Prerja e degëve

11 Janar 2011, 21:27Blog TEMA

Nga Enver Robelli

Pas heshtjes disajavore duket se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë dhënë ndihmën vendimtare për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, e kanë humbur durimin me klasën politike udhëheqëse në Prishtinë. Qeveria në Washington po shpreh gjithnjë e më zëshëm shqetësimin me pseudostrategjinë idhnake, aspak diplomatike dhe gjithsesi të dëmshme të krerëve të Kosovës lidhur me raportin e shumëpërfolur të deputetit zviceran Dick Marty. Fyerjet personale ndaj Marty-it dhe paaftësia e qeveritarëve që kundër akuzave të rënda të paraqesin argumente bindëse dhe të përshtatshme ka nxitur këto ditë reagimin e zëvendësit të ndihmëssekretarit të shtetit për Evropë, Tom Countryman. Në një bisedë me „Zërin e Amerikës“ diplomati i lartë amerikan ka deklaruar se është e dëmshme për Kosovën të kalohet „në sulme personale ndaj zotit Marty apo ndonjë burimi tjetër. (…) Këto sulme personale që mund të interpretohen si kërcënim, thjesht përforcojnë besimin që njerëzit jashtë Kosovës mund të kenë, ndonëse pa arsye, por një qëndrim i tillë përforcon idenë se kundër njerëzve që bëjnë akuza të tilla do të përdoret dhuna. Dhe kjo nuk e ndihmon imazhin e Kosovës”.

Ndonëse Countryman nuk përmend emra të përveçëm, është e qartë se akuzat e tij drejtohen, në radhë të parë, kundër kryeministrit dhe zëvendësit të tij, të cilët janë përpjekur që me deklarata të pamatura ta diskualifikojnë personalisht politikanin zviceran, i cili ishte mandatuar nga Këshilli i Evropës për të hulumtuar krimet e supozuara të disa pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë konfliktit të armatosur të viteve 1998/99. Countryman kërkon që Qeveria e Kosovës të bashkëpunojë plotësisht me çdo hetim të mundshëm të akuzave të ngritura nga Dick Marty. Me një gjuhë të sofistikuar diplomatike zyrtari amerikan apelon që Kosova të ketë një qeveri të efektshme dhe të mbajë premtimin për ndërtimin e një shteti ligjor dhe të një qeverie të pastër dhe transparente. Nëse deklaratat e Countryman përkthehen në gjuhë të qartë, atëherë porosia rezulton të jetë goditëse: Deri më tani pushteti në Kosovë s’ka dhënë prova se synon të ndërtojë një shtet me gjyqësi të pavarur dhe me ligje që zbatohen pa marrë parasysh konsekuencat për politikanë të dyshuar për korrupsion apo krim të organizuar. Askush nga politikanët në Prishtinë nuk mund të jetë i befasuar me këto kritika. Para një viti, më 15 janar 2010, ambasadori amerikan Christopher Dell para liderëve kosovarë kishte mbajtur një fjalim dramatik mbi të metat e shtetit të Kosovës, të cilin e kishte përshkruar si të rrezikuar të dështojë për shkak të keqqeverisjes. Ambasadori, mes tjerash, kishte thënë: „Figurat e krimit të organizuar dhe politikanët e korruptuar nuk duhet të lejohen të mbajnë përfitimet e tyre të jashtëligjshme. (…) Korrupsioni, dhuna dhe keqpërdorimet kalojnë pa u ndëshkuar. Të dobëtit janë pa një mjet efektiv veprimi, gjersa të fuqishmit manipulojnë ligjet dhe njerëzit për të mbajtur pushtetin dhe akumuluar pasurinë“.

A është dëgjuar ky alarm? Siç po shihet: Jo! Mbetet të shihet nëse edhe sivjet, më 15 janar, në ditën ndërkombëtare të drejtësisë, ambasadori Dell do t’i përsëris fjalët e njëjta.

Afera e panevojshme

Shqetësuese për të ardhmen e Kosovës është sidomos zbehja e marrëdhënieve me dy vendet më të rëndësishme evropiane për popullin e Kosovës, me Zvicrën dhe me Gjermaninë. Kjo ka ndodhur që nga ardhja në pushtet e kryeministrit Hashim Thaçi, i cili përkundër faktit që është i rrethuar me shumë këshilltarë, duket se po rrëshqet nga gropa në hendek dhe po pret degët më të rëndësishme, në të cilat qëndronte ulur Kosova. Raportet me Gjermaninë janë dëmtuar në vjeshtë të vitit 2008, kur u arrestuan tre agjentë të Shërbimit sekret gjerman (BND) në Prishtinë pas një sulmi ndaj selisë së Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO). Në vend se kjo aferë të rregullohej larg syve të opinionit, autoritetet e Prishtinës atëbotë lejuan që agjentët gjermanë të ekspozoheshin në media, nëpër gazeta të afërta me qeverinë u botuan detaje se si merreshin në pyetje shtetasit e Gjermanisë, madje u publikuan edhe fotografitë e tyre dhe u emituan pamje në televizionin e ashtuquajtur publik me rastin e sjelljes së tyre në gjykatë. Në Berlin dhe në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë ky kapitull s’është harruar. Këtë e tregoi edhe vizita e ministrit të punëve të brendshme Bajram Rexhepi në Berlin, në fund të marsit të vitit të kaluar. Atje Rexhepi u takua me homologun e tij gjerman Thomas de Maizière. Pas takimit de Maizière publikisht dhe në prani të kolegut të tij kosovar tha: “Kosova është pikë e itinerarit të kontrabandës së drogës nga Afganistani dhe vende të tjera të lindjes në drejtim të perëndimit. Aty ka krim të organizuar dhe forma të tjera të krimit”.

Gjermania ka investuar shumë për çlirimin e Kosovës. Në mediat gjermane në vitet 90-të gjerësisht është përshkruar dhe kritikuar represioni serb në Kosovë. Shumë politikanë kanë mbështetur synimet e Kosovës për mëvetësi. Në fillim të viteve 90-të në një demonstratë të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës në Bonn kishte marrë pjesë edhe Guido Westerwelle, atëbotë sekretar i përgjithshëm i Partisë Liberale (FDP) dhe sot ministër i jashtëm i Gjermanisë. Me atë rast Westerwelle kishte deklaruar se shqiptarëve të Kosovës u takon e drejta e vetëvendosjes. Për gati një decenie Gjermania i ka bërë strehë jo vetëm Qeverisë në ekzil të Bujar Bukoshit, por edhe shumë eksponentëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Autoritetet gjermane kanë toleruar që nga territori i tyre sovran të organizohet rezistenca paqësore dhe e armatosur në Kosovë. Ky vend prej viteve 60-të është bërë strehë e sigurt për mijëra shqiptarë nga ish-Jugosllavia. Në Gjermani sot supozohet se jetojnë rreth 300 mijë shqiptarë, shumica nga Kosova. Duke qenë të punësuar në njërin prej shteteve me ekonominë më të zhvilluar në botë mijëra shqiptarë jo vetëm që kanë siguruar mirëqenie personale për vete dhe për familjet e tyre, por kanë ndihmuar me miliarda marka (më vonë euro) edhe vendlindjen e tyre, Kosovën. Vitin e kaluar, gjatë një vizite në Beograd, ministri i jashtëm Westerwelle publikisht deklaroi se me pavarësimin e Kosovës harta e Evropës juglindore është skicuar përfundimisht. Ky ishte qëndrimi më i fuqishëm i një vendi evropian në favor të ardhmërisë së shtetit të Kosovës. Pushtetarët në Prishtinë është dashur t’i kenë parasysh të gjitha këto fakte para se të prodhojnë aferën e panevojshme me tre agjentët e BND-së. Juristë kosovarë të involvuar në këtë rast thonë se nuk ka pasur asnjë dëshmi mbi përzierjen e tre shtetasve gjermanë në sulmin ndaj ICO-së. Do të duhen ndoshta disa vite derisa të riparohet dëmi nga kjo aferë dhe është e pasigurt nëse kryeministri Thaçi ndonjëherë do të pritet në Berlin nga kancelarja Angela Merkel.

“Kantoni i 27-të”

Sikur kjo përvojë e keqe të mos mjaftonte, tani, pas publikimit të raportit të Dick Marty-it, janë zbehur edhe marrëdhëniet e Kosovës me Zvicrën, si pasojë e deklaratave emocionale të liderëve të Prishtinës. Zvicra si shtet luan rol të pazëvendësueshëm në biografinë e pothuaj çdo kosovari. Mbase nuk ka familje në Kosovë që nuk ka një lidhje të afërt apo të largët me këtë vend. Mbi 200 mijë shqiptarë ose 10 për qind e popullsisë së Kosovës jeton në Zvicër. Në mediat zvicerane Kosova shpesh quhet „kantoni ynë i 27-të“. Njëjtë sikur Gjermania edhe Zvicra që nga vitet 60-të është bërë strehë për mijëra shqiptarë, qofshin ata punëtorë, të përndjekur politikë apo aktivistë për çlirimin e Kosovës. Me kontributet e tyre financiare këta shqiptarë kanë ndihmuar jo vetëm në mbijetesën e popullit të Kosovës në vitet e rënda të dhunës së autoriteteve të Beogradit, por edhe në rindërtimin e Kosovës pas luftës së viteve 1998/99. Kosova u çlirua edhe me armë zvicerane. Në një fotografi që botohet shpesh në media shihen komandantët e UÇK-së Fatmir Limaj, Hashim Thaçi dhe Sylejman Selimi. Në prapavijë qëndron një ushtar i UÇK-së, i cili me krenari mban në duar një pushkë automatike të Ushtrisë së Zvicrës. Ndihma e Zvicrës për refugjatët e Kosovës ka qenë zemërgjerë. Çdo familje është mbështetur materialisht në mënyrë që të integrohet sa më mirë në atdhe. Madje pas luftës Qeveria zvicerane solli në Kosovë – me avion! – edhe qindra lopë për bujqit kosovarë. Që nga viti 1995 shteti zviceran ka dhënë rreth dy miliardë franga për Kosovën. Tri vite para pavarësisë, në fund të majit 2005, Zvicra ishte shteti i parë që në selinë e OKB-së e përmendi pavarësinë e Kosovës si opsion të vetëm për zgjidhjen e konfliktit. Në fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ambasadori Peter Maurer kishte thënë se kthimi i Kosovës nën sovranitetin serb nuk është as i dëshirueshëm, as realist. Në vitin 2011 Kosova hyn si shtet i vetëdiskredituar. Me zgjedhje të vjedhura dhe me raporte të tensionuara me jo pak aleatë perëndimorë. Këtë situatë të rëndë s’e ka dëshiruar populli i Kosovës, por e shkaktuan politikanët e papërgjegjshëm.

Lini një Përgjigje