Paraqitja televizive e bisedave të turpshme mes Metës e Priftit është ngjarja e javës së shkuar. Ekzistenca e kësaj videoje kishte kohë që përflitej, Prifti e kish përmendur kërcënueshëm ekzistencën e këtij materiali filmik që kur u “zu” me LSI-në, e megjithatë të gjithë (madje dhe Meta) mbetën të habitur nga publikimi. Kjo ishte tema kryesore e bisedave, u rrah ndër tavolina, indinjoi njerëz të ndershëm, bëri të buzëqeshin njerëz që “e kishin parashikuar”, e vuri në pozitë të vështirë njerëz që për një arsye apo për një tjetër kanë lidhur fatin e tyre me “kampin qeveritar”, çkado që të jetë domethënia e këtij kampi.
Që të jetë e qartë që në fillim, efekti i videos nuk është zbulimi apo denoncimi i korrupsionit. Korrupsioni dihej që ishte, madje korrupsionin shoqëria jonë tashmë e ka gëlltitur si diçka normale. Efekti kryesor i videos, ai për të cilin flitet më pak sepse kërkon pak më shumë impenjim, është pikërisht fakti se kjo video e shfaq korrupsionin në vërtetësinë e tij, jo si shkak të gjendjes së mjerueshme të politikës e të politikes, por pikërisht si simptomë të këtij mjerimi.
Pse kemi arritur në pikën kur secili qytetar e pranon korrupsionin si normal e si të pashmangshëm, jo si një anomali kontingjente që e godet sistemin aty ku ai është inkonsistent, po si një vlerë cilësore të tijën? Si ka ndodhur që të pranohet pasivisht e aktivisht korrupsioni, madje edhe të diskutohet mbi të si diçka që heshturazi duhet lënë të lulëzojë, pasi na qenkërka lubrifikant i zhvillimit, mjet legjitim për të arritur pushtetin etj.? Si u mbërrit të shndërrohej në ideologji dominante ky mentalitet pervers?
Fillimi i korrupsionit duhet kërkuar aty ku marrin fund idetë, aty ku braktisen principet. Që ta fillojmë rrëfimin nga e para fare, në Shqipëri tash e njëzet vjet është ndërtuar një pseudopluralizëm politik. Një skenë politikë ku alternativat shfaqen veç formalisht, e sa i përket thelbit, ky nuk diskutohet, sepse nuk lind. Partitë shqiptare e kanë deklaruar veten subjekte jo-ideologjike, për to ideologjia ka vdekur pikërisht sepse ato nuk kanë as ide, as ideale (vetë mohimi i ideologjisë dihet që është tepër ideologjik, po ky është diskutim tjetër). Partitë nuk janë subjekte politike që i shërbejnë realizimit të një projekti, por objekte të përdorshme për të mbërritur tek pushteti. Mungesa e ideologjisë dhe e premisave ideore në përgjithësi ka bërë që klasa politike shqiptare ta shohë edhe vetë pushtetin si qëllim, e jo si mjet.
Po ç’lidhje ka mungesa e parimeve ideore dhe e programeve politike me korrupsionin aktiv? Së pari, duhet thënë se mungesa e boshtit është momenti i lindjes së perversionit, shkaku primar që mundëson shitblerjen e politikanëve si të ishin kuaj stalle (apo më keq, futbollista), arsyeja pse partitë janë përmbytur prej injorantëve të të gjitha prejardhjeve dhe arrivistëve të pështirë. Vetë mungesa e boshtit ideor është një korrupsion i konceptit të subjektit politik. Por ky është një trajtim teorik, dhe fatkeqësisht shqiptarët nën parimin “jo fjalë por vepra” nuk e kanë qejf teorinë. Atëherë lë të bëjmë një trajtim pak më praktik. Si lidhet në jetën e përditshme zhvillimi metastatik i korrupsionit me mungesën e mendimit dhe të ideve në forcat politike?
Partitë politike brenda kornizave të demokracisë parlamentare kanë vetëm tre mënyra për të organizuar e për të mobilizuar elektoratin e tyre. Së pari, duke u thënë të vërtetën, së dyti duke gënjyer, e së treti duke vjedhur apo duke dhunuar procesin. Sqaroj për lexuesin se e vërteta ka të bëjë me konceptimin e domosdoshëm kritik e në të njëjtën kohë me propozimin e diçkaje që është krejtësisht e re. E vërteta politike nuk ka të bëjë me raportimin e situatës, por me ndryshimin thelbësor të sajin. Në këtë sens e vërteta, si mjet mobilizues nuk mund të ndodhë pa patur një premisë ideore. Gënjeshtra politike gjithashtu nuk ka të bëjë me shtrembërimin e raportimit, po me keqperceptimin e tij. Gënjeshtra politike është retorika e spektaklit, ajo që vesh me ngjyra të shndritshme aktualitetin pikërisht për ta shfaqur si të pandryshueshëm. Gënjeshtra është tendenca e politikës për të konservuar status-quo brenda shoqërisë njerëzore që dinamikën e progresin e ka si gjendje imanence historike. Ndërsa versioni i tretë, pra dhuna ndaj procesit dhe vjedhja, nuk ka nevojë që të shpjegohet gjatë pasi besoj se njihet mirë.
Në kushtet e braktisjes së ideve dhe të ideologjisë si mjet mobilizues për masat (e për elektoratin), partitë shqiptare kanë zgjedhur të përdorin gënjeshtrën politike, që thotë se ndryshimi gjendet brenda të sotmes, që ndryshimet ndodhin vetëm në modalitet e në teknikalitet, që rruga është vetëm një, që njerëzit janë gjithsesi këta që janë e kështu me radhë. Ky spektakël, kur nuk rezulton shumë i suksesshëm shoqërohet me një garniturë dhune e vjedhjesh, që variojnë që prej aktivizimit të klaneve e tribuve, e deri te presioni i parasë e i pushtetit. Problemi praktik me këtë metodë të mobilizimit qëndron te fakti se kushton shumë. Partitë politike shpenzojnë shuma marramendëse në spektaklin e vazhdueshëm që ofrojnë për publikun që i reziston vetvetiu gënjeshtrës, edhe në mënyrë të pandërgjegjshme. Po kështu shumë shpenzohet për ruajtjen e një strukture (të paorganizuar qëllimshëm, por tepër efiçiente) të ushtrimit të dhunës. Kjo nuk ndodh vetëm në fushata elektorale, kjo ndodh vazhdimisht, madje kjo është e vetmja gjë që bëjnë në të përditshmen e tyre partitë politike, ndërtojnë spektakël dhe brutalitet.
Energjitë e paratë e shpenzuara për të prodhuar këtë farë politike natyrisht që do gjejnë ushqim diku. Për të paguar ata që punuan në fushatë, ata që mbështesin strukturat, ata që bëjnë spektaklin, ata që shkruajnë pozitivisht nëpër media, ata që mbajnë më këmbë partinë, Meta nuk ka patur rrugë tjetër veç korrupsionit. Asnjë politikan prej klasës aktuale nuk e ka një rrugë tjetër, për sa kohë zgjedh të hyjë në këtë lojë me kosto të lartë. Me këtë nuk dua të them që Meta shfajësohet, përkundrazi, ai tashmë duhet të jetë nën hetim, jo sa për sy e faqe, por të ndëshkohet (ama vihet në pyetje se cili institucion do ta ndëshkojë duke ditur se vetë ligjet e institucionet janë produkt i klasës politike që polli dhe Metën). Dua të vë në dukje ama, që kjo lloj politikbërje do të krijojë vazhdimisht njerëz si Meta. Ky është destinacioni që i kemi dhënë politikës, për sa kohë e kemi zhveshur nga idetë, për sa kohë nuk thirremi në të vërtetën politike e për sa kohë mendojmë se mashtrimi e dhuna janë legjitime pasi pushteti na qenka synimi suprem i gjithçkaje. Nuk jam duke mbajtur atë qëndrimin e zakonshëm antipolitik të mejhaneve, sipas të cilit të gjithë janë “të këqij” e nuk mundet të ketë “të mirë”. Përkundrazi, mendoj se mund të ketë “të mirë”, por për këtë duhet të rilindë mes nesh ideja politike, frymëzimi që ngjall imagjinatën e së ardhmes, si i vetmi mjet i pakorruptuar i mobilizimit politik.
*saktivista.com
Comments are closed.
Burimi i ktyre te kqiave eshte vetem sekretari i byrose sh sale,i mesoje te gjitha poshtersite nga miku i tije dulla e hileqari ramiz krimineli.Vete sekretari e dine qe vetem ne zgjedhjet e para parlamentare fitoje, kure rane profesorte e tije nga pushtetei kriminal komuniste.Pjesen tjeter te pushtetit sekretari e ka marre me poshtersi,vjdhje e manipulme,si mjeshter i kualifikuar pislliqesh.Dale nga dale zbuloje njerzit me karakter te dobet si veten,jozin,fatosin,e dordolecin,ju beri dosjen edhe ktyre si ministrave te vete e i perdore,per betejat e poshtersinave,per te mbajtur pushtetin me dhune,e me votat e vjedhura.Por vjen 1 moment e zbrazen te gjitha krimet,e ktyre fame keqve te kombit,i ka mbytur krimi,korrupsioni e vjedhjet kolosale,tani plotsishte jane te zhveshur ,lakuriq para shqiptarve,tani per tani e ka fjalen drejtesia e gjymtuar nga kta mafioz.Edhe opozita me mbi 1 miljon shqiptare po pregaditet per protesta,te pa ndalshme deri ne largimin e ktyre hajdutve.
Sipas meje kjo gje ka ardhur pasi te dyja partite e ashtuquajtura “te medha” pra PS dhe PD e kane monopolizuar politiken shqiptare duke mos i lene zgjedhje tjeter shqiptareve pervecse PS o PD,kjo edhe per arsyen se neve ,pra populli kemi rene viktime e propagandave te ketyre partive.
Fjala pluralizem politik do te thote qe njerezit te kene perpara shume alternativa per te zgjedhur.
Shume njerez ankohen nga fakti se jane shume parti ne vendin tone (kjo ne fakt eshte propagande e dy partive per te mashtruar njerezit duke u thene se ne jemi te mjaftueshem dhe shume parti sjellim vetem kaos) por kjo sjell vetem nje konkurrim te lire per te zgjedhur dhe kjo eshte e rendesishme per nje vend si Shqiperia.
Nje fakt tjeter qe bie ne sy eshte se perpara zgjedhjeve te gjithe duhet te startojne ne menyre te barabarte gje qe nuk ndodh,dhe keshtu penalizohen partite e tjera qe mund te kene alternativa me te mira sidomos pas 20 vjetesh qeverisje nga vetem dy parti.