ASKUSH NUK MUND ta dëmtojë Kosovën më tepër se ç’po dëmtohet ajo këto ditë nga vetë kosovarët. Madje as Dick Marty, Jean-Charles Gardetto e Këshilli i Evropës bashkë, e as Boris Tadiqi, Vuk Jeremiqi e gjithë qeveria e Beogradit. Kjo pasi që pohimet e të lartpërmendurve për Kosovën edhe mund të shihen me dyshim për shkak se nevojitet të vërtetohen për të fituar në kredibilitet. Ndërsa, bëmat në Kosovë po i vërtetojmë edhe vetë dhe po na e vërtetojnë edhe të tjerët që po na vëzhgojnë. Vjedhja e votave në Kosovë është vërtetuar. U vërtetua edhe me procesin e rivotimeve. Është vërtetuar nga të gjitha institucionet vendëse e ndërkombëtare të përfshira në proces. Si dhe është vërtetuar nga media e deri te vetë përfaqësuesit e subjekteve politike garuese. E për këtë duhet të jesh pozitivist i marrë dhe të deklarosh se procesi zgjedhor në Kosovë ka shkuar mirë. Imazhi i Kosovës është dëmtuar rëndë dhe për të mos vazhduar spirales teposhtë, duhet marrë masa të rrepta, gjithëpërfshirëse, tash.
VETËM NË RASTET e tri komunave ku u shkua në rivotim u vërtetua edhe një herë fuqishëm: herën e parë është vjedhur shumë, herën e dytë është vjedhur – më pak. Por, e tmerrshme është se – është vjedhur. Sidomos në komunat e Skënderajt dhe Drenasit, ku u ul përqindja e votuesve për më shumë se 30 për qind, e diçka më pak në Deçan. Në bazë ta analizës edhe mund të konkludohet se herën e dytë dalin më pak votues se herën e parë, por sërish mbi 30 për qind është shumë, tepër shumë, dhe kjo i ka vënë vulë “manipulimit industrial të votës”.
Tash, si ka shkuar puna në komunat e tjera, ku ka pasur vërejtje të shumta, por nuk kanë qenë manipulimet aq të çmendura sa të klasifikohen si “industriale”?
Lehtësisht mund të konstatohet se manipulimet në komunat e tjera mund të sillen rreth 10-15 për qind. E frikshmja e kësaj situate është se kur të përkthehen këto vota të manipuluara në mandate deputetësh në Kuvendin e Kosovës i bie që 10 deri në 15 deputetë do të ulen në ulëse pa legjitimitetin e votës, ose shkurt – si rezultat i votave të vjedhura. Në këtë mënyrë, në përbërjen e parë të legjislativit të zgjedhur në shtetin më të ri në botë do të mund të thuhet se do të jenë rreth 15 hajna. Dhe nuk ka se si të quhen ndryshe personat që në mënyra të ndryshme të manipulimeve ia kanë dalë që t’ ua zënë vendet përfaqësuesve të vullnetit të popullit. Absolutisht, në kundërshtim me përpjekjen për gjuajtjen e fajit te dikush tjetër nuk mund t’u lihet përgjegjësia kryesore as komisionarëve, as vëzhguesve, e as Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në qoftë se individë nga këta organizma kanë bërë manipulime me votën, ata këtë e kanë bërë më urdhër, pagesë, korruptim, kërcënim ose shantazh nga Kandidatët e listave të partive për Deputetë, pasi që interesi i tyre ka qenë më i madhi që të përfaqësohen në Kuvend. Faji i vetëm i të tjerëve mund të jetë se janë dorëzuar përballë vullnetit ose ofertës korruptuese të Kandidatit për Deputet (me germa të mëdha). Por, prishjen e imazhit të zgjedhjeve e kanë bërë vetë Kandidatët e caktuar për Deputetë. Ata, siç po dëshmohet këto ditë dhe do të vazhdojë të dëshmohet në vazhdim, nuk kanë pasur skrupuj as ndaj konkurrentëve nga partitë e tjera, e as ndaj bashkëpartiakëve, duke i vjedhur ndër sy. Rezultatet preliminare të kandidatëve të raportuara vetëm sa nënvizojnë “vjedhjen brenda sojit”, kur del se edhe personi që ka pasur karrierën më të pasur politike gjatë tre vjetëve të fundit, e për një kohë duke mbajtur edhe dy postet më të larta shtetërore, del të ketë fituar tri herë më pak vota se sa në zgjedhjet e 2007-s. E shembuj të tjerë mund të gjenden thuaja në secilën parti.
Së këndejmi fenomeni që po ia bën varrin Kosovës duhet të goditet që në kokë.
Pra, së pari, duhet filluar të hetohen dhe të ndiqen penalisht Kandidatët për Deputetë që do të provohet se kanë interferuar për të përfituar vota në mënyra të paligjshme, e vetëm pas tyre – të gjithë të tjerët.
Së dyti, duhet të anulohen krejtësisht vendvotimet ku edhe për herë të dytë është vërtetuar se ka pasur manipulime. Kjo do të duhej t’i mbushte mend Kandidatët për Deputetë se përfundimisht nuk ia vlen të vjedhin vota për shkak se rrezikojnë të mbesin edhe pa ato që votuesit ia japin me vetëdëshirë. Se, përndryshe, po shihet se si në vjedhjet e tjera triviale edhe hajnat e votave nuk mbushen mend pa iu djegur bytha.
Së treti, megjithëse e garantuar edhe me Kushtetutë dhe aq e lakmueshme për të rritur demokracinë, në kuptimin e lirisë së zgjedhjes së drejtpërdrejtë, mbase po dëshmohet se ende nuk qenkemi të pjekur për lista të hapura. Ose, më saktë, që Kandidatët për Deputetë po i shfrytëzojnë listat e hapura për të manipuluar votën. Kështu që, ndoshta, do të duhej shqyrtuar kthimin e listave të mbyllura. Së paku kështu debati do të shterohej brenda vetë subjekteve politike dhe kush do të dalë më i zoti aty – do të mund të renditet më lart, pa pasur nevojë që gjatë votimeve ta vjedhin njëri-tjetrin.
ËSHTË SHPENZUAR SHUMË energji nga të gjithë sektorët e shoqërisë për të kundërshtuar raportin e Dick Martyt e për të penguar miratimin e tij në seancën e Këshillit të Evropës. Mirëpo, teksa për këtë raport mund të thirren ekspertë dhe në mënyrë profesionale të konstatojnë se a përmban ndonjë të vërtetë, ose është i tëri i fabrikuar, raportet lidhur me zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë tashmë janë të mirëqena. Janë negative. E thonë si brenda, si jashtë Kosovës. Pa dyshim, përgjegjësia për të përmirësuar imazhin negativ i bie gjithë shoqërisë, por më së shumti vetë subjekteve politike e institucioneve të vendit. Por, është e çuditshme se, në vend që të ishin më të zhurmshmit, dalin si më të heshturit pikërisht nga partia që mban të tria postet kryesore në Kosovë. Kryeministri dhe kryetari i partisë më të madhe, Hashim Thaçi, do të duhej të dilte në ballë të luftës kundër vjedhjeve të votave të qytetarëve të cilët i përfaqëson. Të mos mjaftohet me faktin që PDK-ja del e para në zgjedhje dhe t’i shquajë me lehtësi kritikat e partive dhe gjithë të tjerëve si – ekzagjerime të humbësve. E me këtë do të mund të kërkonte llogaridhënie edhe për vjedhjet e Kandidatëve për Deputetë edhe nga partitë e tjera. Në këtë mënyrë do ta luftonte më së fuqishmi çdo raport negativ për Kosovën nga kushdoqoftë.
Në të kundërtën, nuk e besoj se do të ndjehet mirë po të fitojë sërish mandatin e kryeministrit të vendit nga një Kuvend që, sigurisht, do të mbahet në mend edhe si Kuvend i hajnave.
Kështu që: kapni hajnat!