Rotacion apo zgjidhje?

15 Janar 2011, 21:16Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka

SOS mazhoranca!

Në horizontin politik po shfaqen zgjedhjet e parakohshme. Apriori në favor të opozitës, ato janë zgjidhja më komode dhe për vetë mazhorancën pas kompromentimit të integritetit demokratik prej refuzimit të transparencës së votës e rrënimit të imazhit si ikonë e duarve të ‘pastra’. Shpallja e tyre si kryelajm do të rikonfiguronte vëmendjen e befasonte opozitën si një epilog mbresëlënës që mund të amortizonte sadopak CV e rënduar të qeverisjes duke u trumbetuar si precedent emancipimi e aset politik në ballafaqimin elektoral. Zgjedhjet e reja, si valvola të shkarkimit të stresit qeveritar prej rënies së lirë në bursën politike do të mund të çlironte atë prej ‘pengut’ të ortakut në koalicion duke kontribuar në kohezionin e integritetin aq të domosdoshme për performim. Zgjedhjet do të mund të testonin dhe lidershipin ekzistues duke rivitalizuar e promovuar risinë së bashku me entuziazmin e optimizmin që e shoqëron atë.

Tashmë që fletët e votimit u dogjën e nuk mbahet më fryma pezull për riskun e etiketimit formalisht si ‘varrmihës’ të votës, sfida për qeverinë nuk është më shmangja e zgjedhjeve të parakohshme, me kosto politike në rritje nëse refuzohet, por momenti se kur e nën administrimin e kujt? Për të, pasi të ketë kaluar vala e ‘tsunamit’ të skandalit në zyrat e saj, sa më shpejt të zhvillohen, aq më mire. Tashmë që kapaku i privatësisë së qeverisjes është hapur, që e keqja të mos bëhet më e keqe, nuk mbetet veç të nxitohet në zgjedhje të parakohshme me ç’ka mbetur ende e paprekur prej aseteve politike. Kjo do të garantonte një shans për statu-quo qeveritare deri në zgjedhje me avantazhet apriori – menaxhim fondesh publike, kontroll mbi administratën, gjykatat, burgjet, hapësirë mediatike, gjithsesi e pasigurt tashmë që opozita e publiku kanë humbur besimin se mazhoranca do të mbajë duart larg votës së lirë.

Vetlargimi aset!

Skandali më i fundit me ‘skeletet’ në dollapin e zyrtarëve të lartë, deklarimi i mbështetjes apriori e rreshtimi së bashku prej majës së qeverisjes, zigzaket e pakuptimta deri në dorëheqje, niveli jo profesional i marrëdhënieve me publikun për të minimizuar dëmet e skandalit, dorëheqje që nuk u menaxhua e motivua si duhet, janë një mundësi për opozitën për të ushtruar trysni demokratike për zgjedhje të reja nën administrim asnjanës. Përgjimi nuk mund të konfirmohet si standard normal etik në demokraci por ndërkohë konteksti e performanca nuk duhet të degjenerojë deri atje sa të provokohet përdorimi i çdo mjeti sikurse greva e urisë së opozitës dikur, aq sa e parekomandueshme, ishte dhe e pashmangshme përballë papërgjegjshmërisë e pandjeshmërisë së mazhorancës ndaj fatit të votës së lirë. Qeveritarët duhet të ofrojnë transparencë e nëse nuk performojnë, vetlargim. Në mungesë të tij, edhe përgjimi bëhet domosdoshmëri. Vetlargimi duhet institucionalizuar e precedenti i fundit, ndërsa duhet përshëndetur, duhet ndjekur nga të tjerë. Ai nuk duhet të materializohet vetëm kur problematika shndërrohet në ‘mal që vret sytë’ në kushte ‘shah-mat’ por duhet parë si aset, kredibilitet e shans për riciklim politik, duke dëshmuar përgjegjshmëri, ndjeshmëri, respekt e përulësi ndaj elektoratit. Vetlargimi nuk është vrimë e zezë në CV e një politikani por moment kulmor sepse të gabosh apo dyshohesh për gabim është normale e të dorëhiqesh është fisnike. Ky incident, pavarësisht dilemës së etikës që ngërthen, përbën një precedent pozitiv sepse paralajmëron. ‘Skeletet’ në dollapët qeveritare nuk janë më të kyçura dhe e vërteta e gjen rrugën jashtë.

Në emër të parimeve

Dorëheqja kontradiktore e radhës, pavarësisht pështjellimit lidhur me hipotezat për aktorët, arsyet e dorëzanitë eventuale që ajo ngërthen, ekspozon ‘tabelë’ të vetme ‘qitjeje’ majën e piramidës qeveritare. Përpjekja e opozitës duhet të mbetet parimore e kurrsesi bazuar në konjuktura apo kompromise interesash. Shansi e sfida është menaxhimi i situatës aktuale për ta përdorur si tharm të një strategjie të suksesshme me finale zgjedhjet e parakohshme, kontekst ky prezent dhe në të shkuarën por që nuk e ka cenuar statukuonë qeverisëse e është absorbuar në honin e harresës politike.

Aferat korruptive në nivelet më të larta zyrtare janë guri i radhës në mozaikun e arsyeve parimore që opozita e sotme parashtron përpara shoqërisë për domosdoshmërinë e zgjedhjeve të parakohshme – nëpërkëmbja e interesit kombëtar me mostransparencën e kufirit detar, nëpërkëmbja e jetës me Gërdecin, mostransparenca e buxhetit në lidhje me rrugën e Kombit, mostransparenca e devijimit të strategjisë së zhvillimit kombëtar, mostransparenca e fatit të votës së lirë etj.

Luksi i kohës!

Sfida për opozitën nuk është thjesht provokimi i zgjedhjeve por administrimi i tyre. Pas ‘inkuizicionit’ ndaj votës së lirë, ajo është e justifikuar për të mos pranuar këtë mazhorancë si tutor të tyre që përveç intimidimit të procesit, mund të riciklojë krizën e radhës të transparencës. Meqë opozita përjashton bojkotin për zgjedhjet e majit, kjo nënkupton krijimin e një qeverie teknike sa më shpejt për t’i dhënë kohën e duhur që të administronte zgjedhjet lokale e të përgjithshme njëkohësisht apo në distancë kohore të përshtatshme paralelisht me amendimet në Kodin Zgjedhor.

Opozita urgjentisht duhet të riformatohet në funksion të zgjedhjeve të parakohshme nëse ato nuk imponohen prej saj por lançohen në befasi prej mazhorancës. Në kampin opozitar duhet të gjallojnë të gjitha forcat politike që respektojnë votën e lirë e standardet e perëndimore sepse ideologjia sesa arsye për të ndarë është motiv për të bashkëpunuar. Qeveria hije me titullar liderin e forcës më të madhe duhet të jetë prioritet për të bërë sa më të prekshme për elektoratin ekipin që do të marrë përsipër të menaxhojë shpresat e endrrat e tyre.

Shoqëria po përjeton adrenalinën politike të radhës ndërkohë që durimi i saj për normalitet po soset. Dy dekada ëndrrash e shpresash që tashmë janë zhbërë keq nga politika që ka shpërdoruar pamasë besimin e sinqeritetin e një populli fisnik ndaj të cilit më e pakta që mund të bëjë është ndjesa e ringjallja e shpresës. Zgjedhjet e reja duhet të ofrojnë zgjidhje, ‘reboot’ të sistemit e jo thjesht rotacion apo ‘upgrade’ të abuzimit ndaj një shoqërie që meriton prej kohësh më shumë.

1 komente në “Rotacion apo zgjidhje?”

  1. Nabukodonosor says:

    Artikulli eshte i shkelqyer,por valle Sali Berisha e lexon dot deri ne fund!

Comments are closed.

Lini një Përgjigje