë e Pandorës me pasoja për të gjithë. Respektimi i institucioneve e ligjit në demokraci presupozon pavarësi reale e zbatim objektiv të tyre, privilegj që nuk e kemi, jo sepse nuk e përligjim, por sepse na e ka marrë peng politika që lejon trafikun e influencës e abuzimin e pushtetit.
Në zig-zagun e rrugëdaljes prej këtij qorrsokaku politik, presioni vjen dhe nga Europa e ndërgjegjësuar për ‘gështenjën e nxehtë që i mbeti në dorë’ pas certifikimit në mirëbesim të zgjedhjeve të 2009 ku mbetet lapidar konkluzioni se nuk u ndikua rezultati pavarësisht keqnumërimit evident(!). Në pamundësi për të zhbërë atë, sot ajo apelon për transparencë ‘imunizuese’ duke vënë peng deri autoritetin e PE. Karshillëku ndaj saj është karshillëk ndaj fatit të nesërm europian të vendit e këtë shoqëria nuk e meriton sepse ‘zgjedhje më të mira’ nuk mund të ngushëllojë, pale të komplimentojë një vend të NATO e kandidat për në BE.
Shpërfillja e opozitës, shpërfillje e demokracisë
Faji nuk është thjesht i individëve që nuk patën kurajë të ishin të paanshëm deri në dorëheqje, por i politikës që ka shndërruar në normalitet një mekanizëm të trafikut të influencës, mediokracisë në kurriz të meritokracisë, kulturën e mosndëshkimit e farsën e pavarësisë së institucioneve. Ky precedent absurd i provokuar prej interferencës së politikës ndaj institucioneve hapi ‘lojën’ për precedente të tjera apriori anormale për një vend demokratik si vendime gjyqësore të paanshme, opozitarizëm ekstrem përmes grevës së urisë, bllokime të rrugëve, bojkot të institucioneve etj. Vërtet greva e urisë nuk është mjet standard reagimi në demokraci, por ishte vakuumi i ndjeshmërisë demokratike që e provokoi atë, ndaj kur filloi duhej të respektohej e të sensibilizonte politikën e jo të ironizohej e të korraconte më tej pozicionet hermetike në të cilat ndodhet sot ajo.
Mazhoranca nuk mund të vazhdojë me strategjinë e ‘karvanit që ecën përpara’ duke sanksionuar një precedent negativ për të ardhmen. Me vendimmarrjen e djegies së fletëve e arkivimit të materialeve zgjedhore, ajo veçse përshpejtoi zgjedhjet e parakohshme, që do të ndodhnin gjithsesi, si rrugëdaljen më elegante prej krizës pa u diskretituar ‘de facto’ e pa koment rreth abuzimit me votën që do të përbënin një handikap serioz në garën elektorale. Çështja shtrohet sa do të reflektojë kjo në imazhin e saj e nëse a do të pranohet më nga opozita për të qenë në rolin e administratorit të zgjedhjeve të parakohshme tani që alibitë e institucioneve të pavarura u sfumuan së bashku me besimin e opozitës e shumica në KQZ është veçse aneks i mazhorancës në pushtet?
Presioni opozitar nuk duhet të anatemohet si abuzim me lirinë e precedent negativ sepse në emër të një kauze sublime mbetet ‘antibiotiku’ i domosdoshëm për garantimin e të ardhmes. Përballë një mazhorance refraktare për të cilën dorëheqja e burrështetësia janë të huaja, opozita është në të drejtën e saj për të imponuar respekt për votën e lirë. Jo si qëllim në vetvete, por si detyrim e zëdhënie e mbarë shoqërisë që ndjehet europiane e kërkon të respektohet si e tillë.