Një paralele midis SHBA-ve e Shqipërisë

11 Janar 2011, 21:29Blog TEMA

Nga Mustafa Nano, respublica.al

Paul Krugman është një nga columnist-ët që unë lexoj më së shpeshti e më me qejf. Ai është ekonomist (ka marrë Nobelin si i tillë), por nuk përton ta thotë të vetën lidhur me shumëçka ndodh në jetën politikën amerikane. Shkruan për të përditshmen New York Times. Pse po e përmend? Sepse dje kish bërë një shkrim mbi ngjarjen dramatike të Arizonës, dhe aty mbronte idenë se shkak për këtë plojë ka qënë – jo e vetme, sigurisht – gjuha e helmatisur në komunikimin politik e publik. Ky është mendimi i tij. Mirëpo, nuk është vetëm ai që është marrë me këtë temë.

Këto ditë është hapur një debat i madh në SHBA mbi rolin që luan gjuha e urrejtjes dhe klima e konfrontimit midis palëve në sferën publike e politike. Me fjalë të tjera, po përpiqen t’i japin një përgjigje pyetjes: deri në ç’masë ngjarje si kjo e Arizonës, ku gjetën vdekjen gjashtë vetë dhe u plagos rëndë anëtarja e kongresit Gabrielle Giffords, provokohen e motivohen prej retorikës së ashpër dhe toksike në mass-media e në politikë? Kjo pyetje shtrohet jo më kot. Ka ca kohë që në SHBA vihet re një polarizim i skajshëm i jetës politike; ka kohë që qëndrimet partizane, jo vetëm kanë një farë distance të pazakontë mes tyre, por edhe shprehen me një gjuhë gati-gati deligjitimuese (“eliminationist rhetoric”, e quan Krugman). Dikush mund të çuditet prej këtij fakti, duke thënë se “si është e mundur? Edhe në demokraci të vjetra e të konsoliduara ndodhin gjëra të tilla?” Sipas meje, nuk ka ndonjë gjë për t’u çuditur. Nuk është fare e thënë që demokracitë e vjetra e të pjekura të shquhen se s’bën e gjithë kohën për një dialektikë politike të zhvilluar e praktikuar me mjete qibare. Ah po, demokracitë, sidomos të vjetrat, kanë të garantuar ballafaqimin politik, lirinë e shprehjes, lirinë e organizimit politik, lirinë e shtypit, por nuk ka asgjë të parathënë e të garantuar kur vjen puna tek përthyerjet praktike të këtij ballafaqimi. Përvoja, tradita, historia, emancipimi socio-politik, e gjëra të kësaj natyre kanë të bëjnë shumë (demokracitë e pjekura dallohen për këto), por nuk janë gjithçka. Në rrethana të caktuara dalin në shesh ca ndjeshmëri të forta, në shprehjen e përfaqësimin e të cilave nuk njihet më vetpërmbajtja, skrupulli dhe edukata (“civility” e quan Krugman-i sjelljen e mirë publike). Po ç’janë këto “rrethana të caktuara” në rastin amerikan? Po ja, së pari amerikanët ende nuk e kanë marrë veten prej goditjes së 11 shtatorit; jetojnë mes një paniku të përhershëm (nëpër aeroporte kanë zënë t’i kotrollojnë deri dhe në zonat gjenitale). Së dyti, janë luftrat e Afganistanit e të Irakut, që po rezultojnë më të gjata e më të kushtueshme (dhe në jetë njerëzish), se sa ishin menduar. Së treti, është kriza ekonomike që s’po di të ikë; papunësia po mbetet në nivelin e 10%-it të popullsisë, ekonomia nuk arrin të ngrihet, deficiti e borxhi publik janë në kufij të frikshëm. Së katërti, nuk e kanë më autoritetin e padiskutueshëm të superfuqisë; nuk ka ditë që nëpër gazeta të mos flitet me një si admirim të përzjerë me pasiguri lidhur me Kinën e suksesshme, e cila në harkun e dy-tri dekadave parashikohet (prej vetë amerikanëve) të barabitet me ta. Së fundmi, zgjedhja e Obama-s në postin e presidentit ishte vërtet një ngjarje pothuaj e pabesueshme, por kjo, si të gjitha ngjarjet e pabesueshme, ka lënë pas nervozizëm, i cili demonstrohet në mënyrë të papërpunuar sa herë që e etiketojnë atë si “kripto-mysliman dhe marxist”; ndërkohë, ca e ca nuk është çudi ta kenë veç me faktin që është me ngjyrë. Këto, e të tjera, përbëjnë “rrethanat e caktuara”, për të cilat fola. E me këto “rrethana të caktuara” shpjegohen në një masë të madhe diatribat e lëshuara mbi kundërshtarët; në të shumtën e rasteve, këto diatriba kanë për burim republikanët (ca më tepër eksponentët e grupit luftarak Tea Party) e për destinacion demokratët. “Kush është bartës i kësaj retorike toksike?”, pyet Paul Krugman, dhe aty për aty përgjigjet: “Le të mos shtiremi sikur nuk e dimë këtë gjë e le të mos pretendojmë kotmëkot për një gjykim të balancuar! Kjo retorikë del nga goja e të djathtëve. S’mund të përfytyrohet një kongresmen demokrat të sillet si republikani Michele Bachmann, që nxit qartazi zgjedhësit e vet për të qënë të dhunshëm; aq më pak mund të përfytyrohet që një kongresmen i tillë të promovohet e gradohet në radhët e demokratëve. Ndërsa Bachmann-i është një star i partisë republikane”.

Kthehemi tek pyetja e fillimit: Autori i masakrës, Jared L. Loughner, ka qënë i motivuar prej klimës së urrejtjes? Eshtë e lehtë të bësh spekullime në këtë mes. Eshtë dhe e padrejtë, sigurisht. E megjithatë, një pjesë e madhe amerikanësh janë të mendimit, se po, retorika e egër (tok me faktorë të tjerë, si ligji kushtetues që legalizon mbajtjen e armëve) luan rol në provovikimin e ngjarjeve të tilla. Është marrë vesh, që Loughner-i nuk është krejt i shëndetshëm mendërisht, e prapëseprapë, nuk është e rastësishme, sipas atyre që mbrojnë këtë tezë, që ky njeri me probleme mendore aktivizohet në mënyrë vrastare në këto momente. E në këtë mes janë sjellë shembuj nga e shkuara, që vërtetojnë në mënyrë statistikore (jo shkencore), se mendjet e prishura veprojnë në një klimë të prishur.

Vijmë në Shqipëri, ku dhuna verbale, jo vetëm është ku e ku më e pranishme e më virulente se sa në SHBA, por edhe shoqërohet me praktika të abuzimit skandaloz me pushtetin. Edhe këtej nga anët tona, për një rastësi jo domethënëse, janë të djathtët (medemek të djathtët) që shquhen për retorikën e tyre të dhunshme. Më saktë, është Sali Berisha, i cili mund ta pretendojë pa frikë kupën e atij që e ka kultivuar dhe e mban gjallë këtë retorikë. Është shquar për gjuhën e dhunshme në opozitë, është shquar dhe në pushtet. E me sjelljen e vet ka arritur ta krijojë i vetëm (me anë të një një pranie ‘të shumëfishuar” në ekranet e televizioneve) një klimë të urrejtjes, e cila na ka tërhequr zvarrë dhe ne të tjerëve. Më saktë, ca prej nesh. Edhe mua tek-tuk. Po mburrem me këtë? Jo, as që më shkon mendja ta bëj këtë. Nëse ka gjëra që do doja t’i spastroja nga shkrimet e mija, ato janë kritikat me një gjuhë ca si tepër të ngjyrosur ndaj kryeministrit të sotëm. T’ju them të drejtën, këto shkrime nuk më bëjnë të ndihem keq sot (e si mund të ndihem keq sot, kur ai që premton funerale madhështore për leader-in e opozitës, është ende kryeministër?). Është e sigurtë, se do më bëjnë të ndihem keq nesër.

Por efekti që bëjnë shkrime të tilla nuk besoj se është për t’u përshëndetur. Nuk e theksoj këtë për t’i dhënë fshikuj vetes (nuk ka pse); e theksoj për të dalë tek një kulturë e dhunës që vjen vërdallë nëpër Shqipëri, e që – më duhet ta përsëris pa u lodhur këtë gjë – ka për baba Sali Berishën dhe të tijtë. Efekti hë për hë vihet re në seancat parlamentare, ku shkëmbehen grushta mes deputetëve, por nuk duhet të befasohemi, nëse nesër ndodhin gjëra më të rënda jashtë parlamentit (siç kanë ndodhur në të shkuarën e afërt). E në ndodhshin, unë do kem të drejtë të them: “U çuditët që ndodhi kështu? Unë nuk u çudita fare. Unë e prisja. Madje, vonoi një çikë. Duhet të kish ndodhur më parë”. Në fakt, çfarë është futur në thonjëza, përpara se të jetë çfarë unë do t’ju them nesër (nuk uroj të vijë kjo e nesërme), është hyrja e të njëjtit shkrim të Paul Krugman-it me titull “Climate of hate” në numrin e djeshëm të gazetës New York Times.

1 komente në “Një paralele midis SHBA-ve e Shqipërisë”

  1. saimir says:

    Jetojme ne kohe moderne ku publicisti(le ta quajme keshtu)z.Nano sa utopik aq edhe i holle me shkrimet e perkthyera ,ku kerkon te japi nje mesazh e ne fakt ai merr,jane bere aq te modes sa qe Salhite,Metet,Nanot e ndonje tjeter i kuptojne mendimet e tij.Kemi nevoje per gazetari te mirfillte ku pena e tyre te gervishe mendjet e njerezve kur lexojne e jo ti zere gjumi,ose tu thone niperve ma lexo pak se nuk kuptoj ç’ka dashur te thote ky mendimtar i “thjeshte”.I nderuar z.Muçi ne fak ne kohet moderne qe jetojme kemi nevoje edhe per shkrime si keto por ne gjendjen qe eshte shqiperia sot ky shkrim as te zgjon e as te provokon .Po te te afroj disa tituj qe mbase te sherbejne neser per ndonje shkrim te tille “:1.Erdh pranvera çeli bari aty s’kishte asnje lop;2.Shuli sherben per ç’fare!;Ma ka enda s’ta ka enda kush nga ne e ka brenda?Zgjohu Muç Nano ,zgjohu!Zgjohu o Muç ziu se Iliri na perpiu!Na i kujto po pate mundesi edhe nje here me ato shkrimet e tua kokat si Ilir Meta,ose ndonje peralle per LSI se vetem ti e kuptoje kete parti!Dikur po te germosh arkivat do te gjeshe nje koment te nje personi ku citon te kete thene “Ne Skrapar ç’do gje qe mbin del rrush”!

Comments are closed.

Lini një Përgjigje