Azil politik se ç’ke me të!

8 Janar 2011, 20:43Blog TEMA

Nga Ardit Rada

Me heqjen e vizave për shqiptarët e Shqipërisë, dy qenë sikletet më të mëdha të qeverisë për të mos thënë frikat, pasi i mëshuan këtyre gjërave kaq shumë sa që nuk lanë spot televiziv pa bërë e emision pa vajtur për të sqaruar miletin. Bëhet fjalë për frikën që kishte, ka dhe do të ketë Berisha dhe ndonjë tjetër pas tij, në lidhje me largimin nga vendi për arsye emigrimi në masë të shtetasve shqiptarë dhe kërkesat e mundshme nga këto të fundit për të përfituar një azil politik në një prej vendeve të Europës perëndimore dhe me të drejtë.

Për sa i përket dyshimit nëse do ketë nga ata që do ikin dhe do shkelin leje-qëndrimet e tyre, kjo nuk do as mend dhe as kalem për ta kuptuar drejt. Po të kthehemi prapa në kohë dhe të shohim historikun e emigracionit shqiptar, sigurisht që ata ikën pa dokumente duke shkelur kështu çdo lloj mirëbesimi të Europës për Shqipërinë post-komuniste apo duke shpërdoruar mirësjelljen e europianëve për të vetmen arsye; krijimin e një jete më të mirë sepse nuk besonin në një Shqipëri demokratike si gjithë Europa, me apo pa Berishën president. Shumica e emigrantëve vazhdojnë të mos kenë leje qëndrimi të rregullta sikurse vazhduan të largoheshin me vaporë e gomone plot me klandestinë deri vonë, herë duke i kthyer arratisjet e tyre në tragjedi dhe herë duke e prekur “tokën e premtuar”. E bëj këtë përmbledhje në pak rreshta për të bërë të qartë disa pyetje retorike: A do ndalen shqiptarët pa viza, sepse duhen pasur disa qindra euro në xhep kur kalon kufirin, ndërkohë që blinin një vizë për mijëra euro? A do ndaleshin shqiptarët pa viza për të emigruar në një kohë që s’u ndalen me viza, por i hipën mjeteve lundruese të mbushura 2-3 fish mbi kapacitetin e tyre? Akoma më bindshëm, a do ndaleshin shqiptarët pa viza për tu larguar njëherë e mirë nga dhuna e pushtetit në vend, kur nuk u ndalën në kohën e diktaturës, atëherë kur gjasat që të mbeteshe i vrarë në kufi ishin të larta?

Gjithsesi, ajo që bëri qeveria duke i dalë të keqes përpara me ministrin Basha, i cili shëtiste si komisarët e luftës nëpër shkollat e mesme që të sqaronte nxënësit se si lëvizet pa viza dhe pse duhet të kthehemi prapë, është për tu vlerësuar. E them këtë sepse është pikërisht frika ajo që të bën të marrësh masa dhe sipas Lulëzim Bashës, ajo ishte një masë që duhej marrë, por që nuk shërben tjetër veçse si një tregues për hallin e qeverisë që s’i del dot garant popullit të saj.

Megjithatë, ajo që është më e paimagjinueshmja, mund të ndodhë. Nga eksperienca e popujve sllave si serbët dhe maqedonasit, kuptuam se liberalizimi i vizave nuk do të thotë mundësi për të kërkuar azil politik. Madje ka një sërë kushtesh se si mund të përfitohet ky i fundit. Rastet më të rëndësishme janë kur një shtetas kërkon azil pasi nuk mund të kthehet në vendin e tij për arsye se e ka të ndaluar, është shpallur “non-grata”, apo e pret dënimi i përjetshëm ose me vdekje kur të kthehet.

Pikërisht këto kushte i plotësojnë shumica e shqiptarëve. Një pjesë s’ka bukë të hajë, por kjo duket shumë utopike për të thënë që herët apo vonë do vdesin nga uria edhe pse po ta mendojmë me gjakftohtësi, pa dashur të përhap panik, dalim në përfundimin se kjo është e vërteta dhe se jetesa në Shqipëri s’është hiç e mirë. Por ajo çka duket më bindëse në tërë këtë histori është fakti se ka një pjesë të shtetasve tanë të cilët e kanë jetën në rrezik apo e thënë ndryshe; i pret plumbi dhe i kanë ditët e numëruara. S’ka asgjë për tu habitur dhe kjo nuk është një figurë letrare. Bëhet fjalë për ato që janë pjesë e procesit të shëmtuar të gjakmarrjes, të trashëguar që përpara mesjetës sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, të ndaluar në diktaturë dhe të risjellë në shoqëri nëpërmjet kanunit të neglizhencës fillimisht nga Berisha president e në vazhdim.

Të gjithë jemi dëshmitarë të familjeve të ngujuara kryesisht në zonat veriore dhe veri-lindore të vendit. A do mundet Bashkimi Europian të mos i japë azil politik fëmijëve dhe grave të cilët s’e shohin dritën e diellit përveçse nga frëngjitë e dritareve të tyre? E si mund të shmanget dhënia e azilit këtyre shqiptarëve kur vrasësi i rri poshtë shtëpisë nën hundën e shtetit, i cili nuk ka bërë dhe nuk ka ndërmend të bëjë përpjekjen minimale për të marrë masa. E shoh tepër të vështirë shmangien e azilit për shqiptarët të përfshirë në gjakmarrje për aq kohë sa kanë të gjithë popullin dëshmitar. Dëshmitar për raste që ndodhin çdo muaj ku fëmijët vrasin dhe vriten; gra vrasin dhe ngujohen; burra vrasin, vriten, ngujohen apo fshihen. E pra, ç’do i kushtonte një shqiptari “në gjak” për t’iu shmangur gjithë kësaj zallamahie ku përgjegjës dhe gjakësor ka vetëm një; Shtetin! Sepse ky i fundit nuk  e parandalon vrasjen e shtetasve të tij pavarësisht se është në dijeni, nuk dënon vrasësin apo në rastin më të mirë jep dënime qesharake. Por kjo nuk mbaron me kaq se dhe ato që s’janë në gjak do e shpikin një histori të tillë siç i gjetën marifetin emigrimit si kosovar të prekur nga lufta vite më parë. Të më ndjeni për më sipër, por nuk kam asgjë me shqiptarët. E kam me europianët që i besuan një politike, e cila s’ka besimin e popullit të saj.

Lini një Përgjigje