Trofeu politik i opozitës

11 Janar 2011, 21:25Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka

‘Herezia’ e votës

Shndërrimi në hi i votës si për ta ‘shpëtuar’ nga ‘mëkate’ përvëluese, ishte prova e të ‘fortit’ e pushtetit në karshillëk të moralit, ligjit, opozitës, elektoratit, PE e partnerëve strategjik, integrimit europian, shpresës se ‘ky vënd bëhet’ e besimit tek vota. Përballë namit të abuzuesit me votën u preferua ajo e abuzuesit me ligjin. Ndërsa kutitë bosh nuk mbajnë më peng legalitetin e pushtetit, ato po rrezikojnë të marrin peng zgjedhjet e ardhshme. Bashkë me hirin shuhet jo vetëm shpresa për transparencë integrale por zvenitet dhe besimi në pastërtinë e zgjedhjeve të rradhës sepse mazhoranca është tashmë e paragjykuar.  Me goditjen e njëanshme të besimit mes palëve, në pamundësi të ndëshkimit të abuzimit me votën, i vetmi amortizim mbetet ndëshkimi i abuzimit me ligjin që mohoi transparencën gjë që nuk gjasa të ndodhë.

Dorashkë kavalieri apo ‘goditje nën brez’?

Formalisht ishte KQZ që nisi e bitisi kaosin zgjedhor ku dhe Kolegji Zgjedhor u përfshi por realisht ishte mazhoranca që intimidoi, interferoi institucionet e frymëzoi ‘inkuizicionin’ ndaj votës. Kritikat, sot komode, ndaj opozitës për menaxhimin e kauzës teksa fletët e votimit, dikur lajmotivi qëndror, u lanë fillikat duke hutuar shumëkënd e dhënë zëmër mazhorancës apo mirëbesimi ndaj efikasitetit europian që më pas zhgënjeu, nuk zhbëjnë përgjegjësinë e mazhorancës në deformimin deri në pragshëmbjeje të ‘godinës’ së demokracisë prej themelit të brishtë të votës së dyshimtë, me efekte në bllokimin e transparencës.

Hulli europiane!

Përballë ‘goditjes nën brez’ të mazhorancës ndaj një opozite luajale ndaj demokracisë e liderit të saj të cilësuar burrë shteti, ngre vetullat hullia e institucioneve të huaja që çertifikuan ‘zgjedhje më të mira se të mëparshmet’ pavarësisht kontradiktës mes keqnumërimit e mosndikimit në rezultatin(!) e përcaktuar me ‘fotofinish’. Të mbetur peng i ‘legalizimit’ në mirëbesim të rezultatit për një vënd të NATO, Europa ofroi për shtensionim darkë në ‘Krokodil’ duke nënkuptuar pritshmëri që rezultuan false. Ndërhyrje, që e futi proçesin në një zigzag me finale ‘braktisjen’, duke interferuar me shpresën e dinjitetin e një shoqërie të etur për demokraci reale e vënë në pozitë jo komode lidershipin e opozitës që kur flet në emër të Europës i referohet ndjeshmërisë demokratike të saj.

Tërheqja e butë perëndimore ndaj fatit të votës është lajm dekurajues që shton rradhët e konformistëve e pakëson ato të idealistëve duke përligjur demagogjinë e tejskashme të politikës së korruptuar që mund t’i ishte kursyer një shoqërie që trumbetohet se doli nga gjysëmshekulli iluzion. Nëse motivuar nga interesa gjeopolitike e makrostabilitetit rajonal, ka gjasa të mbetet iluzion. Varfëria, korrupsioni, abuzimi e autokracia të denoncuara nga vetë perëndimi nuk janë kolona të një stabiliteti afatgjatë. Nëse rrjedhojë e mosnjohjes kapilare e në dinamikë apo të ‘filtruara’ nga burime pranë pushtetit, urgjente për opozitën mbetet lobimi tek partnerët tanë e sëpari SHBA për të sqaruar se ky vënd mund e duhet të qeveriset më mirë.

Kauza që bashkon

Ndaj një mazhorance që ‘kalon ylberin’ e surprizon parreshtur me bëma ‘hit’ të dyshimta, reagimi më i pritshëm e imediat opozitar, do të ishte bashkimi i të gjitha formacioneve politike të mbarë spektrit politik që kanë të përbashkët respektin ndaj votës në një ‘aleancë për demokraci’ me një ‘qeveri hije’ të gatshme për evenimentin e zgjedhjeve të parakohëshme. Një inisiativë që në emër të ligjit e drejtësisë, dinjitetit individual e solidaritetit social të rizgjojë shpresën tek vota e lobojë partnerët perëndimorë si kauzë e ekip që meriton mbështetje. Një aleancë që përtej triumfit të votës së lirë ofron qeverisje gjithëpërfshirëse e balancë të politikave të majta e të djathta me paketë elektorale ‘panideologjike’ e ku pretedenti për kryeministër e ekipi tij janë konvergues e harmonizues të interesave të mbarë elektoratit pavarësisht preferencës ideologjike. E majta dhe e djathta nuk përjashtojnë por plotësojnë njëra-tjetrën e çdokush prej nesh në kontekste të caktuara është refleksion i këtij binomi.

Rruga pa kthim!

Sot faktet e manipulimit zgjedhor ose u zhbënë ose u burgosën. Nëse sekrete në arkivë, nuk surprizon më ri-qorrollepsja me ‘lojën’ e pamundësisë së aksesit, ‘bishtave’ të proçedurave pafund rreth vlefshmërisë së statusit të kërkuesit, pëlqimit të bartësit të të  dhënave, deri pamundësinë e deklarimit të konkluzioneve nën argumentimin sekret(!) duke humbur kohë me të cilën mazhoranca e shtyn deri në 2013. Duke shkuar kaq larg, mazhoranca nuk lë opsion tjetër veç zgjedhjeve të parakohëshme. Sfida për të mbetet të ‘rinusërojë’  e t’i menazhojë vetë sepse dhe sikur vota të mos preket, pushteti i jep avantazhe apriori për manovra të ‘padukshme’ e  quasi ‘legale’ – karrota e shkopi, ndikimi mbi administratën, burgjet, abuzimi me shirita elektoral, shpërndarjen e buxhetit e hapësirën në media. Nëse të parakohëshme për meritë apo jo të vetë opozitës, jetike mbetet që zgjedhjet të kushtëzohen e realizohen në garanci të votës – qeveri teknike, riformatim të KQZ, eficensë monitorimi, lista të sakta e karta identiteti online. Kauza është me të e trysnia e pritshme politike është e justifikuar.

Trofeu politik i Edi Ramës

Në kontekstin aktual të humbjes së besimit, zgjedhjet lokale me këtë statuquo mund të provokojnë një tjetër precedent mostransparence e tensioni duke ofruar një tjetër ‘gështenjë të nxehtë’ në duart e perëndimit e bonus kohor shtesë për mazhorancën në intimidimin e mëtejshëm të institucioneve. Mbetet veç konsensusi për një ‘qeveri të mirëbesimit’ që të administrojë njëkohësisht apo në distancë disa mujore zgjedhjet në të dyja nivelet. Kjo nuk është më dilemë për opozitën, nuk duhet të përbëjë dilemë për faktorin ndërkombëtar dhe mazhoranca nuk ka më moralin për ta refuzuar.

Privilegjin e efektet pozitive të politikës moderne e gjithpërfshirëse që Tirana gëzon prej vitesh është koha t’i përjetojë mbarë vëndi. Sot ‘pesha’ politike e lidershipit opozitar ka evoluar në format të tillë që vizioni e kapacitetet drejtuese të këtij ekipi vetëm në një treg kombëtar beteje elektorale e menaxhimi politik mund të performojnë ‘full steam’ apo me kapacitet të plotë. Rezerva se projekti Tiranë mund të bllokohet, nuk është probabël sepse opinioni është i formësuar e puna disavjeçare ka pozicionuar dukshëm pozitivisht PS e opozitën si benefit apriori për një kandidat të ri. Ndërkohë që pa ‘timonin’ qeveritar, projektet e Tiranës, mbeten gjithnjë të ekspozuara. Lidershipi opozitar e Edi Rama duhet të rrezikojë gjithshka për gjithshka. Kjo është dëshira e pritshmëria e shumkujt. Ky është detyrimi që vjen me votëbesimin. Një shoqëri në ‘hemoragji’ vlerash demokratike, ka nevojë për shpresë. E ajo mban veç një emër. Përtej Tiranës, trashëgimia politike për Edi Ramën e lidershipin e sotëm opozitar mbetet sfida e Shqipërisë në normalitet demokratik.

Lini një Përgjigje