Berisha-Ruli, dy “duart e pastra” që firmosën shitjen mafioze të “ARMO”

12 Janar 2011, 18:23Blog TEMA

Nga Kledian Lula

Në tavolinën e Prokurores së Përgjithshme të Shqipërisë, zonjës Ina Rama, gjendet e plotë dosja për megaskandalin e organizuar dhe realizuar prej kupolës së korrupsionit Berisha-Ruli, në lidhje me shitjen anti-ligjore, tipik hajdutçe të kompanisë strategjike “ARMO”. Të dy këta shtetas, me detyrë kryeministër i Shqipërisë dhe Ministër i Ekonomisë i Qeverisë Shqiptare, në shfrytëzim të hapur e të plotë të funksioneve të tyre zyrtare, me pasojë të rëndë e të dukshme në krijimin e përfitimeve kolosale, kanë bashkëpunuar kundër ligjit dhe vendimeve të qeverisë. Për pasojë, ata kanë shpallur fitues për blerjen e kompanisë strategjike “ARMO”, një firmë që nuk plotësonte asnjë kusht, përfaqësuar nga një individ që Berisha-Ruli e paraqitën si “investitor të fuqishëm ndërkombëtar”, ndërkohë që vetë kryeministri, 1 muaj përpara e kishte cilësuar publikisht si “një farë Taçi-Toçi, një kontrabandist dhe trafikant shumë i rrezikshëm në Europë”. Fill pas kësaj deklarate, kryeministri “anti-korrupsion e anti-trafiqe”, dha udhëzimet “përkatëse” që “Taçi-Toçi” të kualifikohej si “i vetmi blerës potencial” i kompanisë ARMO” dhe firmosi vendimin që përgatiti në mënyrë mafioze, vartësi i tij në kabinet dhe në “kubenë” e korrupsionit në qeveri. Sipas dosjes të shit-blerjes së “ARMO”, kompania konkurrente e “Taçi-Toçit” nuk plotësonte asnjë kushte jo për t’u shpallur fitues si blerës i “ARMO”-s, por as për t’u pranuar si pjesëmarrës në tender.

Vendimi zyrtar që përjashtoi “Taçi-Toçin” nga tenderi për blerjen e ARMO

Komisioni i vlerësimit të ofertave e dokumentacionit kualifikues në Ministrinë e Ekonomisë, përjashtoi nga konkurrimi që në fazën të paraqitjes së dokumenteve prezantuese, firmën e “Taçi-Toçit”. Më poshtë, po publikojmë vendimin e plotë të përjashtimit përfundimtar nga tenderi për blerjen e “ARMO”, të firmës “Anika Enterprises S.A Refinery Associates of Texas & Mercuria Energy Group LTD”, të përfaqësuar në tender nga miku i sotëm i familjes Berisha dhe i aferave të ministrit “etalon korrupsioni”, zotit Genc Ruli. Vendimi zyrtar i Ministrisë së Ekonomisë, për përjashtimin përfundimtar nga tenderi të “Taçi-Toçit”, përcakton në formë të prerë, kështu:

“Në zbatim të VKM-së me Nr. 82, datë 03.02.2008, kapitulli II, pika 2.1 b, kandidati duhet të jetë një shoqëri e specializuar në fushën e përpunimit dhe tregtimit të naftës, gazit e nënprodukteve të tyre e cila, ta ketë ushtruar këtë veprimtari për jo më pak se tre vjet”. Përveç shkeljes së kushteve të vendimit të qeverisë për futje dhe pranim në tender e mospërjashtimit për këtë shkak, komisioni i kërkon kompanisë “Anika Enterprises S.A Refinery Associates of Texas & Mercuria Energy Group LTD”, të heq dorë nga kërkesa e për privatizim të “ARMO”, duke përcaktuar: “Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, në përputhje me VKM-në Nr. 82, datë 03.02.2008, ka mandat të vlerësojë ofertën vetëm në rast, se ajo përputhet me kriteret e VKM-së sa më sipër. Kushtet e paraqitura nga ju, dalin jashtë këtyre kritereve. Sipas paragrafit të fundit të pikës 2.1 të VKM, sanksionohet qartë, se një kompani skualifikohet, kur shkel një nga pikat e këtij vendimi. Mosplotësimi i këtyre kritereve, të parashikuara në pikat (a), (b), (c) dhe (d) të pikës 2 sa më sipër, përbën kusht për skualifikim”.

Berisha-Ruli shkarkuan kreun e komisionit të ofertave, “Taçi-Toçi” rifutet në tender

Në zbatim të VKM-së me Nr. 82, datë 03.02.2008, kapitulli II, pika 2.1-b, Komisioni i Vlerësimit të ofetave (KVO), i drejtuar nga Zv/ministri Neritan Alibali, sipas ligjit skualifikoi dhe nxorri përfundimisht nga gara, firmën konkurruese për blerje “Anika Enterprises S.A Refinery Associates of Texas & Mercuria Energy Group LTD”, të përfaqësuar nga Rezart Taçi. Ky përjashtim futi në alarm kryeministrin Berisha dhe ministrin Genc Ruli, dy njerëzit e interesuar privatisht e zyrtarisht, që firma e “Taçi-Toçit” të shpallej fituese për blerjen e ARMO. Për të realizuar këtë aferë të pisët, të cilën e kundërshtoi komisioni i vlerësimit të ofertave, ministri Ruli, me një shkresë krejt personale, shkarkoi zoti Neritan Alibali nga detyra e kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Në vend të tij, po privatisht, natyrisht me dijeninë dhe “bekimin” e “doktorit- anti-korrupsion”, Genc Rli emëroi si kryetar komisioni, shërbëtorin e tij të aferave, zotin Engjëll Qorlaze, me detyrë drejtor i Privatizimit të Objekteve Strategjikë. Pas kësaj skeme mafioze, ministri Genc Ruli, garantoi vazhdimësinë e hartimit të një dosjeje të re, të favorshme në konkurrim për firmën e përjashtuar “Anika Enterprises S.A Refinery Associates of Texas & Mercuria Energy Group LTD”.

Kompania e përzgjedhur jo nga ligji, por nga “kubeja” e mafies ekonomike shqiptare, ardhur në pushtet me citatin “Me duar të pastra”, jo vetëm që u shpall e para, por përfitoi dhe mundësi zyrtare abuzimesh financiare, të siguruara e të garantuara prej “kontratës hajdute” që firmosi ministri Ruli në favor të kësaj firme. Sipas kontratës “Ruli-Taç Toçi”, për një periudhë 5 vjeçare, që do të thotë deri në vitin 2013, firma “Taçi Oil” nuk do të paguaj asnjë qindarkë akcizë,  për rrjedhojë gjithë prodhimi mbetet fitim i plotë për firmën. Jo më kot, presidentja e Fondacionit “Fëmijët Shqiptar”, e drejtuar nga bashkëshortja e kryeministrit, zonja Liri Berisha, vazhdon të mbush llogaritë fianciare të këtij foandacioni, nga llogaritë e kompanisë “Taçi-Toçit”.

Vendimi “Berisha-Ruli” që shpall fitues firmën e “Taçi-Toçit

Vetëm 2 ditë pas shkarkimit të kreut të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Zv/ministrit Neritan Alibali, dhe 2 ditë pas përjashtmit përfundimtar të firmës së “Taçi-Toçit” nga konkurrimi për blerjen e ARMO, Genc Ruli firmosi vendimin përfundimtar për shpalljen fitues të firmës së afërt të familjes kryeministrore. Vendimi “Berisha-Ruli”, i firmosur dhe i shpallur zyrtarisht nga ministri Genc Ruli, përcakton kështu: “Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, ngritur me urdhër të Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me Nr.126, date 21.02.2008 “Për krijimin dhe funksionimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për privatizimin e kompanisë “ARMO” shA, i ndryshuar, pasi shqyrtoi raportin e përgatitur nga konsulenti Patton Boggs mbi dokumentacionin e ofertave te paraqitura nga kompanitë pjesëmarrëse në tender dhe kreu vlerësimin tekniko-financiar me pikë, në mbështetje të kritereve të përcaktuara në VKM Nr. 82, datë 03.02.2008 i ndryshuar, Të kualifikojë në vend të parë, firmën: “Refinery Associates of Texas, Anika Enterprises & Mercuria Energy Group”

Lini një Përgjigje