10 prioritetet e djallëzuara të qeverisjes “Berisha” për vitin 2011

8 Janar 2011, 20:42Blog TEMA

Nga Kledian Lula

Dy ditë më parë, kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë së tij (kështu e quan dhe kështu e përdor), deklaroi para kabinetit ministror “numëror topi” prioritetet që do të ketë pushteti i tij për vitin 2011. Pasi e mbylli vitin 2010 me 5 përmbytje ne Shkodër e Lezhë, me rritjen 30% të çmimeve për shkak të monopoleve të njerëzve të pushtetit, me mashtrimin e pronarëve e ish-të përndjekurve politikë, me afro 500 protesta masive sociale-ekonomike e pronësore në të gjithë vendin, me afro 100 vetvrasje nga varfëria, me afro 1100 krime si vjedhje e grabitje po për shkaqe varfërie, pasi shënoi “rekord” me papunësinë në shifrën 1 milion shqiptarë, pasi i nxiu zyrat e shtetit me mbi 100 skandale të rënda financiare të ministrave, politikanëve e zyrtarëve të tij të lartë, pasi e la Shqipërinë jashtë BE, “Sali Bollëku” duke buzëqeshur për këto “suksese” dështimi, u tha shqiptarëve se paska të tjera objektiva të tilla për të realizuar me ministrat e tij “model”. Të parat si prioritete, kuptohet se përse, “shefi” përmendi tenderat e superstradave e tuneleve, pastaj hidrocentralet, koncensionet e të cilave ua ka dhënë ministrave. Pastaj u ndal tek “ëndrra e tij e madhe e kultivuar qysh prej fëmijërisë” që është interneti, duke deklaruar, se “do të pajiset e gjithë Shqipëria ne male e fusha me internet, duke nisur që nga shkollat e deri tek spitalet psikiatrike dhe azilet e pleqve.

Kryeministri ynë “Lej Fen”, me këtë ritual të mirënjohur demagogjie, nuk bëri gjë tjetër, veçse recitoi ato premtime bajate që nuk i beson as vet. Edhe në këtë mbledhje të parë të qeverisë për vitin 2011, si gjithnjë ai “hapi thesin e parajsës”, duke u thënë shqiptarëve se “po jetojnë më mirë se edhe popullsitë në disa nga vendet më të zhvilluara të BE”! kjo dihet dhe duket, përderisa Shqipëria eksporton fjalimet mashtruese të kryeministrit dhe importon edhe rigon, çaj, kripë e marmaladë! Prej 6 vitesh, shqiptarët po dëgjojnë mëngjes e darkë, prioritetet e reja të kryeministrit, por po zhytet në varfëri ekstreme, sepse ekonomia po shkon drejt humnerës. Shëndetësia të lë të “vdesësh” edhe prej primitivizmit në shërbim, edhe prej ryshfeteve të kolegëve të “doktorit”, që po mban si “pacient” tranzicionin shqiptar për interesa të tij e të klaneve që komandon dhe që e komandojnë për shkak të përfshirjes në to. Se sa janë realizuar “prioritetet” që ka deklaruar kryeministri Sali Berisha kjo duket në realitetin shqiptar. Populli kërkon zgjidhje sipas premtimeve e detyrimeve që ka pushteti për shumë problem që lidhen me jetesën dhe mbijetesën e tyre ekonomike, kurse “Grup qeveria Berisha” vazhdon të qeverisë punët e veta, duke patur synim të vetëm përfitimet kolosale në pasuri të patundshme, biznese e financa. E ndërsa foli për “prioritete zhvillimi” të përsëritura me qindra herë, por të pa realizuara, kryeministri nuk deklaroi në mbledhjen e qeverisë prioritetet e fshehta,  me të cilat ai synon t’i jap vazhdimësi sundimit të tij nepotik e shkatërrues. Një nga këto prioritete, atë të zhdukjes së krimit të vjedhjes së votave, ai nisi ta realizoj duke djegur fletët e votimit. Por ne, për të njohur “projektet” e vërteta të kësaj qeverisjeje të dështuar që drejtohet nga një kryeministër “kapo”, po publikojmë 10 nga prioritetet e fshehta që ka në [programin e tij privat kryeministri Sali Berisha për vitin 2001.

1. Të vazhdojë të zvarrisë kthimin dhe kompensimin e pronave, duke nxjerr ligje, vendime e udhëzime pa fund, me synim që të mos kthehen pronat.

2. Të vazhdojë skemën e acarimit të marrëdhënieve me opozitën, për të mos miratuar ato ligje që e ndalojnë Berishën të sillet si pronar i pasurive dhe financave kombëtare.

3. Të falsifikoj dhe të zhduk dokumentacionin hipotekor të pronave në bregdet, të pushtuara e të synuara prej klaneve të afërta të familjes së tij, duke përgatitur dosje false për t’i zhvatur ato.

4. Të vazhdoj pazaret me “miqtë” dhe “ortakët” politiko-ekonomik grekë, për t’i falur atyre, territorin detar jugor të Shqipërisë.

5. Të ndaloj me çdo mjet dhe mënyrë zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit, si vepër kriminale e bërë me vetëdije dhe në bashkëpunim, me pasojë vrasjen e 26 njerëzve, mes tyre edhe gra e fëmijë.

6. Të përgatisë terrenin e plotë për të vjedhur edhe zgjedhjet vendore të 8 majit 2011, duke ndërtuar strukturën e presionit dhe financimit të jashtëligjshëm.

7. Të mos përdorë asnjë qindarkë nga buxheti për ndërtimin e banesave popullore, duke vazhduar të mashtrojë që prej vitit 1992 136 mijë familje të pastreha dhe 26 mijë familje që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve.

8. Të realizoj në mënyrë të paligjshme, qoftë edhe të dhunshme eksportimin e plehrave nga Italia, duke krijuar edhe mbi to një biznes të pistë, besuar njerëzve të afërt të pushtetit e të familjes.

9. Të përdor fondet e akorduara për bujqësinë, shëndetësinë, arsimin dhe rrugët rurale, për të siguruar “fitoren” në zgjedhjet e 8 majit 2011, të paralajmëruara prej Berishës si të “fituara”.

10. Të zvarrisë edhe këtë vit, dhënien e certifikatave të pronësisë për ndërtimet në proces legalizimi, duke përgatitur proceduara fiktive pa fund.

6 komente në “10 prioritetet e djallëzuara të qeverisjes “Berisha” për vitin 2011”

  1. LORA says:

    Prioriteti im per kete fillim viti eshte qerimi i ketij perbindeshi.

  2. huri says:

    O karadyzen qe tash 20 vjet po i bie dyzenit tand te shurdhosur.Boll ma se na je be bajat,tamam o LejFen qe te nxori ajo kohe kur ne ishim te djegur per demokraci.Po na mbive ti si fare e keqe,dhe nuk po na len rehat ne hallet tona.o djall me brire

  3. Dino USA says:

    Ok 10 prioritetet e Berishes i morem vesh,ato ne fakt nuk jane 10 po 100,po opozita ka 10 prioritete per te hequr kete njeri nga sundimi diktatorial?Po populli ka 10 mendime te keqija per kete njeri se ja ka patur me hile popullit te vet dhe ka 20 vjet qe e ka mashtruar?

  4. Epirioti says:

    Prioriteti i 11) eshte pergatitja e nje testamenti politik per gjeneratat e reja fshatarokatunare.

  5. dymi says:

    10 prioritetet e saliut: e para dhe e dhjeta marifetet per te regulluar familja e ngushte dhe e gjere.

  6. Nabukodonosor says:

    Prioriteti 12 te shpallet sulltan me emrin Al-Berish-bin-Malok-ibn-Hajvan-el-Kusari

Comments are closed.

Lini një Përgjigje