Gëzuar 2008, 2011...

8 Janar 2011, 20:36Blog TEMA

Nga Halil Matoshi

* Së pari, që në vitin e pavarësisë më 2008 arriti thuajse edhe anarkia fetare, të cilën është menduar se shoqëria shqiptare e ka tejkaluar me ekumenizmin e saj brilant, por ndodhën disa ngjarje kulturore, dhe disa “cikërrima” politike që e rikthyen këtë sindromë sërish ndër shqiptarët.

Romani provokues, por shumë i lexueshëm i Ben Blushit “Të jetosh në ishull” riktheu polemikat ndërfetare mes shqiptarëve, pastaj Panairi i Librit në Prishtinë u “mbyt” nga vërshimi i literaturës fetare, si dhe disa deklarata të klerit katolik “se pa katolikët Kosova kurrë nuk do të ishte e pavarur”, sikur edhe rikthimi “në fenë e të parëve” të disa qytetarëve kosovarë në Llapushnik dhe kërkesa e tyre për ta ngre një kishë aty, shkaktuan tërmet në jetën “e rehatshme” të paspavarësisë në Kosovë.

Ndodhën edhe disa raste sinjifikante, që dëshmojnë rizgjimin e historisë, asaj të dominimit të një feje ndaj tjetrës, pra përmes luftës për primat të feve monoteiste në shoqërinë kosovare. Fyerja publike e Nanës Terezë të Lumnueme nga një imam me origjinë shqiptare; Deklaratat agresive të një prifti katolik, shqiptar në Amerikë, pas rastit të arrestimit të disa shqiptarëve për përgatitje komploti terrorist në bazën ushtarake amerikane në FortDix; Rasti i xhamisë së Marinës dhe përzënia e hoxhës “altruist” nga Shqipëria londineze; Arrestimi i disa shqiptarëve në Prizren për mbajtje të një arsenali armatimesh dhe për pikëpamje xhihadiste etj. dëshmojnë tendencën në rritje të fanatizmit fetar ndër shqiptarët (shënimet siç vura në pah datojnë nga 2008-2010).

* Së dyti, anarkia sociale: Dikur bujq dhe punëtorë, sot janë ngjitur në klasë super të pasur (përmes kapitalizmit të egër pa infrastrukturë ligjore, përmes uzurpimit të pronës publike, përmes tregjeve të zeza si dhe transaksioneve të paligjshme, tregut informal të naftës, cigareve etj.), kurse me tamam bujqit s’kanë hesap ta dhezin traktorin!?

Sepse shteti jo që nuk e subvencionon bujqësinë, por e stimulon ikjen nga katundi, për të shitur kartela telefonie mobile në tregun e zi.

Vendi me mbi 16 % të njerëzve që jetojnë me më pak se 1 euro në ditë, me papunësinë më të madhe në Europë dhe pa ligj për pensionet (me një ndihmë humanitare të ngritur në kinse-ligj!?) po zhytet kështu në anarki sociale, që e kapërcen edhe etapën e kalbëzimit të komunizmit. Kosova po hyn në fukarallëk. Qeverisja e mirë, në koalicion me qytetarin, qysh cilësohet nga eksponentë të pushtetit, fukarenjve edhe bukën e gojës nuk ua siguron dot. Një familjeje mesatare prej pesë anëtarësh buka i kushton 60 euro në muaj, e paga mesatare është 270 €. Lartmadhëria e saj, buka, po bëhet ‘kafshatë që s’kapërdihet’ për mbi 16 për qind të popullsisë kosovare, fuqia blerëse e së cilës është dy bukë në ditë, pa asgjë tjetër. Tri herë është rritur çmimi i bukës gjatë vitit 2010, nga 25 në 30 centë, pastaj në 35, pastaj u rrit në 40 centë…

Në anën tjetër pretendohet se më së shumti kosovarë e kanë votuar po këtë “mirëqeverisje”!?

Këtu s’ka as klasë të lartë zengjinësh (bejlerësh, sipas Nolit), as klasë punëtore dhe as bujqish, as klasë të mesme dhe kapitaliste (burzhuazie, siç shprehet Noli). Këtu punëtori dhe bujku është më borgjez – (bej) se borgjezi – beu dhe borgjezi – beu më punëtor dhe më bujk se punëtori dhe bujku. Paradoksale.

* Së treti, anarkia morale është me damkë. I vetmi vend europian që qeveriset në shekullin XXI nga komandantë lufte – në kohë paqeje dhe nga ‘bossa’ klanesh familjare, që priren me parime gjysmë kanunore, si “burrnia”, “besa”, “patriotizmi”, e jo me nocione politike moderne, etikë pushteti, mbajtje e fjalës dhe vlera të përbashkëta europiane. Kosova po rrëshqet në autoritarizëm. Është i vetmi vend europian ku politika është zhveshur nga vlerat morale, ku etika të bën humbës…, vendi ku në praktikë po ndodh veçimi turboetnonacionalist; Vendi që po rreshtohet në mënyrë jokritike me Turqinë dhe në krahë të liderëve të saj sivëllezër (ndonëse edhe me këtë vend natyrisht se duhet ndërtuar raporte normale ndershtetërore) dhe ku sulltan Murati II përkujtohet me bujë, si një përzdritës e çlirimtar i vërtetë; E në anën tjetër, pështyhen evropianët kritikë si ‘antishqiptarë’, kurse publikut i thuhet se vendi ka marrë kursin e integrimeve euroatlantike!?

Në Kosovën e 2010-ës, një fantazmë antieuropiane, si te “Mosmarrëveshja” e Kadaresë, po sillej mbi qiellin kosovar. Kryeministri në largim, Hashim Thaçi, u filmua tek bënte amin në një xhami me kolegun e tij turk Erdogan, ndërkaq që në fundvit ai e krahasoi raportuesin e KE-së, Dick Martyn, me ministrin e Hitlerit, Goebbels.

Parlamentarja zvicerane, Maria Roth Bernasconi (PS/GE), është e mërzitur, ngase, sipas saj, edhe pse populli i Kosovës ka vuajtur nga shtypja e armikut të tyre serb, deklaratat e Hashim Thaçit rrezikojnë marrëdhëniet e mira mes dy vendeve. Ndërkohë që parlamentari Yvan Perrin (UCD/NE), shkon më larg në zemërimin e tij me shefin e Qeverisë së shkarkuar. “Këto komente tregojnë për një karakter të egër e të neveritshëm”, tha në fillimvitin 2011 Perrin.

Shkurt e shqip, ky është vendi i mospërfilljes së asnjë vlere reale, sidomos jo literaturës, siç shprehej Çajupi, pos do farë vlerash të shpifura. Vendi ku nuk ekziston dija si vlerë – por fuqia e mbledhur me muskuj dhe farefisni, si dhe pasurimi nga zyra publike, e ka të zymtë perspektivën e vet në familjen e kombeve të mirëqena demokratike. Ky është vendi ku bashkëjetojnë politika dhe krimi i organizuar dhe ku korrupsioni po e gërryen shtetin nga brenda…

* Së katërti, anarkia patriotike si asnjëherë më parë u shfaq gjatë diskutimit të Projektligjit për festat zyrtare, më 2009-ën. E, në fund ndodhi ajo që duhej të ndodhte. Nuk është e vërtetë se u arrit kompromisi, aq më pak konsensusi i shoqërisë kosovare, por Qeveria në vend të përballjes me faktet ua lejoi ligjvënësve dhe grupimeve etnonacionaliste që të rishfaqen si të djegur fare për atdheun, thjesht për efekte mediale, sepse e dinte se intencën e tyre do ta shtypte lehtë. Komenti i Nolit në këtë rast është matematikisht i saktë: “Këtu brenda një dite si me magji tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor”.

Kosovarët e dëgjuan në prag-feste shefin e veteranëve të luftës, sipas pretendimit të tij, tek del si një properëndimor i dëshmuar dhe duke mëtuar ta mbrojë shefin e tij politik, në mënyrë të paskrupull e akuzoi Albin Kurtin të jetë një prosllav.

Me Kurtin mund të kesh dallime konceptuale, ideologjike, por sa për guximin, as syni vër s’i bën! Guximi dhe patriotizmi i tij njihet nga protestat studentore ’97 dhe ’98, si zëdhënës i zyrës së UÇK-së në qytet dhe më hollësishëm nga kampi i përqendrimit “Zabela” të Pozharevcit, në Serbi, kur kurrë kryet s’e uli. Njihet nga gjykimi i tij në Nish, kur qëndroi i pathyer edhe pse “iu prenë” 15 vjet burg; Mbahet mend nga takimi me gazetarët, në “Zabela” kur e sfidoi ministrin serb të drejtësisë.

E tash, në obskurantizmin primitiv shqiptar, na del një bashkëpunëtor i serbëve!?

Nejse, koha është e maskarenjve, atdheu mbetet i shqiptarëve.

Maskarenjtë i ulin heronjtë e vërtetë te pluhuri, për t’u shquar vetë “ni bojë njeri” përmbi të tjerët, e për me rrahë gjoks në stilin “Lirinë ua solla unë… tashti nënshtrohuni!” Ectr. Por ata jo që janë viganë, por ne jemi të gjunjëzuar.

Dhe së pesti, çka të thuhet për anarkinë e idealeve, në vendin që ka mëtuar lirinë, demokracinë dhe shtetin e pavarur gjatë një shekulli, dhe tash që nominalisht u bë, por që duhet të jetësohet në institucione të pavarura, rikthehen në skenë herë ideale historikisht të deplasuara marksiste-leniniste, e herë modele autoritariste, që duan të sundojnë me dorë të hekurt, e jo të qeverisin duke synuar demokracinë liberale dhe së bashku me opozitën. Kosovarët ende nuk e kanë idenë se çfarë lloji të shoqërisë duan të ndërtojnë, çfarë ideologjie duhet ta zërë vendin e komunizmit, që e ka lënë një boshllëk humneror në mendjet e tyre. Klasa politike kosovare nuk e pranon debatin qytetar dhe as kritikën shoqërore. Ajo është e vetëmjaftueshme.

Do që të mbahet madhështore përballë të gjunjëzuarve.

Nëse klasa politike kosovare ka pranuar ta legjitimojë pushtetin në zgjedhje të lira, dhe ka pranuar një kontratë me qytetarin për shtetin e së drejtës, ajo duhet ta emancipojë veten, duke mbledhur përreth forcat politike shtet-ndërtuese dhe integruese dhe mbi të gjitha duke ia nënshtruar autoritetit të ligjit edhe autoritetin e tyre.

Përfundimisht për ta instaluar patriotizmin ligjor.

Thjesht, këto janë dëshmi që përshkruajnë një komb që ende nuk është një shoqëri.

1 komente në “Gëzuar 2008, 2011…”

  1. driton says:

    Analiza e zoetrise Halile Matoshi eshe shume reale.Ai analizon fenomenet ,Kosovare dhe ,Shqiptare breneda vetevetese.Ai analizon bukur edhe thenjete te Fane Nolit dhe ato te Cajupit.Sukesese ,zoetri ,Halile Matoshi.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje