A i get viti 2010 kosovar vitit të mbrapshtë kadarean, 1913? Pse kosovarët më shumë merren me teori konspiracioni se sa me shtrenjtimin e bukës qe tre herë brenda 2010-tës? Mozomakeq, mos po hyjmë në fukarallëk? A e kanë edhe gjërat më të mbrapshta anën e vet të qeshur, karikaturiale dhe përse kosovarët nuk i besojnë më as bredhit të Vitit të Ri dhe qysh u bë bredhi i Prishtinës teori komploti?
Sa herë që mërzitet, lodhet nga punët ose bie në depresion, baxhanaku im Peter Schuster nga Austria, e dhezë kerrin, mbledh fëmijët dhe gruan dhe vjen në Kosovë. Kështu ndodhi edhe për festat e fundvitit, Krishtlindjet dhe Vitin e Ri.
I pëlqen Kosova, mund të them se ndihet përgjysmë kosovar, diqysh ia ka ëndja të bëhet si ne, tubë, të flasim shumë, të qeshim shumë edhe për gjërat që të bëjnë të qash.
Ditën e hënë, kur i thashë Schusterit se kam për të shkruar për gazetë, ai më pyeti, nëse e kam në qejf politikën, nëse edhe unë doja të bëhesha politikan për ta mashtruar dhe vjedhur popullin. Ai, ndonëse nuk e kam pyetur, më duket një socialdemokrat dhe nga bisedat me të e kuptoja se edhe kombet e zhvilluara kanë probleme me politikanët që pasurohen nga zyra dhe i tallin… Megjithëse, e di, në Kosovë, janë politikanët ata që e përqeshin, e tallin popullin, shoqërinë civile, mediet e lira. Ne gazetarëve…
U mëdysha bukur gjatë që ta shkruaj një kolumne serioze për “gazetën e rëndë” qe peshon dy kile të Vitit të Ri. “Koha Ditore” vërtet u dha seriozitet gjërave në Kosovë duke mbetur thuaja e vetmja gazetë që i vjen era gazetë!
Që nuk krenohet për “lumturinë e masave”, që e votojnë liderin historik 94 përqind, si në RPDK, (Republika Popullore Demokratike e Kosovës”, O.K. nëse u tingëllon ta zëmë si Koreja Veriore; një huazim i një titulli të kolumnes “Nga zgafella” të Flaka Surroit.
Tek po i bëj dy vjet në gazetën e rëndë, “je zëri ynë” – më thanë dhjeta qytetarë prishtinas, gjatë manifestimit të ndarjes së çmimit “Rexhai Surroi” për romanin e vitit dhe shkrimin gazetaresk më të mirë të vitit. Pas këtij evenimenti po e pinim nga një gotë verë me kolegun tim Enver Robelli në hotelin, dikur me pesë yje, sot të rrëzbitun dhe me njërën faqe të veshur me teneçe, sakaq një zonjë e vërtetë, nga ato prishtinaset e vjetra hijerëndë u afrua për ta përshëndetë Enverin dhe për ta përgëzuar për kolumnet-top në Koha…, kurse ky, duke dashur që edhe shkrimeve tona “vdekshëm serioze” t’ua qes në pah anën e tyre të qeshur më tha: – “Je ba i famshëm, shumë po të lavdojnë”, me demek, si modest që është, m’i përshkruante mua, përgëzimet që merrte vetë.
Vërtet çfarë bënë gazetarët më 2010?
Të tërat që duhej bërë. Pa anshëm dhe dinjitetshëm, pa pasë kohë të ndalen e të lëshojnë një gjëmë nga lodhja dhe stresi, nga kërcënimet dhe keqkuptimet e qëllimta në propagandën e pushtetit. Zëdhënësit e Qeverisë u thanë gazetarëve “armiq të shtetit”, u thanë edhe propagandistë armiqësorë, thanë se kishte boll liri shtypi, dhe kur doli haberi (Raporti i Progresit) se Kosova kishte rrëshqitur për liri shtypi ngat Kubës, atëherë sërish gishti tregues u drejtua kah gazetarët. “Disa kosovarë po i shkruajnë këto raporte”, thanë eksponentë të pushtetit, por edhe Kryeministri në largim, ndërsa Robellit i çuan selam se do t’ia merrnin shtetësinë… Dhe, edhe pas këtij haberi të keq, dy gazetare u sulmuan, njëra e humbi punën, tjetra një grusht flokë…
Ata ‘të naltit’, i thanë shoqërisë kosovare se anija (qeveritare) po notonte në ujëra të qeta dhe hiq këtë dorë armiqsh, gjithçka po lulëzonte, edhe fushat e malet…
Nuk shkuan as dy muaj dhe anija u përplas në “Iceberg”-un që Qeveria vet ia kishte ngrehur vetvetes mes këtyre ujërave të zeza. Ra Kryetari. Ra Qeveria.
E, kur u thirr me dalë në punë Kryetari në detyrë, sipas Kushtetutës, (fatin e pati Jakup Krasniqi), ai paskësh thënë: ‘Kuuu, çkasmos po më ban vaki edhe mue!”
Ky është vendi i vetëm në botë ku rastësia vërtet është mbret i botës, ku sakaç je Demek i Agron Tufës, sakaç bëhesh ministër, kryeministër… sekretar shteti!.
Pastaj, rrufeshëm ra n’fund t’pusit imazhi i kësaj anijeje, e cila nuk u sulmua nga kurrfarë piratësh, por nga pesha e sajë milionëshe në xhepa, nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, nga shtypja e lirisë së shprehjes dhe shtypit, thjeshtë nga mbifuqia arrogante e saj. Qytetarët kosovarë duhet të pyesin përditë: – Ç’u bë me ata, ‘peshqit e…’!?
Dhe tani, kur EULEX ka paralajmëruar arrestime të “peshqve të mëdhenj” të krimit të organizuar, çka do të ndodh me “carin” kosovar Pieter Faith, athua do ta shpallin edhe atë armik Nr.1 të shtetit, si Dickun!?
Ndonëse deri më tash nga Faith nuk kanë kërkuar të bëhet synet, paçka se nuk është trajtuar edhe aq mirë, si Princi Wied më 1913…
Secili lexues i vëmendshëm që e ka lexuar romanin”Viti i mbrapsht” të Ismail Kadaresë s’ka se si ta ketë harruar atë gjëmë që i përshkruhet vitit 1913, kur një popull po dilte nga errësira gjysmëshekullore për të hyrë në histori, si të dilte nga një tenxhere misterioze, si vorbull, por me plot gjymtime e plagë, me gjymtyrë dhe harta të prera, me një mbret të huaj (një austriak) nga i cili kërkohej të bëhej synet, me një ushtri të shkapërderdhur, me komandant, po e zëmë holandez, ushtarë të dhjeta kombeve dhe çeta shqiptarësh, pa komandë fare, me bajraktarë… Me demek kështu diqysh u bë Shqipëria…
Duke lexuar romanin e Agron Tufës, “Tenxherja” që siç thashë e fitoi çmimin “Rexhai Surroi”, si romani më i mirë shqip i vitit, m’u kujtua personazhi i tij, inferior, beter, me emrin Demek. Natyrisht, pastaj mendja më vajti tek bashkimi i shqiptarëve, por jo si prononcim politik, por si integrim shpirtëror përmes vlerave, qofshin ato kulturore, ekonomike, politike… Shqiptarët s’i ndal kush të bashkohen në vlerat e përbashkëta të tyret që janë (duhet të jenë edhe europiane), madje edhe njerëzore, kur kanë çka i japin njëri-tjetrit. E kanë, vërtet pak.
Se qysh e shohin shumë kosovarë bashkimin kombëtar, na e shfaq një barsoletë që e ka krijuar “gjenia popull”. Po hanin darkë n’Tironë një kallaballëk shqiptarësh e njëri prej tyre ishte kosovar dhe natyrisht kureshtar. Po i pyet kosovari se nga ishin ata burra që e shoqëronin. Njëri tha nga Lezha, nga Libohova u përgjigj tjetri, nga Leskoviku një i tretë dhe një tha, nga Lushnja, nga Lazarati…
E si e do rendi, njëri nga shoqëruesit e pyet mikun:
– Po ty or burrë Kosove nga të kemi?
– Nga Lapi, u përgjigj ky me plot siguri, se ishte i njëjtë, si ata!?
Qoftë edhe duke paguar çmimin e gjymtimit të gjuhës, pra me një L- të munguar.
Bashkimi nuk bëhet mes kombëtarëve të rendit të parë qytetarë dhe inferiorëve veriorë, të rendit të dytë, të tretë… Por bashkimi bëhet mes atyre që krijojnë dhe shkëmbejnë vlera si Agron Tufa që dha një vlerë, literaturë të mirë, e, kosovarët (Grupi Koha) ia ditën kimetin, e shpërblyen. Demek, bashkimin e bëkërkan të barabartët.
Demeku, në romanin “Tenxherja” është personazh periferik, burri i sekretares së partisë së rrethit, Dudijes… “Po çfarë emri beter kishte ky burri i Dudijes! (…) Shihe nga emri: Demek…! Çfarë të presësh nga një burrë që dhe emrin, sipas morfologjisë, e ka fjalë parazitare… madje superparazitore, se është fjale e huaj. Më mirë ta kishte pasur “Domethënë” apo “Meqenëse”, “Pra”, “Prandaj”, “Me një fjalë”. Thuaji ore vëlla Dudijes! A më kupton? Burri i saj është fjalë shërbyese, jo sqaruese.”
E në Kosovën tjetër, atë politike, personazhet nuk janë fiktivë si Demeku i Dudijes, por janë njerëz konkretë, historikë, madhështor, me demek si burrat e PDK-së, që e akuzojnë Albin Kurtin se po e përdor bashkimin kombëtar për fushatë elektorale.
Kjo i bie, me demek, “ne s’e përdorim – e bëjmë!”
Gjithçka po bastardohet sikur mbiemri i një tipi anonim nga provinca. Ai ka një mbiemër beter, si në lajmin e shtypit ditor gjatë verës 2010: “Gjelejdin Dallaveri nga Klina është dënuar me tre ditë burg dhe 525 euro gjobë për vrasjen e një lepuri?.”
Ose i shihni emrat beter, si personazhet e Tufës, si Demek, apo emrat konkret por bastard, si Bugari, El Gadaf apo Xhihad…, që m’i dërgon me E-mail, sa herë i has në lajme, kolegu Bekim Kupina.
Derisa gjithçka u përmbys sivjet, kosovarët vazhdojnë të flasin, të përgojojnë tjetrin/të tjerët, të fabrikojnë armiq, sa më shumë armiq, që fitorja e tyre të jetë madhështore që bukën të mos e hanë thatë dhe mbi të gjitha të qeshin.
Populli e ka përgjigjen: Fikë se fikë bile me muzikë. Ndoshta kosovarët janë popull më gajret, (populli më optimist në botë) e për këtë i pëlqen Peter Schusterit të vijë në Kosovë, ta thyej stresin. Me Peter dhe fëmijtë e lamë që të dielen mbrëma të dalim te sheshi, për ta parë bredhin e Vitit të Ri, që dikur e “dhezte” Ibrahim Rugova. Por ai, u vandalizue. A thua kosovarët nuk i besojnë më Bredhit, sepse ai, secilin vit po u sjell vetëm mbrapshti e varfëri, a po përmbyset perceptimi optimist i kosovarëve në humnerën e depresionit të madh, apo thjeshtë këtë botën tonë të vockël po e mbërthejnë teoritë e komplotit. Përse e stolisi Isa Mustafa e jo presidenti sipas traditës? Përse i pari i Prishtinës po e kritikuaka Qeverinë dhe procesin zgjedhor, prandaj, ja që nuk ia duan as bredhin!?
A ka një bredh në botë të jetë politik, konspirativ?
Me një Yll Davidi në majë!? Hmmm, ai që e ka vënë, ka menduar armiqësisht për frytet e revolucionit. Prandaj shkatërroje, shtrydhe në grusht si morr!
Dhe, deri sa në Kosovë vidhet vota e lirë, mos të guxojë kush të stolisë bredh për Vit të Ri, sepse do të vidhet natën, e i Zoti, do të grihet e zihet si Filipi i romanit “Tenxherja” të Tufës.
A thua po u vidhet kosovarëve e sotmja nga e kaluara që u përket të vdekurve. Sa i përket votës së 12 dhjetorit, edhe kjo e ka anën e vet të qeshur: Votim karikaturial, si në barsoletën, ku një burri i kishte pas vdekur baba, kishte kohë, dhe mërzia e kishte rrënuar, e qaj e vajto e… Dhe ditën e votimeve po e sheh ky burri nënshkrimin e babës së vdekur, në vendvotim… Trishtueshëm po kthehej në shtëpi duke hedhë gurë e dru mbi rahmetlinë. Haram lotët i kofshin, ne mërzitu e qaj e ai burri i dheut qohet e voton e s’vjen me na pa hiq në sh’pi – kishte shfry mllefin ai.
Natyrisht se populli që qesh ka të ardhme, prandaj, në prag të festave, për ta frenuar depresionin, kosovarët e kanë krijuar një pyetje logjike: – Me çka t’i mbështjellin çebaptoret e Drenicës pesë çebapa?
– Me fletëvotime, o i marrë – është përgjigja e saktë si në një kuiz që vjen nga e ardhmja e lumtur!
Kjo është demokracia dhe jeta surreale kosovare.
Filozofët po thonë se po rizgjohet historia, ajo po ulërinë sërish…
Nuk është bash për të qeshur, ama, të bëhemi kinse, nëse ende jemi…
Hajr qoftë, 2011!
Comments are closed.
Shkrim i bukur z.Halil,po thuaj te gjitha.Thuaj qe vjedhjen e votave e kemi peshqesh nga mjeshtri i kesaj pune Sali Berisha.Shkruaj se sa me larg Saliut aqe me Europiane do behet Kosova.Pa diskutim qe partia e Thacit gaboj rende ne 12 Dhjetor,por mesa kemi lexuar Thaci ka reflektuar,dhe ne qofte e vertet eshte ogur i mire.Sa per Saliun tone qe infektoj dhe Kosoven nuk leviz nga istikami,vetem po ja levizi populli si ne 97-en.I uroj popullit shqipetar te Kosoves urtesi dhe maturi,dhe sa me larg ngatrestarit,mashtruesit, te pacipit sic shkruan Mustafa Nanua Sali Berishes.
Pershendetje z.Halil, ju pergezoj per shkrimin. Deri kur populli i i Kosoves do te sakrifikoje te ardhmen e femijeve te tyre per interesa te te tjereve? Dikur ishte sec na ishte, ishte Serbia qe ju donte te nenshtruar, po tani? A nuk mjaftoi gjaku i 12 000 kosovareve te zhdukur, te vrare e masakuar, paposhterimi i sa e sa grave e vajzave te perdhuara, lotet e sa e sa femijeve e nenave te genociduar per te kuptuar se BOLL ME te tjeret u tallen me jetet tuaja. Kosovaret duhet perfundimisht te kuptojne se nuk votohet me per te sakrifikuar djemte e tyre per clirimin e Kosoves nga Serbia por per tua bere jeten te bukur e dinjitoze ne te ardhmen. Nese nuk arrini ta kuptoni kete, shpresat per nje Kosove demokratike jane te pakta. Modeli shqiptar i zgjedhur nga politikanet e Kosoves ishte ne fillim i keq per Kosoven.
Zeri juaj z. Matoshi e ndihmon Kosoven te zgjohet nga injoranca dhe mungesa totale e informacionit dhe kultures demokratike.
Me shume respekt, Marini
Bashkimi eshte Shpetimi!