“Shqiptarët nuk do pranojnë që vendi i tyre të kthehet në kosh plehrash”

12 Janar 2011, 17:44Blog TEMA

GRUPIMI I REAGIMIT QYTETAR

Publiku po informohet nga media mbi planet e bëra nga institucione të huaja prej kohësh, kryesisht italiane për ta kthyer Shqipërinë në një vend-groposje mbeturinash. Publiku, e themi pa kurrfarë hezitimi, është i zemëruar për këtë. Janë edhe mediat e huaja, sidomos ato italiane ato që gjithashtu po informojnë publikun shqiptar për mynxyrën që i pret. Ministria e Mjedisit në vend që të alarmohet për çka po përgatitet, jep paturpësisht deklarata me “trillime” dhe madje del në mbrojtje të këtyre planeve diabolike ndaj Shqipërisë, të bëra në bashkëpunim edhe me shqiptarët, me ata shqiptarë që fatkeqësisht kanë pasur e kanë fuqi vendimmarrëse. Ministria e Mjedisit me paturpësi kërkon që planet të vërtetohen me kontrata, edhe pse kontratat nuk kanë munguar si në vitin 2004, por kontratat bëhen tinëz, madje kontrata mund të bëhet edhe si mbetje metalike dhe vijnë predha, si në rastin e para ca ditëve me trenin nga Serbia.  Ministria e Mjedisit nuk lë rast pa përmendur se e ka hartuar një strategji për menaxhimin e mbetjeve dhe që e ka konsultuar atë me të gjithë grupet e interesit, edhe me shoqërinë civile. Por le të bëjë një shtojcë Ministria e Mjedisit në deklaratën e saj e t’i thotë publikut nëse ka përmendur ndonjëherë në kuadër të kësaj strategjie importin e mbetjeve. Kjo nuk ka ndodhur, por ndërkohë në fshehtësi të plotë doli VKM e zezë e importit të mbetjeve. Dhe kjo VKM ka dalë duke anashkaluar plotësisht jo vetëm shoqërinë civile, por edhe strukturat e Bashkimit Europian.

Grupimi i Reagimit Qytetar prej 20 ditësh i ka kërkuar Ministrisë të bëj publike e të rikthej për diskutim me publikun strategjinë për menaxhimin e mbetjeve, që thotë se e ka gati për ta kaluar në Qeveri, dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Ministria e Mjedisit, Qeveria dhe Kuvendi duhet ta kenë mësuar tashmë se shqiptarët nuk do pranojnë në asnjë mënyrë që vendi i tyre të kthehet në vend depozitim plehrash të fqinjëve dhe më gjerë.

Lini një Përgjigje