Në dosjen e shitjes së ARMO-, që tashmë është futur në kthetrat e treshes Berisha-Ruli-Taçi, gjendet dhe një vlerësim ndërkombëtar, si konsulencë e tërhequr posaçërisht e qëllimisht nga qeveria shqiptare në favor të kompanisë “Taçi-Toçi”, për të orientuar komisionin “Ruli” në procesin e privatizimit të kompanisë ARMO. Ky raport vëzhgimi iu paraqit qeverisë shqiptare dhe Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), të ngritur prej ministrit Ruli pas shkarkimit të ish-kryetarit Neritan Alibali. Në këtë raport-vlerësimi prezantohen të dhëna false për aktivitetin e kompanisë “Anika Enterprises S.A Refinery Associates of Texas”, të përfaqësuar nga Rezart Taçi.
Sipas VKM me Nr.82, datë 3.2.2008, kjo kompani nuk duhej të pranohej në tenderin e blerjes, sepse nuk plotësonte asnjë kusht. Për të shmangur VKM dhe për të përligjur shpalljen fitues të “Taçi-Toçit”, Berisha dhe Ruli depozituan në dosje të kësaj firme vlerësimin e rremë që e paraqiste kompaninë e “Taçi-Toçit”, si kompania më e fuqishme në botë. Ky raport fals u përgatit nga David Ensor, v/president për strategji e komunikimit e kompanisë së bashkuar në konsorcium me kompaninë e përfaqësuar nga Rezart Taçi “Refinery Associates of Texas, Anica Enterprises”. Këtë raport, Berisha dhe Ruli e futën në dosjen e mikut të tyre “Taçi-Toçi”, të cilin e kishin projektuar për ta shpallur fitues të blerjes së ARMO-s. Raporti mashtrues në favor të blerësit paraprak Rezart Taçi, i është prezantuar prej qeverisë shqiptare edhe agjencisë ndërkombëtare për konsulencë përfundimtare të ofertave për shit-blerjen e ARMO, me qendër në Londër “Dow Jones”.
Ruli-Berisha, pranojnë raportin fals në favor të Rezart Taçit
Londër (Dow Jones):
Kompania me bazë në Zvicër “Merkuria Energy Group”, LTD”, do hyjë në tregun e rafinimit të naftës me fitimin e ofertës së konsorciumit 85% të kompanisë shtetërore të naftës ARMO. Ne kemi qenë duke kërkuar për investimin e duhur që do të të na vendoste neve në biznesin e rafinimit. Qeveria shqiptare anonçoi konsorciumin që përfshin kompanitë “Mërcuria, Refinery Associates of Texas dhe Anika Enterprise” të regjistruar në Zvicër si fitues të mundshëm në tenderin ndërkombëtar për të blerë ARMO-n për 125 milionë euro, deklaruar sipas Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetike Shqiptare. Negociatat për kontratën pritet të zgjasin së paku 30 ditë. Kompania shtetërore shqiptare ARMO zotëron dy rafineri nafte, një qendër kërkimore, 11 depo dhe një rrjet stacionesh benzine që vlejnë 109 milionë euro në total, sipas ARMO. Ne jemi të interesuar për Shqipërinë si treg. Blerja do të shtojë “avantazhe tregtie”. Drejtori menaxhues i konsorciumit Rezart Taçi, zotëron “Taçi Oil International”, i cili operon dy terminale nafte dhe rreth 100 stacione benzine në Shqipëri. Ne tashmë kemi një partner lokal shumë të fuqishëm. Konsorciumi planifikon të shkurtoj vende pune në stafin e ARMO-s në këtë fazë. Në vend të kësaj, planifikon të rrisë rrogat e punonjësve me 30% dhe shpreson të zgjerojë biznesin në të ardhmen. Konsorciumi ka si qëllim të rafinojë të gjitha produktet shqiptare të papërpunuara të naftës, që arritën 447.007 ton nafte të papërpunuar në vitin 2005, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë. Kompania “Merkuria Energy Group LTD” pati një xhiro globale prej 33 bilionë dollarë në vitin 2007, duke shituar 51 milionë tonë nafte fizike të papërpunuar dhe 9 milionë ton produkte fizike të naftës, sipas rrjetit në internet të kompanisë. Gjithashtu shet pudër, gaz natyral, qymyr guri dhe certifikata për emërtimin e karbonit.
Personi dhe qendra ku u paraqit raporti fals: Lananh Nguyen, rrjeti i Dow Jones; +44 (0) 20-7842-9479;
Vendimi i firmosur nga Sali Berisha: “Taçi-Toçi” ta gëzosh ARMO-n
Gjithçka është e qartë në këtë akt zyrtar mafioz privatizimi, që ka cenuar rëndë jo vetëm ligjin, por dhe ekonominë shqiptare në sektorin e përpunimit e tregtimit të naftës. Kryeministri Sali Berisha ka qenë jo vetëm dirigjenti i shitjes së paligjshme e klienteliste të ARMO, por dhe garantues i kësaj afere të turpshme me pamje të plotë korruptive. Kompania ARMO, sipas skemës Berisha-Ruli duhej të përfundonte në duart e Rezart Taçit, si i përzgjedhur i tyre. Klani “Berisha” firmosi shit-blerjen e ARMO-s, pasi u garantua se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, drejtuar nga shërbëtori Qorlaze i Genc Rulit, nuk sillte asnjë pengesë për realizimin e privatizimit të ARMO sipas “projektit” që kishte hartuar në favor të Rezart Taçit.
Më poshtë po botojmë të plotë vendimin e paligjshëm, të firmosur, të vulosur e të shpallur nga kryeministri Sali Berisha, madje edhe duke ndryshuar VKM:
“Miratimin e raportit përfundimtar të vlerësimit të ofertave për privatizimin e “ARMO” Sh.a, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të përgatitur nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, në zbatim të vendimit Nr.82, datë 3.2.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar dhe klasifikimin e kandidatëve, si më poshtë vijon:
1. Shpalljen fitues, të ofertës së paraqitur nga kandidati “Refinery Associates of Texas, Anica Enterprises&Mercuria Energy Group”.
Kryeministri Berisha privilegjon “Taçi-oil” me buxhetin e shtetit
1. Firma “Anika Enterprises S.A Refinery Associates of Texas&Mërcuria Energy Group LTD”, ka të drejtë ta shlyej vlerën e blerjes së ARMO-s me 5 këste, në masën nga 25 milion euro brenda 5 vjetësh.
2. Firma do të paguaj detyrimin e blerjes, duke fituar nga shfrytëzimi i prodhim-përpunimit të ARMO-s në vlerën afro 5 milion euro në vit, mbasi ARMO, duke zhvatur nga fitimi vjetor i saj prej deri 30 milion euro që ishte në ditën e privatizimit.
3. Qeveria “Grupi Berisha-Ruli”, me vendim qeverie i dha kompanisë “Taçi-Toçi” mundësinë e kundërligjshme të shfytëzonte puset e “ARMO” duke nxjerr fitime për të shlyer vlerën e blerjes.
4. Qeveria ka përjashtuar për 5 vjet nga detyrimet e akcizave firmën “Anika Enterprises S.A Refinery Associates of Texas & Mercuria Energy Group LTD”, të komanduar nga “Taçi-Toçi”, prapa të cilës përveç miliardave të zhavtura vepron edhe tregu monopol i naftës prej kësaj kompanie.
5. Po me vendim qeverie, firmopsur prej “konsorciumit korruptiv Berisha-Ruli”, pagesat e punonjësve që dalin në reformë prej kompanisë sipas skemës 2 vjet pagë e plotë dhe 1 vit asistencë, për 5 vite do të paguhen nga buxheti i shtetit e jo nga kompania e “Taçi-Toçit”.
Berisha hedh si “letër higjienike” VKM e privatizimit të ARMO
Gjithë procesi i privatizimit të “ARMO” është kryer në shkelje të rënda të ligjit dhe të vetë VKM, të firmosur po nga kryeministri i Sali Berisha, për shkak se në VKM me numër 82, të datës 03.02.2008 “Për miratimin e instruksioneve për paraqitjen, hapjen dhe vlerësimin e ofertave për privatizimin e ARMO”, parashikohet qartë, se kush janë kushtet për kompanitë pjesëmarrëse në privatizimin e kësaj kompanie. Në pikën 1 të përkufizimeve, përcaktohen kriteret për t’u cilësuar “Investitor Strategjik”. E tillë duhet të quhet kompania e specializuar në fushën e përpunimit e të tregtimit të naftës, gazit e nënprodukteve të tyre, si dhe të ketë ushtruar këtë veprimtari për jo më pak se 3 vjet. Në pikën 2.1 të VKM, përcaktohet kushti që “Investitori strategjik duhet të zotërojë të paktën 30% të kapitalit dhe të votës në shoqërinë e përbashkët”. Kosorciumi i përbërë nga firma “Anika Enterprises S.A.Refinery Associates of Texas&Mërcuria Energy Group LTD” nuk plotësonte asnjë nga 2 kriteret bazë, të detyrueshme për të marrë pjesë në garën e blerjes së ARMO-s. Kompanitë që përbëjnë konsorciumin “Anika Enterprises S.A.Refinery Associates of Texas&Mërcuria Energy Group LTD”, as të veçuara dhe as në grup nuk kanë patur e nuk kanë garantuar asnjë linjë për rafinerim dhe përpunim nafte. Sipas të dhënave të veprimtarisë së kompanisë që tashmë e drejton “Taçi-Toçi”, konsorciumi “Anika Enterprises S.A.Refinery Associates of Texas&Mërcuria Energy Group LTD” nuk ka punuar asnjëherë në fushën e rafinimit e të përpunimit të naftës. Kjo vërtetohet nga shkresa përjashtuese e kësaj kompanie nga kualifikimi, me Nr/Prot. 4894/9, datë 28.05.2008, firmosur dhe shpallur nga Kryetari i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, zv/ministri i Ekonomisë, zoti Neritan Alibali, shkarkuar nga kjo detyrë prej kryemafiozit ekonomiko-financiar Genc Ruli, për shkak se përjashtoi kompaninë e “Taçi-Toçit” nga tenderi blerës i ARMO-s. Kompania “Taçi-Toçi” që ka blerë ARMO, sipas VKM-pika 2/1, nuk plotëson kriterin bazë të së drejtës për të blerë ARMO, pasi parashikohet që kompania strategjike duhet të zotëroj 30% të aksioneve të krejt konsorciumit. Firma e “Taçi-Toçit” e quajtur “Anika Enterprises S.A.Refinery Associates of Texas” ka pasur vetëm 20% aksione të konsorciumit, kurse “Mërcuria Energy Group” vetëm 10%. Edhe pse ky kusht nuk është plotësuar, “Taçi-Toçi” i Berishë-Rulit u bë pronarë i ARMO edhe pse vetë shkëlqesia e tij i “ndershmi” Sali Berisha, me “duart e pastra” ka zografizur VKM Nr. 82, në pikën 2.vi/, që thotë saktësisht e qartë: “Mosplotësimi i kritereve të parashikuara në pikat (a), (b), (c), dhe (d) të pikës 2, përbëjnë kusht për skualifikimin e kandidatit”. Pasi e ka quajtur “letër higjienike” VKM me firmën dhe vulën e tij, pasi ka hedhur në koshin e plehrave vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Sali Berisha e Genc Ruli bënë pronar të ARMO “kontrabandistin Taçi-Toçi”, aktualisht sponsor gjeneral të fondacionit të bashkëshortes së tij, Liri Berisha dhe të “ca gjërave të tjera”.