Nga Andi Kananaj, saktivista.com
Sipas një skenari tashmë rutinë, një nga rekordet që kemi shqiptarizuar dhe për t’u shënuar nga viti 2010, është koha e ndejtjes nën ujë. Nëse p.sh., shkodranët do të ambjentoheshin në një lojë playstation, të zhytur me kokë si polumbarë, ata do të fitonin pa asnjë pikë dyshimi. Për të mos thënë se kalimi në dimensionin e ri të qenies mitologjike gjysëm peshk e gjysëm njeri, do t’i bënte (i ka bërë) ezaurues përfundimtar të fantazive më ambicioze japoneze.
Ndërkohë që përtej realitetit të krijesave virtuale, shkodranët nuk kanë nevojë të presin fundin e lojës “Prapë apokalipsi” për t’u përballur me emrat e regjizorëve. Prej 20 vjetësh luhet një skenar “fitues”, nga emra regjizorësh të mirënjohur.
Ka kohë që ekonomistët flasin për pasurinë informale shqiptare dhe për çka na rrethon, që nuk është reale. Ndoshta një ditë, me vendosjen e rregullave të lojës, kjo pasuri do të duhet të zhduket nga drita e diellit. Ndërkohë që edhe nëse një pjesë e saj rikthehet “me duar të pastra”, vështirë se do të ketë të ardhme (edhe pse e kaluara jonë premton të pamundurën).
Sot për sot, një pjesë e mirë e tregut është virtuale. Loja e kredive e rikthyer në modë (me gjithë vitin ‘97 dhe Suden famshme), ka ngritur dyshime mbi gjendjen e vërtetë të pasurisë shqiptare. Logjika ta do që nëse kjo pasuri do të ishte reale, nuk do të na duhej t’u drejtoheshim bankave për çdo blerje të ëndërruar. Por historia u përsëriska ciklikisht, pavarësisht nesh, apo reflektimeve që pakkush akoma merr mundimin të bëjë.
Ajo që po ndodh tingëllon si kronika e një varfërimi të paralajmëruar. Politikanët dukshëm janë të motivuar për t’i hyrë kësaj loje, meqenëse të qenit pjesë e politikës aktive ofron sigurinë e pasurimit të pakushtëzuar në kohë dhe hapësirë, aspak të kamufluar nga sytë e votuesve atypari.
Nga ana e tyre, votuesit ndjejnë detyrimin të mirëkuptojnë ekzistencën e faturuar mbi 10 milionë euro të politikanëve; të justifikojnë atë jetë, që përndryshe nuk janë në gjendje ta imagjinojnë sadopak si të vërtetë. Ndoshta në pavetëdijen e tyre naive, votuesit ndihen bashkëfajtorë, që nëpërmjet votës, janë ata vetë deleguesit e të drejtës për të jetuar në kufijtë e “Cudisë”.
Në mes të kësaj krize të paralajmëruar (dhe të anuluar vetëm në mendjet energjike të militantëve), politikanët mbeten protagonistët e radhës. Dhe ne, që do të besojmë atë çka ata duan të na bëjnë të besojmë, duke na bindur dita ditës se tregu i lirë është në thelb çështje besimi; aq sa nëse për një moment besimi ynë (dhe kursimet tona) fashitet nga bankat, sistemi do të bjerë; e nëse besimi ynë do të jetë i pamjaftueshëm që të prishim në blerje të gjitha kursimet tona, sistemi do të bjerë. Politikanët do të punojnë kësisoj që besimi ynë të mbahet ndezur, për të ushqyer interesa ekonomikë të përqendruar në duart e 3-4 grupimeve, ku ne shumica nuk bëjmë pjesë.
Do të na duhet të kemi besim tek njerëzit që më pak e meritojnë besimin tonë, në një përpjekje sa delirante aq edhe vetëvrasëse në pikëllim, duke u kthyer në shembull të pamundur klinik për ndonjë psikiatër intelektualisht kurioz.
Ndërkohë që kryeministri ynë duket se i ka larë duart me krizën që ai e quan globale dhe me pensionet që thotë se i ka rritur. Për sa i përket ekonomisë, ajo mbetet trashëgimtare e padenjë e komunizmit, i cili nuk bëri sa duhej për ekonominë e sotme të tregut. Në fakt sot, me gjithë përpjekjet 20 vjeçare, kapitalizmit tonë në tentativë e sipër i ka mbetur vetëm emri i mirë. Paçka se nuk kemi dorë në këtë zgjedhje ekonomie “demokratike” quhemi bashkëfajtorë dhe kemi përgjegjësinë për një pjesë të krizës. Ne detyrohemi të jetojmë me detyrimin që të besojmë se jemi të lirë. Varfëria që na është imponuar si model jetese, na bën të çuditshëm në besimin e verbër se e gjithë kjo është vetëm çështje kohe.
Natyrisht që çdo qeveri që do të vijë pa plan, apo me planin cinik që të na ngarkojë me faj për zhgënjimet e kapitalizmit, nuk do t’i shpëtojë dot dështimit ciklik. Ndoshta ka ardhur momenti që të rikujtohet historia e dy letrave që politikani i vjetër i linte pasardhësit të tij, duke e porositur që t’i lexonte kur të përballej me krizat. Në letrën e parë, sugjerohej që për kapërcimin e krizës të akuzohej sistemi i mëparshëm. Në të dytën, kur e kriza e dytë kish trokitur, diktohej qartë: përgatit 2 letrat e tua.
Jo për të ndjellë ters po…