Ky shkrim i profesoreshës e veprimtares kundër pornografisë, Gail Dines, më tërhoqi për një fakt të thjeshtë: si rrallë herë pashë që pornografia të trajtohej si një fenomen “kulturor” i botës së sotme. Unë e di, që në Shqipëri ca e ca do varin e përvjelin buzët e do të thonë: po për këto jemi keq ne? Sipas meje, po, jemi keq edhe për këto. Pastaj, asëll-asëll ky nuk është shkrim për pornografinë; ky është shkrim për lirinë e grave, për dinjitetin e tyre, deri dhe për pavarësinë e tyre seksuale në një botë që dominohet nga kultura e pornifikuar sa s’ka ku të shkojë më shumë. M.N.
Është janar. Jemi në Las Vegas, në qytetin plot dritë, plot spektakle, plot kazino, dhe …. po, tamam, në qytetin ku është hapur ekspozita “Adult Entertainment Expo” (ekspozita e dëfrimit të të rriturve), më e madhja konventë pornografike e botës. Në çdo janar, pornografistët e planetit, nga janë e nga s’janë, bëhen tok në Las Vegas për të marrë pjesë në seminare, për të nxënë diçka më shumë lidhur me tendencat më të reja të kësaj industrie, për të vendosur kontakte me sivëllezërit e tyre të botës së pornos, për të takuar talentet më të spikatur të fushës së tyre, dhe për t’u përditësuar me të rejat më të fundit në fushën e teknologjisë. Kur kam qënë atje, e ulur tok me të tjerët në seminare ku trajtohen tema të ndryshme të botës së pornos, më është bërë e qartë menjëherë se këta ‘djelmosha’ (në fakt, janë pothuajse të gjithë burra) eksitohen jo prej seksit, por prej parave. Ata shpenzojnë orë e orë të tëra në salla mezi të ajrosura e mezi të ndriçuara konferencash, e të zhytur në diskutime lidhur me të ashtuquajturin ‘niche markets’ (‘niche market’ është një aneks i një tregu të caktuar, në të cilin është në fokus një produkt i vetëm. M.N.), me diversifikimin e produkteve, dhe me mënyrat e gjenerimit të trafikut online, sepse, siç thuhet dhe në website-in e expo-s, “identifikimi, shitja e tregëtimi i produkteve të duhura për klientët egzistues, dhe ndjellja e klientëve të rinj, është një përpjekje me rëndësi jetësore në tregjet e sotme të dominuara nga konkurenca”.
Teksa këta kapitalistë të paskrupullt janë duke kërkuar rrugë të reja për të zgjeruar klientelat e tyre, ca metra më tutje, në territorin e konventës, në një holl në trajtën e një shpelle, janë puntoret e vërteta të industrisë së pornografisë; i sheh duke parë fragmente filmash të sapobërë e duke u bërë tok me partnerët e tyre të preferuar, në pritje të ngjarjes që organizatorët e thërrasin “Sexy Stage Shows”, ku këto femra performojnë e simulojnë seks me njëra-tjetrën. Kur unë kam bërë një xhiro nëpër hall me qëllimin për t’u hedhur një sy filmave që shfaqeshin në ekrane të mëdhenj, unë pashë gra që u zihej fryma prej peniseve të kallura thellë në grykë, derisa ato nuk kishin mundësi të nxirrnin qoftë dhe një mbeturinë gulçi, pashë gra të tjera të penetruara dhunshëm nga burra, të cilët nuk mjaftoheshin me kaq, por edhe u çirreshin me fjalët “kurvë”, “zarbë”, “buçe”, dhe në një rast – kjo ishte ç’ishte – më zunë sytë një femër, me të cilën po bënin seks anal brenda një arkivoli.
Duke ardhur vërdallë nëpër dhomë, kam parë aktore porno që performonin live, të veshura krejt lehtë, me rripa e kamxhikë në duar, me këpucë me taka të larta, të ulura nëpër tavolina dhe me këmbët që i mbanin të hapura, ndërsa lloj-lloj burrash viheshin në radhë për të pozuar me to, në mënyrë që miqtë e tyre të mund të bënin ndonjë shkrepje me aparat fotografik. Nga intervistat e mija me fans-at që prisnin në radhë rezulton se ata “e kishin ngrënë sapunin për djathë”, dmth e kishin bërë të tyren idenë strategjike të industrisë porno, sipas së cilës “pornografia është gallatë dhe fantazi; nuk është realitet; ne nuk duhet ta marrim atë shumë seriozisht”. Mua më kapi dëshira për t’i tërhequr zvarrë këta fans-a të pornos e për t’i çuar drejt e në sallat e konferencave, sa për t’u treguar se sa gabim e kishin, për t’u treguar se për kapitalistët, prodhuesit, regjizorët, distributorët, etj, nuk bëhet fjalë fare për qyfyre; përkundrazi, ata e marrin shumë seriozisht këtë punë.
Dhe në fakt, duhet ta marrin seriozisht që ç’ke me të. Biznesi i pornos, me fjalë të tjera industria shumë-miliardëshe (në dollarë) që prodhon më shumë se 13 mijë filma në vit vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është inkorporuar në një zinxhir kompleks financiar, ku nuk gjen thjesht prodhues e distributorë filmash, por edhe bankierë, prodhues software-ash, kompani kredit card-esh, kompani të tjera që ofrojnë shërbime në internet e shërbim kabllor, dhe rrjete hotelesh. Ka kohë që pornografia përbën një burim kryesor të ardhurash për hotelet, sidomos për ato hotele që janë pjesë e rrjeteve globale, si Holiday Inn, Hilton, Sheraton, Radisson, Hyatt dhe Marriott, dhe kjo gjë bëhet e mundur nëpërmjet ofrimit të shërbimit televiziv pay-per-view (pago që të shohësh!). Në një artikull të publikuar në vitin 2007 në website-in e biznesit të pornografisë XBIZ thuhej se të ardhurat vjetore të hoteleve prej pornografisë e kalonin shifrën e 500 milionë dollarëve. I njëjti artikull na bënte me dije se pornoja nëpër hotele nuk bën me lekë vetëm hotelet, por edhe kompanitë e përfshira në një mënyrë apo në një tjetër në këtë biznes, deri dhe mega-gjigandet LodgeNet dhe On Command.
Nuk është rastësi që panairi i madh i paisjeve elektronike me emrin International Consumer Electronics Show organizohet po në Las Vegas e po në këtë kohë, bash siç ndodh me expo-n pornografike. Pornografia ka qënë një faktor që ka bërë të mundur zgjerimin e tregut të teknologjive të reja. Sipas historianit të Teknologjisë, Jonathan Coopersmith, pornoja ka dhënë prova se është një segment i besueshëm dhe shumë fitimprurës i tregut, që ka vënë në lëvizje zhvillimin e teknologjive të media-s, duke filluar me VCR-at dhe DVD-të deri tek rrjetet e shkëmbimit të dokumentave e materialeve të ndryshme, me materiale video sipas kërkesës në rrugë kabllore, me video për t’u hedhur në internet në dispozicion të kompjuterave personalë, dhe më së fundi, me video për telefona celularë. Videot përdorin sasira të jashtëzakonshme të dhënash, dhe kërkesa e madhe për materiale pornografike ka nxitur e shtyrë zhvillimin e teknologjive ‘cross-platform’ që bëjnë të mundur kodifikimin e të dhënave e të informacionit, kërkimin, transmetimin, dhe mikro-pagesat (transaksionet financiare në shuma të vogla). Rrjetet e shkëmbimit të dokumentave e materialeve, si Kazaa, Gnutella dhe Limewire, janë të njohura kryesisht në fushën e muzikës, por ato janë, gjithashtu, gjerësisht të përdorura për materiale video pornografike.
Shumë prej temave që u trajtuan në një numër seminaresh në expo kishin të bënin me rrugët e mënyrën e integrimit të pornografisë në kulturën pop, të krijimit të një imazhi publik të favorshëm për biznesin e pornografisë, dhe të shmangjes së rregullave e ligjeve. Në ndryshim nga industritë e tjera, kjo e pornografisë nuk mund të reklamojë drejtëpërdrejtë produktet e veta në televizion e në gazeta, dhe kështu kësaj industrie i duhet të mbështetet tek kompanitë e PR-it, siç është BSG Public Relations, në mënyrë që t’ia dalë të gjejë një copë vend e hapësirë në mediat popullore për rrëfenja që nuk shquhen për mesazhe antiporno, rrjedhimisht ta bëjë disi familjare pornografinë për kulturën mainstream. Ka qindra ilustrime të kësaj dukurie. Aktorja porno Jenna Jameson u ftua në programin e famshëm Oprah Winfrey Show, dhe aty rrëfente se sa e pushtetshme ndihej prej faktit që luante në (apo bënte) filma pornografikë. Pronari i disa revistave pornografike, Hugh Hefner, intervistohet herë pas here. Në një artikull të publikuar në Cosmopolitan shkruhej e zeza mbi të bardhë se sa argëtuese është për gratë të shohin porno, pasi kështu ato kanë mundësi të sheqerosin pak jetën e tyre seksuale. E më në fund janë bluzat e këmishat me mëngë të shkurtëra, të cilat kanë të stampuar në kraharor frazën “Porn Star”.
Dhe efekti është ai që gazetarja Pamela Paul e quan “pornifikim” të kulturës sonë, gjë që konsiston në faktin që imazhet, mesazhet e rrëfenjat porno bëhen pjesë e identiteve e raporteve tona seksuale. Kjo tendencë verifikohet me takat gjithnjë e më të larta të këpucëve, të cilat janë në modë tek gratë e sotme, tek pamja e dukja e hiperseksualizuar e vajzave gjithnjë e më të reja, si në rastin e çupkës së talentuar e me nam Miley Cyrus, dhe – ky është ilustrimi më spektakolar për t’u marrë shënim – tek popullariteti që ka marrë mes grave kohët e fundit pastrimi e heqja e qimeve të vaginës nëpërmjet shiritave të rrëshirosur. Kjo praktikë u shfaq në filmat porno nja dhjetë vjet më parë, dhe sot është gati e pamundur të gjesh ndonjë aktore porno që ta ketë zoçkën me lesh. Dhe heqja e leshit në zonën pubike të trupit është kaq në modë mes femrave studente, sa ato më thonë vazhdimisht mua se u pështiroset prej pubisit të tyre të mbuluar nga leshi. Partnerët e tyre seksualë, në anën tjetër, refuzojnë të bëjnë seks me to në rastin, kur nuk i kanë bërë një waxing të mirë asaj “gjësë”. Dhe s’do mend që do jetë kështu. Këta djem janë edukuar seksualisht nëpërmjet filmave e materialeve porno.
Në mënyrë ironike, kjo fobi u ka dhënë femrave një armë, që në fakt nuk është kushedi se çfarë, në betejën për të ruajtur dukjen e një autonomie seksuale. Ç’është kjo armë? Kjo armë është “rrengu”. Mua ma mësuan këtë në një kolegj ca vite më parë, teksa unë po jepja një leksion. Një studente zuri të fliste për “rrengun”, a thua se çdokush e dinte përse ishte fjala. Në fakt, shumica e femrave jepnin shenja miratimi me krye, gjë që do të thoshte se ato ishin familjare me termin dhe me veprimin. Dhe fjala ishte që, në rastin kur femrave nuk ua ka qejfi të bëjnë seks me të dashurin apo partnerin, ato qëllimisht e linin të parruar ‘plaçkën’, gjë që ua largonte ngasjen e përndezjen mishtore atyre. Kur unë i pyeta, se për ç’dreqin ato nuk u thonin troç “nuk dua të bëj seks”, ato më bënë me dije se, për shkak të lutjeve e përgjërimeve mashkullore për të bërë seks, ishte e vështirë të thoje “jo”; dhe kështu, ato kishin të kollajtë e të hazërtë “rrengun”. Është “rrengu” në fjalë tregues i autonomisë seksuale të këtyre femrave? Absolutisht jo. Përkundrazi, ky “rreng” dëften se sa pak autonomi seksuale u ka lënë femrave kultura e pornos.
Një nga seminaret e expo-s së këtij viti ka temën “Në shoqërinë e grave”. E në këtë seminar do të bëhen bashkë akademikë dhe boss-ë e zanatçinj të pornografisë për të ndarë ide mbi mënyrat e zhvillimit të produkteve niche (produkteve që bëhen për një treg të vogël, por të specializuar e fitimprurës) për botën e grave. Jam e sigurtë se aty do të tirren gjatë muhabete, në të cilat do të tregohet se si gratë fuqizohen duke parë e ndjekur porno, sepse zanatçinjtë e industrisë së pornos, duke qënë se u punon truri, nuk duan asgjë më shumë se sa t’u thonë grave që pornoja është një gjë e dobishme për to. Ky është “rrengu” i tyre, të cilit ne mund t’ia bëjmë tetëshin vetëm në rastin, kur duam të zëvendësojmë imazhet e plastifikuara të ustallarëve të pornografisë me seksualitetin autentik të ngritur mbi përvojat, dëshirat e dëshirimet tona.
Marrë nga the Guardian
Përktheu: Mustafa Nano