Gëzuar 1922, 1924...

6 Janar 2011, 19:23Blog TEMA

Nga Halil Matoshi

Një koment rreth fjalimit të peshkopit shqiptar Fan S. Noli të vitit 1924 e pata bërë më 2008, por as më 2010 (që nga shumëkush u cilësua si vit i mbrapshtë) asgjë s’ka ndërruar, kurse 2011 nisi fatalist kobshëm. Është ashpërsuar lufta politike brendashqiptare e ndërkrahinore, u vodh vota e lirë dhe më pas u përgjak ajo. Politikanët i hapen udhë gjëmës në Banjë të Malishevës përmes “terrorizmit gjuhësor” gjatë fushatës elektorale. Procesi zgjedhor i 12 dhjetorit, i cili nga kryeministri i shkarkuar u cilësua si “një mrekulli” degradoi në dhunë. Sa shumë do të na lumturonte, si mua ashtu dhe shumicës dërrmuese të kosovarëve, të ishte kjo vërtet një mrekulli. Të dilte Kosova më 13 dhjetor me një pushtet që e ka legjitimitetin demokratik. Por, përplasja për mujshi, mes kundërshtarësh politikë e përgjaku kalendarin e fillimvitit 2011.

Fillimisht po e sjellim tekstin integral të Andon Zako Çajupit, të shkurtit 1922, shkruar në Kajro, për të parë se kjo shoqëri s’ka luajtur vendit, duke qenë se ashtu si në Shqipërinë londineze, edhe në Kosovën atlantike, politika është ende shumë atraktive, sepse shqiptarët besojnë se përmes saj fitohet shumë dhe shpejt, para, famë dhe fuqi!?

E sa për letraturën, siç shprehet Çajupi, askujt s’i bëhet vonë. Shqiptarët e kanë tërë kohën e botës…

Çajupi 1922: “Për me fitu bukën, në këtë botë të rreme, zanati m’i lehti është të bënesh ministrë.”

“Tani disa vjet, kemi rënë tepër pas politikës… Politika! Fort mirë. Po na duhet dhe letratura, për zonë! Kemi nevojë të dëfrejmë e të çdëfrejmë dopak, të jetojmë dhe me ëndërra. Pastë të mirë, pra, z. Milo Duçi, që na mbushi dëshirën e zemërs, se “E thëna” do të na zbavitij mjaft, sa të harrojmë, një orë a dy, mendimet e mundimet e jetës, ndë këtë botë ku hollësitë, kodhelet dhe lodrat e politikës gati na prishin trutë në ditë të sotme.

Do të më thuani se jam në gabim, se politika për shqipëtarët është si buka që hanë; janë të “lindur për politikë”. Për njëmënd, ndë Shqipëri gjenden plot ministra, qeveritarë, depytenj, diptlomatë të fortë. Mbijnë sikursi kërpudhat nga dheu… Përkundra, shkronjëtorët, vjershëtorët, janë fort të pakët.

Në këta 3 a 4 vjet të fundit Shqipëria ka mundur me pas më tepër se 300 a 400 ministra, diplomatë, deputenj të çkëlqyerë! Po, qysh 40 vjet e tëhu, s’ka mundur me na dhënë veç 4 shkronjëtorë e vjershëtorë që meritojnë të përmendej në letratyrë…

Si shpjegohet kjo pasuni në pikëpamje të politikës? Unë, që jam krejt budallë në këtë pikëpamje, them se, për shumicën e shqipëtarëve politika është një punë fort e lehtë dhe u vërtetoj se, për me fitu bukën, në këtë botë të rreme, zanati m’i lehti është të bënesh ministrë. S’ke nevojë të dish asnjë punë, asnjë mjeshtëri me themel.

Ministri i bujqësisë bie fjala, takon të mos çquajë qepët nga prasët; ministri i luftës takon të mos ketë marrë një pushkë në dorë; ministri i financës takon të mos ketë fituar as një grosh, veç me të grabitur, ministri i arsimit takor lë mos dijë as shqip, veç të mundij të shkruaj një ë me dy pika në krye: ministri i punëvet përjashtëme takon të jetë prift a hoxhë…, dhe puna të vejë mbarë gjithmonë…

1). Një herë në një kohë, populli lypte nga qeveritarët të jenë sidomos atdhetarë të vërtetë. Jo, sot s’është nevojë.

2). Ndë Shqipëri, një turkoman, një grekoman, një sllavoman, një intrigant, një tradhëtor, takon të bëhet pa vesvese, regjent, ministre, depytet, prefekt; faqe me nder, dhe mbret…”

Jemi në vitin 2011 në Kosovë. Çfarë ka ndërruar pra kjo shoqëri?

Ka në ballë atdhetarë të vërtetë? “Jo, sot s’është nevojë”, thoshte Çajupi.

Noli, 1924: “Këtu brenda një dite si me magji tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor.”

Po sikur shkrimi i Çajupit për dramën e Milo Duçit më 1922, pesë pikat kritike të shoqërisë shqiptare që Fan S. Noli i shpalosi më 1924 në një fjalim në Parlamentin shqiptar vlejnë si të ishin thënë sot, më 2011 për Kosovën.

Vlejnë me një saktësi të habitshme që të gjitha ato pika (dhe na shkaktojnë dhimbje) që i shpalosi kritiku modernist i asaj shoqërie, intelektuali dhe politikani, peshkopi dhe liberali Noli.

“E para. Anarkia fetare: Katër fe të ndryshme që nuk kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.

E dyta. Anarkia sociale: Këtu s’ka as klasë (të lartë) bejlerësh, as klasë bujqish, as klasë burzhuazie. Këtu bujku është më bej se beu dhe beu më bujk se bujku. Kemi një shembull të bukur për partinë popullore e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve nga oxhakët më të vjetër, kurse anëtarët e saj lëvdohen se kanë shpëtuar prej bejlerëve.

E treta. Anarkia morale: Këtu qeni nuk e njeh të zonë, këtu karakteret dobësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë e ngjyrë dita me ditë si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

E katërta. Anarkia patriotike: Këtu brenda një dite si me magji tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapërdisen si patriotë të mëdhej ata që kanë luftuar për harfet dhe për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartet e i kanë ndihmuar shenjtërojnë anë e mbanë Toskërinë. Këtu si më thoshte një mik është më mirë që njeriu të jetë tradhëtor e të shikojë interesat e tij sepse kështu do të jetë i sigurt që të nesërmen do të prokllamohet patriot i madh.

E pesta. Anarkia e idealeve: Këtu idealet e shtrembëra, të errëta e të mumifikuara të Fanarit e të Buhares përfyten e përleshen në një luftë për jetë a vdekje me idealet më të gjalla më elegante e më të nderitshme të Perëndimit. Na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpuseh që mund t’i copëtosh, por jo ti shqitësh nga trupi që kafshojnë dhe thëthijnë. Herodi tregon se në betejën navale të Salaminës, një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte, gjersa ia prenë; atëhere e kapi me dorën e mëngjër, ja prenë dhe këtë, atehere e kapi me dhëmbë e s’e lëshoj gjersa i’a prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodi përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë antike. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet të preç jo vetëm duart e kokën po dhe këmbët e trupin.”

Gëzuar 2008, 2011…

Çka të thuhet për pesë pikat fatale të fjalimit fanolian, që na vijnë sot si një aht, paralajmërim, mallkim a gjëmë?

* Së pari, që në vitin e pavarësisë më 2008 arriti thuajse edhe anarkia fetare, të cilën është menduar se shoqëria shqiptare e ka tejkaluar me ekumenizmin e saj brilant, por ndodhën disa ngjarje kulturore, dhe disa “cikërrima” politike që e rikthyen këtë sindromë sërish ndër shqiptarët.

Romani provokues, por shumë i lexueshëm i Ben Blushit “Të jetosh në ishull” riktheu polemikat ndërfetare mes shqiptarëve, pastaj Panairi i Librit në Prishtinë u “mbyt” nga vërshimi i literaturës fetare, si dhe disa deklarata të klerit katolik “se pa katolikët Kosova kurrë nuk do të ishte e pavarur”, sikur edhe rikthimi “në fenë e të parëve” të disa qytetarëve kosovarë në Llapushnik dhe kërkesa e tyre për ta ngre një kishë aty, shkaktuan tërmet në jetën “e rehatshme” të paspavarësisë në Kosovë.

Ndodhën edhe disa raste sinjifikante, që dëshmojnë rizgjimin e historisë, asaj të dominimit të një feje ndaj tjetrës, pra përmes luftës për primat të feve monoteiste në shoqërinë kosovare. Fyerja publike e Nanës Terezë të Lumnueme nga një imam me origjinë shqiptare; Deklaratat agresive të një prifti katolik, shqiptar në Amerikë, pas rastit të arrestimit të disa shqiptarëve për përgatitje komploti terrorist në bazën ushtarake amerikane në FortDix; Rasti i xhamisë së Marinës dhe përzënia e hoxhës “altruist” nga Shqipëria londineze; Arrestimi i disa shqiptarëve në Prizren për mbajtje të një arsenali armatimesh dhe për pikëpamje xhihadiste etj. dëshmojnë tendencën në rritje të fanatizmit fetar ndër shqiptarët (shënimet siç vura në pah datojnë nga 2008-2010).

* Së dyti, anarkia sociale: Dikur bujq dhe punëtorë, sot janë ngjitur në klasë super të pasur (përmes kapitalizmit të egër pa infrastrukturë ligjore, përmes uzurpimit të pronës publike, përmes tregjeve të zeza si dhe transaksioneve të paligjshme, tregut informal të naftës, cigareve etj.), kurse me tamam bujqit s’kanë hesap ta dhezin traktorin!?

Sepse shteti jo që nuk e subvencionon bujqësinë, por e stimulon ikjen nga katundi, për të shitur kartela telefonie mobile në tregun e zi.

Vendi me mbi 16 % të njerëzve që jetojnë me më pak se 1 euro në ditë, me papunësinë më të madhe në Europë dhe pa ligj për pensionet (me një ndihmë humanitare të ngritur në kinse-ligj!?) po zhytet kështu në anarki sociale, që e kapërcen edhe etapën e kalbëzimit të komunizmit. Kosova po hyn në fukarallëk. Qeverisja e mirë, në koalicion me qytetarin, qysh cilësohet nga eksponentë të pushtetit, fukarenjve edhe bukën e gojës nuk ua siguron dot. Një familjeje mesatare prej pesë anëtarësh buka i kushton 60 euro në muaj, e paga mesatare është 270 €. Lartmadhëria e saj, buka, po bëhet ‘kafshatë që s’kapërdihet’ për mbi 16 për qind të popullsisë kosovare, fuqia blerëse e së cilës është dy bukë në ditë, pa asgjë tjetër. Tri herë është rritur çmimi i bukës gjatë vitit 2010, nga 25 në 30 centë, pastaj në 35, pastaj u rrit në 40 centë…

Në anën tjetër pretendohet se më së shumti kosovarë e kanë votuar po këtë “mirëqeverisje”!?

Këtu s’ka as klasë të lartë zengjinësh (bejlerësh, sipas Nolit), as klasë punëtore dhe as bujqish, as klasë të mesme dhe kapitaliste (burzhuazie, siç shprehet Noli). Këtu punëtori dhe bujku është më borgjez – (bej) se borgjezi – beu dhe borgjezi – beu më punëtor dhe më bujk se punëtori dhe bujku. Paradoksale.

* Së treti, anarkia morale është me damkë. I vetmi vend europian që qeveriset në shekullin XXI nga komandantë lufte – në kohë paqeje dhe nga ‘bossa’ klanesh familjare, që priren me parime gjysmë kanunore, si “burrnia”, “besa”, “patriotizmi”, e jo me nocione politike moderne, etikë pushteti, mbajtje e fjalës dhe vlera të përbashkëta europiane. Kosova po rrëshqet në autoritarizëm. Është i vetmi vend europian ku politika është zhveshur nga vlerat morale, ku etika të bën humbës…, vendi ku në praktikë po ndodh veçimi turboetnonacionalist; Vendi që po rreshtohet në mënyrë jokritike me Turqinë dhe në krahë të liderëve të saj sivëllezër (ndonëse edhe me këtë vend natyrisht se duhet ndërtuar raporte normale ndershtetërore) dhe ku sulltan Murati II përkujtohet me bujë, si një përzdritës e çlirimtar i vërtetë; E në anën tjetër, pështyhen evropianët kritikë si ‘antishqiptarë’, kurse publikut i thuhet se vendi ka marrë kursin e integrimeve euroatlantike!?

Në Kosovën e 2010-ës, një fantazmë antieuropiane, si te “Mosmarrëveshja” e Kadaresë, po sillej mbi qiellin kosovar. Kryeministri në largim, Hashim Thaçi, u filmua tek bënte amin në një xhami me kolegun e tij turk Erdogan, ndërkaq që në fundvit ai e krahasoi raportuesin e KE-së, Dick Martyn, me ministrin e Hitlerit, Goebbels.

Parlamentarja zvicerane, Maria Roth Bernasconi (PS/GE), është e mërzitur, ngase, sipas saj, edhe pse populli i Kosovës ka vuajtur nga shtypja e armikut të tyre serb, deklaratat e Hashim Thaçit rrezikojnë marrëdhëniet e mira mes dy vendeve. Ndërkohë që parlamentari Yvan Perrin (UCD/NE), shkon më larg në zemërimin e tij me shefin e Qeverisë së shkarkuar. “Këto komente tregojnë për një karakter të egër e të neveritshëm”, tha në fillimvitin 2011 Perrin.

Shkurt e shqip, ky është vendi i mospërfilljes së asnjë vlere reale, sidomos jo literaturës, siç shprehej Çajupi, pos do farë vlerash të shpifura. Vendi ku nuk ekziston dija si vlerë – por fuqia e mbledhur me muskuj dhe farefisni, si dhe pasurimi nga zyra publike, e ka të zymtë perspektivën e vet në familjen e kombeve të mirëqena demokratike. Ky është vendi ku bashkëjetojnë politika dhe krimi i organizuar dhe ku korrupsioni po e gërryen shtetin nga brenda…

* Së katërti, anarkia patriotike si asnjëherë më parë u shfaq gjatë diskutimit të Projektligjit për festat zyrtare, më 2009-ën. E, në fund ndodhi ajo që duhej të ndodhte. Nuk është e vërtetë se u arrit kompromisi, aq më pak konsensusi i shoqërisë kosovare, por Qeveria në vend të përballjes me faktet ua lejoi ligjvënësve dhe grupimeve etnonacionaliste që të rishfaqen si të djegur fare për atdheun, thjesht për efekte mediale, sepse e dinte se intencën e tyre do ta shtypte lehtë. Komenti i Nolit në këtë rast është matematikisht i saktë: “Këtu brenda një dite si me magji tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor”.

Kosovarët e dëgjuan në pragfeste shefin e veteranëve të luftës, sipas pretendimit të tij, tek del si një properëndimor i dëshmuar dhe duke mëtuar ta mbrojë shefin e tij politik, në mënyrë të paskrupull e akuzoi Albin Kurtin të jetë një prosllav.

Me Kurtin mund të kesh dallime konceptuale, ideologjike, por sa për guximin, as syni vër s’i bën! Guximi dhe patriotizmi i tij njihet nga protestat studentore ’97 dhe ’98, si zëdhënës i zyrës së UÇK-së në qytet dhe më hollësishëm nga kampi i përqendrimit “Zabela” të Pozharevcit, në Serbi, kur kurrë kryet s’e uli. Njihet nga gjykimi i tij në Nish, kur qëndroi i pathyer edhe pse “iu prenë” 15 vjet burg; Mbahet mend nga takimi me gazetarët, në “Zabela” kur e sfidoi ministrin serb të drejtësisë.

E tash, në obskurantizmin primitiv shqiptar, na del një bashkëpunëtor i serbëve!?

Nejse, koha është e maskarenjve, atdheu mbetet i shqiptarëve.

Maskarenjtë i ulin heronjtë e vërtetë te pluhuri, për t’u shquar vetë “ni bojë njeri” përmbi të tjerët, e për me rrahë gjoks në stilin “Lirinë ua solla unë… tashti nënshtrohuni!” Ectr. Por ata jo që janë viganë, por ne jemi të gjunjëzuar.

Dhe së pesti, çka të thuhet për anarkinë e idealeve, në vendin që ka mëtuar lirinë, demokracinë dhe shtetin e pavarur gjatë një shekulli, dhe tash që nominalisht u bë, por që duhet të jetësohet në institucione të pavarura, rikthehen në skenë herë ideale historikisht të deplasuara marksiste-leniniste, e herë modele autoritariste, që duan të sundojnë me dorë të hekurt, e jo të qeverisin duke synuar demokracinë liberale dhe së bashku me opozitën. Kosovarët ende nuk e kanë idenë se çfarë lloji të shoqërisë duan të ndërtojnë, çfarë ideologjie duhet ta zërë vendin e komunizmit, që e ka lënë një boshllëk humneror në mendjet e tyre. Klasa politike kosovare nuk e pranon debatin qytetar dhe as kritikën shoqërore. Ajo është e vetëmjaftueshme.

Do që të mbahet madhështore përballë të gjunjëzuarve.

Nëse klasa politike kosovare ka pranuar ta legjitimojë pushtetin në zgjedhje të lira, dhe ka pranuar një kontratë me qytetarin për shtetin e së drejtës, ajo duhet ta emancipojë veten, duke mbledhur përreth forcat politike shtetndërtuese dhe integruese dhe mbi të gjitha duke ia nënshtruar autoritetit të ligjit edhe autoritetin e tyre.

Përfundimisht për ta instaluar patriotizmin ligjor.

Thjesht, këto janë dëshmi që përshkruajnë një komb që ende nuk është një shoqëri.

3 komente në “Gëzuar 1922, 1924…”

  1. agim says:

    Nga gjith kjo analizë-kritike,shum e qart dhe e saktë,e z.Matoshi,e vetmja gjë që i mbetet klasës politike shqiptare në tërësi,,.(analiza nuk përjashton askënd, Kosovë,Shqipëri,Maqedoni,Mal i zi..etj..)pra ësht të marr lapsin dhe të bëjnë një program,nga ato që na duhen si komb…Kishim besuar se zgjedhjet në kosovë do të ishin më të mirat në rajon..(ka pasur të tilla..)por si duket pushteti të shndërron…(në horr).Kjo lloj analize i duhet pushteteve shqiptare.Të përshëndes,dhe të falenderoj,z.Matoshi!

  2. Donika says:

    Nderimet e mia z. Matoshi, te isha pyetur une ti kishe me qene kryetar i gjithe shqiptarve, jeni guximtar, ju pergezoj…

  3. driton says:

    Analiza e Halile Matoshit eshte nje krtike e ,shendoshe qe i bene ,Shoqorise Kosovare ,dhe asaje ,Shqiptare sode.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje